Ndërlidhjet

Economist: Rimëkëmbja e industrisë së armatimit


Foto arkivi
Foto arkivi
"Economist"


Serbët thonë se fitorja e Serbisë në garën botërore të tenisit Davis Cup 2010 ka dëshmuar se ky vend ka lojtarët më të mirë të tenisit në botë. Ajo thuhet se është eksportuesi më i madh në botë edhe i manaferrave. Por, lëvdata e fundit mund të jetë edhe më befasuese: industria e dikurshme e armatimit në këtë vend po rikthehet.

Para se të zhbëhej gjatë luftërave të viteve ’90, ish-Jugosllavia ka qenë një eksprtuese e madhe armësh. NATO-ja kishte dëmtuar fabrikat e shumta të prodhimit të armëve në Serbi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Por, industria ka filluar të mëkëmbet. Në 2008-ën, eksportet ushtrarake të Serbisë arritën vlerën prej 200 milionë dollarësh, ndërkaq vitin e kaluar kjo vlerë u dyfishua, duke mos llogaritur kontratën prej 400 milionë dollarësh, të nënshkruar në nëntor, për të ndërtuar tri fabrika armësh në Algjeri.

Kompania që tregton me gjashtë prodhuesit kryesorë të Serbisë, “Yugoimport-SDPR”, pohon se shitjet po ngrihen nga 30 për qind në vit që prej vitit 2002.

Zyrtarët serbë që kërkojnë biznese të reja janë duke ripërtërirë kontaktet që kishin vendosur gjatë ditëve të luftës së ftohtë, thotë Daniel Sunter, nga buletini informativ “Balkan Intelligence”.

Dragan Shutanovac, ministër i Mbrojtjes, pohon se “kanë nxjerrë librat e kontakteve nga e kaluara”. Afrika e Veriut është caku kryesor. Serbët mirëpriten ngrohtësisht, e mbase edhe me nostalgji, në vendet sikur që është Libia, ku zyrtarë të lartë ushtarakë rikujtojnë stërvitjet e tyre në Beograd para më shumë se 20 vjetësh.

Ky vit i ri mund të ofrojë edhe më shumë çmime të majme për Serbinë. Zoti Shutanovac thotë se Serbia është afër nënshkrimit të një marrëveshjeje 500 milionë dollarëshe për të ndërtuar një spital ushtarak në një vend arab.

Ai gjithashtu shpreson të fitojë një kontratë 400 milionë dollarëshe për të modernizuar tankset M-84, të cilat Jugosllavia i ka transportuar në Kuvajt më 1991.

Këto tankse montoheshin në Kroaci me pjesët që prodhoheshin në të gjitha pjesët e Jugosllavisë së dikurshme dhe lidhjet e dikurshme tash janë ringjallur në këtë drejtim. Kompanitë e armatimit në Serbi, Bosnjë dhe Maqedoni janë duke punuar bashkërisht, kurse Serbia dhe Kroacia kanë marrëveshje të nënshkruar në qershor për bashkëpunim në këtë fushë.

Nëse Serbia fiton kontratën në Kuvajt, Shutanovac ka thënë se një pjesë e punës mbase do të ndahet midis kompanive në Bosnjë, Kroaci dhe Slloveni.

Zoti Shutanovac thotë se shitjet në sistemin mbrojtës shënojnë industrinë më në rritje të Serbisë, pas agrikulturës. Dhe, armët pa dyshim që vlejnë më shumë seç vlejnë manaferrat. (a.v.)
XS
SM
MD
LG