Ndërlidhjet

Perëndimi rrit trysninë ndaj Bjellorusisë


Minsk
Minsk
Qeveritë dhe organizatat e Perëndimit po rrisin trysninë ndaj Bjellorusisë për zgjedhjet e kritikuara presidenciale.

Në Bruksel tashmë po diskutohen hapat për rikthimin e mundshëm të vizave për zyrtarët e lartë bjellorusë, për shkak të zgjedhjeve presidenciale dhe arrestimit të qindra protestuesve të opozitës.

Të mërkurën, më 12 janar, Parlamenti Evropian pritet të mbajë një seancë të jashtzakonshme për ta diskutuar krizën bjelloruse.

Mbledhja, e cila do t’i përfshijë të gjitha komitetet përkatëse, u thirr me kërkesë të kryetarit të Parlamentit, Jirzhi Buzek.

Buzek tha se në vazhdën e takimit do të diskutohen ”përgjigjet e ardhshme nga ana e Bashkimit Evropian” dhe shtoi se “është e rëndësishme të mbahet presioni ndaj Qeverisë së Aleksander Lukashenkos në të gjitha nivelet”.

Në kuadër të përgatitjeve për seancën e jashtëzakonshme, Komiteti Politik dhe i Sigurisë i BE-së sot u takua në Bruksel. Ambasadt e BE-së në Minsk ia kanë dërguar listën e re të zyrtarëve bjellorusë, që do t’i nënshtrohen regjimit të vizave nga blloku 27-anëtarësh.

Disa zyrtarë të lartë evropianë kanë bërë thirrje për rikthimin e sanksioneve.

Ministri i Jashtëm i Suedisë, Karl Bildt, ka thënë se Lukashenko do të futet përsëri në listën e ndalimit të vizave bashkë me dhjetëra zyrtarë të tjerë përgjegjës për rrahjet dhe arrestimet që ndodhën pas zgjedhjeve.

Bildt gjithashtu ka lënë të kuptohet se reagimi i BE-së mund të mos kufizohet vetëm në vizat.

“Ndihma masovike ekonomike për momentin nuk është në tryezë”, ka thënë Bildt, përkundër ofertës parazgjedhore të Bashkimit Evropian që t’i japë Bjellorusisë 3 miliardë euro ndihma në tre vjetët e ardhshëm.

Ndërsa Brukseli po kërkon mënyra për ta rritur trysninë ndaj Minskut, Uashingtoni gjithashtu po i ashpërson kritikat ndaj Qeverisë së Lukashenkos për trajtimin e opozitës.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, u takua dje në Uashington me aktivistë bjellorusë dhe bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të ithtarëve të opozitës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, tha se takimi i Klintonit me aktivistët synonte t’iu dërgojë një mesazh autoriteteve të Bjellorusisë.

“Sekretarja i ndan shqetësimet e tyre për zgjedhjet e fundit presidenciale, si dhe përdorimin e tepruar të forcës nga ana e qeverisë pas zgjedhjeve. Ajo vazhdon të kërkojë lirimin e menjëhershëm të protestuesve të arrestuar dhe dhënie fund të shtypjes së opozitës, mediave dhe shoqërisë civile në Bjellorusi”, tha zëdhënësi Toner.

Të mërkurën, ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën, Filip Gordon, tha se Uashingtoni në “mënyrë aktive po i shqyrton të gjitha opsionet, përfshirë sanksionet shtesë”.

Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e dënuan vendimin e Bjellorusisë për ta mbyllur zyrën e misionit të OSBE-së në kryeqytetin Minsk. (v.p.)

XS
SM
MD
LG