Ndërlidhjet

Keqa: CEFTA udhëhiqet nga institucionet e Kosovës


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Kosova ka marrë kryesimin e CEFTA-s pa ndonjë ceremoni të pranim-dorëzimit nga Serbia, thonë zyrtarë të qeverisë në dorëheqje. Sipas tyre, menaxhimi i këtij projekti do të bëhet vetëm nga institucionet kosovare dhe jo nga UNMIK-u, si palë nënshkruese në vitin 2007.


Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje deklarojnë se Kosova prej 1 janarit të këtij viti kryeson Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore - CEFTA.

Ndonëse nuk pasur ndonjë ceremoni të pranim-dorëzimit nga Serbia, e cila ka kryesuar këtë mekanizëm në vitin 2010, Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në të kaluarën.
Por, sipas procedurave, pala që ka udhëhequr CEFTA-n vitin paraprak, përgatit raportin përfundimtar të punës dhe e dërgon te sekretariati i këtij institucioni në Bruksel. Keqa thotë se sekretariati i CEFTA-s merret me administrimin e të gjitha dokumenteve.

“Raporti dorëzohet te sekretariati, por dorëzohet edhe te të gjitha vendet anëtare të CEFTA-s, të cilat janë anëtare me fuqi të plotë - e ato janë tetë. Kështu që vendi që dorëzon kryesimin, ua dërgon raportin e punës edhe shtatë vendeve tjera të mbetura, por normalisht edhe sekretariatit në Bruksel”,
sqaron Keqa.

Në vitin që kemi lënë pas, temë e vazhdueshme debati ka qenë çështja se kush do të kryesonte CEFTA-n: institucionet e Kosovës apo UNMIK-u, si palë nënshkruese e kësaj marrëveshjeje në emër të Kosovës.

Institucionet qeveritare në Serbi patën paralajmëruar se ky mekanizëm do të udhëhiqej nga administrata e UNMIK-ut.

Në vitin 2007, kur edhe zyrtarisht është nënshkruar CEFTA nga kryeadministratori i atëhershëm, Joakim Ryker, ministër i Tregtisë dhe Industrisë ka qenë Bujar Dugolli.

Ky i fundit thotë se institucionet e Kosovës duhet të menaxhojnë me këtë projekt, meqë, sipas tij, në Pakon e Ahtisarit thuhet se për çdo marrëveshje ndërkombëtare të lidhur në kohën e UNMIK-ut, përgjegjësinë e marrin institucionet kosovare.

“Institucionet kosovare, sipas Pakos, janë të obliguara të respektojnë çdo marrëveshje ndërkombëtare që e ka nënshkruar misioni i Kombeve të Bashkuara në atë kohë në emër të Kosovës”,
thotë Dugolli.

Ndërkaq, vetë zyrtarë të UNMIK-ut i kanë thënë Radios Evropa e Lirë kohë më parë se, nëse vazhdojnë problemet për këtë projekt, i takon sekretariatit dhe palëve që të dalin me propozime, të cilat do të ishin të pranueshme për të gjithë.

Flamur Keqa shpreh bindjen se kryesimi do të bëhet vetëm nga institucionet qeveritare të Kosovës, duke mos pasur nevojë për kurrfarë nënshkrimi.

“Nuk ka nevojë për formalitete të tilla - është e paraparë me këtë marrëveshje. Kryesimi është marrë më 1 janar, pa pasur nevojë të nënshkruhet, sepse kjo marrëveshje e ka bazën juridike, e cila thotë se kryesimi bëhet në formë rotative çdo vit”.

“Është e caktuar renditja e shteteve, të cilat e marrin kryesimin dhe nuk ka nevojë që për çdo aktivitet konkret të bëhet nënshkrimi nga cilado palë”,
bën të ditur Keqa.

Sipas tij, takimi i parë i sekretariatit të CEFTA-s në Kosovë do të mbahet në fund të tremujorit të parë të këtij viti.

Në faqen e internetit të CEFTA-s, Kosova është e shënuar bashkërisht me UNMIK-un si kryesuese e këtij institucioni. Keqa jep më shumë hollësi rreth kësaj:

“Duhet një program për njërin nga nënkomitetet, të cilin duhet ta kryesojë Kosova; është në finalizim e sipër dhe ai është paraparë të përfundojë deri në fund të janarit”.

“Këto janë arsyet pse nuk është vendosur ende në ueb-faqe... Unë shpresoj se deri në muajin shkurt do të vendosen të gjitha informatat që kanë të bëjnë me punën e CEFTA-s”.


Sipas tij, ajo që ende ka mbetur pezull në këtë proces, është përdorimi i simboleve shtetërore në takimet e sekretariatit të CEFTA-s. Në rast të përdorimit të këtyre simboleve, Beogradi zyrtar është kërcënuar se do të japë, siç ka thënë, përgjigje të rreptë.

Shteti serb që nga viti 2008 nuk e respekton Marrëveshjen CEFTA. Nga ajo kohë, Serbia, por edhe Bosnja kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulave të Doganave, nga ato të UNMIK-ut në ato të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG