Ndërlidhjet

Me satelit kundër dhunës


Referendumi në Sudan
Referendumi në Sudan
Sytë e botës të dielën do të jenë të përqendruar në Sudan, ku jugu i vendit afrikan pritet të votojë për pavarësimin nga Kartumi. Droja e dhunës ka mobilizuar aktivistë dhe shkencëtarë, të cilët do të përdorin për herë të parë masivisht imazhet satelitore për të parandaluar krimet. Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Riçard Solash, i bën një vështrim më të gjerë përdorimit të teknologjisë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.


Njerëzit sillen ndryshe kur e dinë se po vëzhgohen. Është fakt i njohur se regjimet autoritare e kanë përdorur mbikëqyrjen për një kohë të gjatë si mjet shtypjeje. Por, vëzhgimi mund të përdoret edhe për qëllime të mira, mes të cilave edhe për të ndaluar dhunën në të ardhmen.

Ky është dhe synimi i projektit satelitor Sentinel, që është bashkëpunim mes Google, Kombeve të Bashkuara, Iniciativës Humanitare të Harvardit dhe organizatave jofitimprurëse të ngritura nga figurat e njohura.

Qëllimi i afërt i projektit është të ndalojë dhunën e mundshme në Sudan gjatë referendumit të së dielës, ku pritet që jugu i vendit të votojë për shkëputje.

Pjesa jugore e Sudanit luftoi kundër Kartumit zyrtar për dy dekada dhe derisa pritet që ata do të mbështesin opsionin e pavarësisë, nuk është e qartë se si do të reagojë qeveria qendrore ndaj lindjes së shtetit të ri.

Për referendumin e fundjavës Sentinel do të përdorë imazhet e marra nga satelitët privatë për të vëzhguar lëvizjet e mundshme të trupave apo për të zbuluar ndonjë rast të mundshëm dhune.

Mbështetësit e Sentinelit shpresojnë se publiciteti rreth projektit mund të shërbejë si frenues për kryerësit e akteve të dhunës. Aktori Xhorxh Klluni, një nga mbështetësit e projektit, e cilësoi atë si “paparaci anti-gjenocid”.

Patrik Mejër nga Iniciativa Humanitare e Harvardit, është pjesë e ekipit që po mbledh të dhënat nga sateliti.

“Imazhet satelitore, përpara daljes së Google Earth, kanë pasur vetëm ngjyrime ushtarake. Tashmë kjo është ç’mistifikuar. Nga një teknologji e përqendruar në duar të shtetit apo të grupeve shumë të vogla, tepër e kushtueshme, tani kjo lloj teknologjie po bëhet më shumë një lloj burimi i hapur informacioni, që shërben si prapësues i dhunës apo në disa raste të tjera për të nxjerrë përgjegjësit”,
thotë Mejër për Radion Evropa e Lirë.

Qeveritë i kanë përdorur imazhet satelitore për të spiunuar rreth njëri-tjetrit. Sateliti i parë për qëllime komerciale u lëshua në vitin 1999.

Amnesty International ka qenë në linjën e parë të mbështetësve të përdorimit të imazheve satelitore për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Amnesty International thotë se imazhet satelitore konfirmuan raportet se mbi 100 shtëpi civilësh u bombarduan nga forcat gjeorgjiane në luftën e vitit 2008 mes Rusisë e Gjeorgjisë.

Lars Bromlei, analist i imazheve satelitore për Kombet e Bashkuara, thotë se imazhet e ardhura nga Kirgizia ofruan një pamje më të gjerë të situatës krahasuar me atë të ofruar nga gazetarët në terren.

“Kirgizia ishte rasti ku kishte gazetarë në terren që ofronin informacion, por shkalla e dhunës ishte relativisht e panjohur. Në këtë moment hyjnë në punë imazhet satelitore, ku dukeshin qartë se nuk kishte dhunë vetëm në lagjen ku gjendej gazetari, por në shumë zona të qytetit”,
sqaron Bromlei.

Imazhet satelitore ndoshta nuk janë të afta të parandalojnë dhunën, por mund të jenë të dobishme në kufizimin e saj, në veçanti në zonat ku qasja është e vështirë.

“Në zonat e sthella ajo që shihni shpesh është se askush nuk do të besojë se ka ndodhur më e keqja. Në rast se ka raporte për dhunë çdokush dëshiron të presë deri në verifikimin e rasteve, përpara se të veprojnë. Në këto raste imazhet satelitore janë prova e verifikimit dhe mundëson që të mos lejojë zmadhimin e një konflikti”, thotë Bromlei.

Eksperti Mejër thekson se hapi i ardhshëm është përdorimi i imazheve satelitore si prova para Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë. Ideja është ende në hapat e parë, por u jep shpresë aktivistëve të të drejtave të njeriut. (i.b)
XS
SM
MD
LG