Ndërlidhjet

Koreja e Veriut përsërit propozimin për bisedime me Jugun


Koreja e Veriut ka përsëritur propozimin e saj për nisjen e bisedimeve pa kushte me Korenë e Jugut. Oferta e Veriut vjen disa ditë pasi Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë thirrjen verikorenae për negociata, duke thënë se ata duan të shohin veprim nga Veriu e jo vetëm fjalë.

Oferta për bisedime është lëshuar sot nga Komiteti i Koresë Veriore për Ribashkim Paqësor të Koreve, në deklaratën e të cilit thuhet se nuk ka “kushtëzime” e as arsye për dyshim në qëllimet e Veriut.

Tensionet mes Koreve janë përshkallëzuar pasi katër jugkoreanë humbën jetën nga një sulm artilerik i Koresë Veriore në nëntor të 2010-ës.

Marrëdhëniet ishin përkeqësuar edhe pasi Koreja e Veriut u fajësua për fundosjen e një anije luftarake të Koresë së Jugut në marsin e kaluar. Në këtë incident humbën jetën 46 marinarë jugkoreanë.
XS
SM
MD
LG