Ndërlidhjet

Hasani: Anulim në 24 vendvotime, e jo qendra votimi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Gjykata Supreme anuloi zgjedhjet në Mitrovicë në 24 vendvotime dhe jo në 24 qendra votimi, siç kanë raportuar mediat, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Fejzullah Hasani, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës.








RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, Gjykata Supreme ka marrë një vendim që në Mitrovicë, në 24 vendvotime, të përsëriten votimet. A ka në gjykatë kërkesa të tjera për shqyrtim?

FEJZULLAH HASANI
Jo, ka pasur kërkesa më herët, por kjo ishte kërkesa e fundit për këto zgjedhje që janë mbajtur më 12 dhjetor. Kjo ishte një situatë kur Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë një ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, mirëpo PZAP-i e kishte refuzuar ankesën e Vetëvendosjes, edhe pse kishte konstatuar shkelje në këto vendvotime. Domethënë shkeljet i kishte konfirmuar edhe vetë PZAP-i, por me një arsyetim se shkeljet e tilla kanë qenë pa ndikim në rezultatin e zgjedhjeve.

Ne, si Gjykatë Supreme, si panel për çështje administrative, e kemi anuluar një herë vendimin dhe e kemi kthyer në PZAP, me qëllim që të jepen arsyet, sepse PZAP-i konsideron se këto shkelje, këto defekte ligjore, janë pa ndikim në rezultatin zgjedhor.

Mirëpo, PZAP-i prapë, për të njëjtën arsye ka vendosur të marrë vendimin e njëjtë sikurse herën e parë, domethënë prapë i ka konfirmuar shkeljet ligjore, por nuk e ka aprovuar ankesën e Vetëvendosjes. Kështu që gjykata ka qenë e detyruar që me qëllim të evitimit të këtyre shkeljeve, të cilat i ka konfirmuar edhe vetë PZAP-i, t’i anulojë zgjedhjet.

Mirëpo, unë kam parë në mediume se është thënë, e kam përcjellë nga dje, se në 24 qendra votimi - por nuk është fjala për 24 qendra votimi, po është fjala për 24 vendvotime në rajonin e Mitrovicës – gjykata ka anuluar zgjedhjet dhe e ka urdhëruar KQZ-në që t’i përsërisë zgjedhjet në këto 24 vendvotime.

RADIO EVROPA E LIRË
Raportet e fundit të organizatave të ndryshme ndërkombëtare më 2010, patën kritikuar sistemin e drejtësisë në Kosovë. Si e vlerësoni ju gjendjen aktuale në drejtësi?

FEJZULLAH HASANI
Unë mund të flas vetëm për një segment të drejtësisë, domethënë vetëm për Gjyqësorin, për faktin se jam në krye të Gjyqësorit, ose në krye të Gjykatës Supreme. Segmenti i drejtësisë është një koncept më i gjerë sesa Gjyqësori.

Në gjyqësor është një situatë mjaft delikate, mjaft problematike për faktin se ende nuk janë kompletuar me gjyqtarë dhe prokurorë Gjyqësori dhe Prokuroria. Edhe pse ka përfunduar edhe faza e tretë e riemërimeve, kanë ngelur rreth 120 pozita të paplotësuara.

Tani Këshilli Gjyqësor ka shpallur një konkurs preliminar; po pret kuadro të reja, konkurrentë adekuatë për t’i plotësuar këto vende të punës. 120 vende në Gjyqësor janë shumë për një muaj për të qenë vakant, të paplotësuar, e të mos flasim se nga shkurti i vitit të kaluar ne jemi me këto vende vakante, plus kemi pasur lëvizje të gjyqtarëve nga një nivel në tjetrin, nga niveli komunal në atë të Qarkut.

Shumë gjykata ende janë me një ose dy gjyqtarë, kështu që situata është shumë problematike, me shumë probleme, mirëpo shpresojmë se së shpejti do të plotësohen këto vende të punës, edhe pse ka lëvizje pozitive në këtë drejtim për faktin se niveli i gjykatave komunale 80 për qind e kuadrit është i ri, të cilit i është dashur kohë për të qenë funksional, ose për të punuar me kapacitet të plotë, për faktin se iu ka munguar përvoja, nuk kanë mundur qysh në start të punojnë me kapacitet të plotë. Këto kanë qenë të gjitha sfidat që e kanë përcjellë gjyqësorin në vitin që e lamë pas.

RADIO EVROPA E LIRË
Një nga çështjet, për të cilat është folur shumë është edhe ajo e numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura në Gjyqësor. Cilat janë pengesat kryesore në trajtimin e këtyre lëndëve?

FEJZULLAH HASANI
Është e vërtetë se ne tani jemi në fazën e përpilimit të raporteve vjetore, domethënë pas vitit të ri i bëjmë raportet vjetore për vitin që shkoi, 2010. Përafërsisht, janë rreth 24 mijë lëndë të papërfunduara, prej tyre afro 100 mijë janë të materies ekzekutive ose përmbaruese. Pra, janë çështje më tepër teknike, vetëm presin për t’u ekzekutuar, për të cilat gjykata ka vendosur, por nuk janë ekzekutuar.

Pse ky numër i madh lëndësh? Ky numër i madh i lëndëve është për faktin se kur kemi filluar në vitin 2000, kur jemi funksionalizuar si gjykatë, ne kemi nisur me një numër ekstrem të vogël të gjyqtarëve. Deri më 9 qershor, sipas statistikave, ishin duke punuar rreth 470 gjyqtarë dhe prokurorë, kurse ne kemi startuar me 300 gjyqtarë dhe 100 prokurorë.

Pra, me një numër shumë më të vogël, ndërsa kemi gjetur stoqe të lëndëve të pakryera nga ish-sistemi, të cilat lëndë është dashur të merren nëpër dorë, ngase palët kanë pasur interes që ato të marrin një epilog përfundimtar.
Edhe numri i vogël i gjyqtarëve, kemi filluar me rreth 30-40 për qind të numrit të gjyqtarëve më pak, kështu që gjithnjë ka ardhur duek e vështirësuar problemin në Gjyqësor.

Ne, sipas statistikave ekzakte që i kemi për vitin 2001- 2007, për 150 për qind është rritur numri i ardhjes së lëndëve, ndërsa diku 1.13 për qind është zvogëluar numri i kuadrit – pra, jo që është rritur, por është zvogëluar. Kjo është botërisht e ditur dhe janë statistika ekzakte që ne kemi vetëm 13 gjyqtarë në 100 mijë banorë, derisa rajoni ka 51, 40, 30. Është një s’përputhje e madhe e numrit të gjyqtarëve në raport me ardhjen e lëndëve.

Ka qenë e ditur se do të vijë një situatë e tillë e grumbullimit të lëndëve të vjetra. Mirëpo, ne, në këtë drejtim, në bashkëpunim edhe me USAID-in edhe me Këshillin Gjyqësor, kemi përpiluar një strategji për uljen e lëndëve të mbetura. Në krye të atij grupi punues jam unë. Kështu që ne i kemi përcaktuar afatet kohore, dhe tashmë janë vërejtur efektet e para në drejtim të realizimit të kësaj strategjie dhe uljes së numrit të lëndëve.

Megjithatë, sfidë edhe problem kryesor për neve paraqet ende numri i paplotësuar i vendeve të punës, sepse ne kot përpilojmë strategji nëse nuk kemi njerëz që të merren me lëndët. Podujevën e kemi me 2 gjyqtarë, Klinën me një gjyqtar, kemi shumë gjykata për kundërvajtje në një, domethënë të gjitha këto ndikojnë në mbledhjen e lëndëve të pakryera.

RADIO EVROPA E LIRË
Sistemi i drejtësisë në Kosovë kritikohet edhe për ndikimin që ushtron politika në të. Pajtoheni ju me këtë vlerësim?

FEJZULLAH HASANI
Unë flas për veten time. Në Gjykatën Supreme jam nga viti 2003. Nga shkurti i vitit 2010 jam kryetar i Gjykatës Supreme dhe unë s’kam përjetuar ndonjë moment që dikush të intervenojë ose në drejtim të interferimit ose ndikimit për zgjidhjen e një çështjeje – jo që edhe ne s’kemi pasur - edhe ne kemi pasur çështje sensitive, edhe ne kemi pasur lëndë, ngase nuk merret vetëm EULEX-i me ato lëndë, por merremi edhe ne, dhe unë flas që në atë ndikimin në kuptimin e ngritjes së telefonit dhe sugjerimit si të vendoset një çështje, kurrë s’kemi pasur.

Mirëpo, ne e kemi konsideruar një formë ndikimi edhe varshmërinë buxhetore, materiale, derisa ne kemi qëndruar me paga që kanë qenë fare nënçmuese për gjyqtarë; një gjyqtar ka marrë 400 euro pagë. Këtë e kemi konsideruar një lloj ndikimi, një lloj mbajtje në varshmëri të Gjyqësorit, por nga 1 janari është bërë një rritje ndjeshme e pagave, e cila është rregulluar me ligj dhe besoj që kjo çështje do të rregullohet.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG