Ndërlidhjet

logo-print

Gati për rivotim


Më 9 janar do të përsëriten votimet në disa qendra votimi, si pasojë e parregullsive të evidentuara në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010.

Më 9 janar do të përsëriten votimet në disa qendra votimi, si pasojë e parregullsive të evidentuara në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë përgatitjet e nevojshme për të mundësuar një rivotim e rregullt në pesë komuna në ditën e diel, njoftuan përfaqësues të këtij komisioni. Ata thanë se rivotim do të ketë edhe në komunën e Mitrovicës, por nuk saktësuan se a do të ketë rivotim në 24 vendvotime - siç urdhëroi ditë më parë Gjykata Supreme, apo do të rivotohet në të gjithë komunën.


Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve njoftuan se kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zhvillimin e një rivotimi të rregullt në komunën e Skënderajt, Drenasit, Deçanit dhe pjesërisht në komunat Lipjan dhe Malishevë.

Në mbledhjen e fundit të KQZ-së, ata bënë të ditur se gjatë së dielës në pesë komunat në fjalë do të jenë të pranishme gjashtë ekipe nga ky komision, ndërsa mësohet se është paraparë edhe krijimi i një të ashtuquajture dhome operative - përgjegjëse për monitorimin e gjithë procesit dhe zbatimit të planit të sigurisë.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemalj Peqani, theksoi se është verifikuar funksionimi i llambave ultra-vjollce, baterive dhe materialeve të tjera zgjedhore, mosfunksionimi i të cilave vlerësohet të ketë mundësuar një varg parregullsish në raundin e parë të zgjedhjeve në këto komuna më 12 dhjetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve

“Në krahasim me zgjedhjet e kaluara në këtë vit - s’po them është një risi, mirëpo janë më funksionale, sepse ne dimë që secili sprej në secilin vendvotim e ka numrin e vendvotimit përkatës, gjithashtu e ka llamba ultra-vjollce, e ka bateria... Të gjitha ato materiale që janë distribuuar nga depoja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë të evidentuara me numrin e vendvotimeve përkatëse, gjë që nuk ka qenë në zgjedhjet e kaluara. Kjo do të thotë se janë verifikuar edhe në praninë e një komisioni të cilin e potencoi dhe kryetarja dhe po shpresojmë se çdo gjë është në rregull”,
u shpreh Peqani.

Përveç rivotimit në disa komuna më 9 janar, KQZ-ja u pajtua që bazuar në vendimin e Gjykatës Supreme, të ketë rivotim edhe në Mitrovicë.

Megjithatë, nuk u qartësua se a do të ketë rivotim vetëm në 24 vendvotime -ashtu siç ka urdhëruar Gjykata Supreme, apo do të ketë rivotim në të gjithë komunën.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se kjo çështje ka mbetur të shqyrtohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Do të vendosë edhe KQZ-ja, sepse unë jam vetëm një anëtare e KQZ-së. Nuk mund të them nëse do të shkojë krejt Mitrovica apo vetëm këto qendra të votimit. Mirëpo, gjithsesi ky vendim do të merret nga të gjithë anëtarët e KQZ-së; siç e patë nuk ka ndonjë mëdyshje se a do të ketë apo jo rivotim në Mitrovicë”, tha Daka.

Daka theksoi se pas vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me Mitrovicën, KQZ-ja nuk pret ndonjë vendim tjetër të kësaj instance ligjore lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të dhjetorit të 2010-ës.

Kryetarja e KQZ-së shtoi se për shkak të rivotimit të së dielës dhe rivotimit që pritet të ndodhë dhe në komunën e Mitrovicës, nuk mund të jepet ndonjë datë e saktë se kur mund të certifikohen rezultatet përfundimtare për zgjedhjet parlamentare.

“Tash nuk mund të jap ndonjë datë apo ndonjë muaj, mirëpo nëse marrim parasysh se do të ketë rivotim edhe në Mitrovicë, me siguri që muaji shkurt do të jetë ai kur do të bëhet certifikimi i rezultateve”,
shpjegoi Daka.

Ndërkohë, rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka bërë të ditur se me rreth 500 vëzhgues do të monitorojë rivotimin e së dielës.

Mësohet se në rivotimin e 9 janarit do të përfshihen 62 qendra të votimit me 185 vendvotime, ndërsa numri i përgjithshëm i votuesve thuhet se është 138,657.
XS
SM
MD
LG