Ndërlidhjet

Shoqëria civile mbron lirinë e shprehjes


Shoqëria civile, përmes një deklarate të përbashkët, ka dalë në mbrojtje të lirisë së shprehjes në Kosovë.

Në këtë deklarim të disa organizatave joqeveritare thuhet se ”ato janë të shqetësuara lidhur me deklaratat urrejtje-nxitëse të përfaqësuesit të Shoqatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër personaliteteve publike”.

“Në vargun e sulmeve të saj, kjo shoqatë ka vënë në shënjestër ditë më parë një lider politik dhe së fundmi gazetarin Halil Matoshi“, vijon deklarata.

“Duke akuzuar pa asnjë fakt dhe duke njollosur zërat kritikë në shoqërinë e Kosovës, qofshin ata gazetarë apo politikanë, personat që flasin në emër të veteranëve të UÇK-së dëmtojnë çdo debat publik dhe njëkohësisht dëmtojnë vetë projektin për çlirimin e Kosovës si dhe imazhin e vendit tonë. Gjuha e kërcënimeve ndot idenë fisnike të çlirimit të Kosovës“, thuhet në vazhdim të kësaj deklarate dhe vihet në pah se “synimet për privatizimin dhe monopolizimin e luftës për liri janë tejet të dëmshme për të ardhmen evropiane të Kosovës“.

Deklaratën e kanë nënshkruar: Klubi për Politikë të Jashtme, Instituti për Studime të Avancuara (GAP), Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti Ballkanik i Politikave, Syri i Vizionit, Lëvizja Fol, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Iniciativa për Progres (INPO), Qendra për Politika dhe Avokim (QPA).
XS
SM
MD
LG