Ndërlidhjet

NYT: Sudan, votimi për një fillim të ri


Presidenti i Sudanit jugor, Salva Kir, e ka quajtur moment historik referendumin për pavarësi, teksa ka votuar sot.

Presidenti i Sudanit jugor, Salva Kir, e ka quajtur moment historik referendumin për pavarësi, teksa ka votuar sot.

New York Times

Shkruan: Barak Obama, president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Jo çdo gjeneratë e ka fatin që të kthejë një faqe të së kaluarës e të shkruajë një të re në histori. Sot, pas 50 vjetësh luftë civile dhe pasi 2 milionë njerëz janë vrarë e miliona të tjerë janë kthyer në refugjatë, populli i Sudanit të jugut e ka mundësinë e një fillimi të ri.

Miliona sudanezë në jug do të votojnë nëse do të mbeten pjesë e Sudanit, apo do të krijojnë shtetin e tyre të pavarur. Ky proces dhe veprimet e udhëheqësve sudanezë do të përcaktojnë nëse populli që ka njohur kaq shumë vuajtje, do të ecë drejt paqes e përparimit, apo do të rrëshqasë drejt gjakderdhjes.

Pasojat do të jenë të mëdha edhe për Afrikën nën Sahariane, por edhe në nivel global.

Vota për të ushtruar të drejtën e vetëvendosjes është pjesë themelore e marrëveshjes paqësore të 2005, që i dha fund luftës civile në Sudan.
Një hap i rëndësishëm përpara ishte dhe fakti se udhëheqës nga jugu dhe veriu i Sudanit, të mbështetur nga 40 vende e organizata ndërkombëtare, kanë rënë dakord të punojnë së bashku që votimi të jetë i qetë i lirë dhe i besueshëm, në mënyrë që të reflektojë vullnetin e popullit sudanez.

Fakti se votimi ka filluar në kohë është tregues se kanë filluar të përmbushen zotimet.

Nëse jugu zgjedh pavarësinë, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara do të jenë të interesuara që të sigurojnë se të dyja vendet e dala nga Sudani aktual të jenë të qëndrueshme ekonomikisht, si dhe të jenë fqinjë të mirë, pasi fatet e tyre janë të ndërlidhura.

Në veçanti, Sudani i jugut do të ketë nevojë për partnerë që t’i përmbushin synimet e popullit të vetë për të ecur përpara.

Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin popullin e Darfurit, duke vazhduar përpjekjet për ta zgjidhur një herë e përgjithmonë krizën. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të këmbëngulin se paqja afatgjatë dhe e qëndrueshme në Darfur nuk mund të arrihet pa i ndëshkuar përgjegjësit e krimeve, përfshirë dhe ata që kanë kryer gjenocid.

Miliona sudanezë sot shkojnë drejt kutive të votimit për të përcaktuar fatin e tyre. Ky është momenti kur udhëheqësit me kurajë dhe vizion mund të drejtojnë popullin e tyre drejt ditëve më të mira.

Ata që bëjnë zgjedhjen e drejtë, do të kujtohen nga historia, ata do të kenë edhe një partner të gatshëm e të qëndrueshëm te Shtetet e Bashkuara.(i.b.)
XS
SM
MD
LG