Ndërlidhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare, të përsëritura në përgjithësi në Skënderaj, Drenas e Deçan, si dhe në 2 qendra të votimit - një në Malishevë dhe një në Lipjan.

Megjithëse KQZ-ja ka paralajmëruar se rezultatet preliminare do të shpallen në mesnatë, kjo nuk ka ndodhur. Zyrtarët e KQZ-së nuk kanë dhënë ndonjë sqarim lidhur me këtë vonesë.

Ndërkaq, Rrjeti i koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që ka monitoruar procesin zgjedhor, mbrëmë i ka publikuar rezultatet preliminare të rivotimeve.

Sipas “Demokracisë në Veprim”, Partia Demokratike i ka fituar këto zgjedhje në Skënderaj, Drenas, si dhe në dy qendrat e votimit në Lipjan e Malishevë, ndërsa në komunën e Deçanit, fituese është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare të DV-së, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në Skënderaj me 96.14 % të votave, ndërsa në Drenas ka fituar me 92.08 për qind.

Po sipas “Demokracisë në Veprim”, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar edhe në qendrën e votimit në Shallë të Lipjanit me 89.34% të votave, si dhe në qendrën e votimit në Drenoc të Malishevës me 81.24 për qind.

Fitues i zgjedhjeve të përsëritura në komunën e Deçanit, sipas “Demokracisë në Veprim”, është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 58.63% të votave.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e PDK-së dhe LDK-së, dy partive me më së shumti vota sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, procesin zgjedhor të 9 janarit e kanë vlerësuar në mënyra të ndryshme.

Votimet e 9 janarit...
Hajredin Kuçi, nga Partia Demokratike e Kosovës, e ka quajtur demokratik procesin e votimit dhe shprehje të vullnetit të qytetarëve.

“Është një vullnet i qytetarëve. Në komunat e Skënderajt dhe të Drenasit ka pasur një referendum do të thosha, më shumë sesa një votim për subjekte politike. Në këtë drejtim i falënderojmë të gjithë qytetarët e Drenasit, Skënderajt, e po ashtu edhe të Deçanit, të Malishevës dhe të Lipjanit, për besimin e dhënë”, ka thënë Kuçi.

Ismet Beqiri, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është shprehur i pakënaqur me organizimin e procesit të rivotimit në tri komuna dhe në dy qendra votimi në dy komuna.

Sipas tij, nuk ka pasur ndonjë ndryshim pozitiv në këtë drejtim, krahasuar me procesin e votimit të 12 dhjetorit. Edhe gjatë rivotimit, sipas tij, janë shënuar defekte të shumta.

Beqiri ka thënë se LDK-ja do të kërkojë anulimin e zgjedhjeve në ato vendvotime, ku, sipas tij, janë evidentuar defektet.

“Për procesin e sotëm zgjedhor, sigurisht që LDK-ja do t’i ketë disa ankesa, besojmë të faktuara, veçmas për pengasat që i kanë pasur vëzhguesit tanë në disa vendvotime, pastaj për rastet ku realisht është ndalur rryma në disa vendvotime, në disa qendra, në disa fshatra të Skënderajt dhe Gllogovcit (Drenasit), por edhe në dy vende në Irzniq dhe Gramaqel të Deçanit", ka thënë Beqiri.

Sidoqoftë, nga njoftimi i fundit i zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mësohet se rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 9 janarit do të shpallen gjatë ditës së sotme, por ata nuk kanë precizuar kohën e saktë.

Lexoni edhe këto:
Feith: 9 janari ndikon në imazhin e Kosovës
Institucionet, pastaj dialogu
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG