Ndërlidhjet

Duhen më shumë përpjekje për të forcuar demokracinë në Kosovë



Pa marrë parasysh përpjekjet qëllimmira të shumë aktivistëve dhe individëve gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe 9 janarit, defekte serioze kanë shënuar vullnetin politik të pamjaftueshëm, përfshirë atë në nivel baze, për të zhvilluar zgjedhje të mirëfillta në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira zgjedhore, thuhet në deklaratën e delegacionit monitorues të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

Deklarata u lëshua para përfundimit të numërimit të votave dhe zgjidhjes së ankesave të mundshme për zgjedhjet e përsëritura më 9 janar 2011.

Delegacioni inkurajon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të përfunduar numërimin e votave në mënyrë të saktë dhe për të shpallur sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë transparente dhe të hollësishme, rezultatet e zgjedhjeve. Delegacioni ka vërejtur përmirësime përkatëse në performancën e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe hapat fillestar për të reduktuar kulturën e mosndëshkimit.

Delegacioni thekson rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për tranzicionin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës, për të cilën gjë Parlamenti Evropian është plotësisht i përkushtuar. Në njoftim shprehet keqardhje për shkeljet e rënda zgjedhore në disa komuna si dhe procesin e stërzgjatur të numërimit të votave të 12 dhjetorit.

Në mënyrë që të forcohet besimi publik në procesin demokratik duhet që, menjëherë dhe shpejtë, të ndërmerret një përpjekje vendimtare për të ndjekur penalisht të gjithë kryerësit e identifikuar të mashtrimeve, përfshirë këtu rastet nga zgjedhjet lokale të vitit 2009.

Kosova duhet të ndërmerr hapa të menjëhershëm për të përmirësuar procesin e ardhshëm zgjedhor për të garantuar të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës, si dhe për të forcuar perspektivën evropiane të Kosovës. Delegacioni mirëpret faktin që partitë politike kanë kuptuar domosdoshmërinë për të çuar përpara reformën zgjedhore në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira zgjedhore, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë.
XS
SM
MD
LG