Ndërlidhjet

Vëzhguesit ftojnë për forcim të demokracisë


Vendvotim në fshatin Komoran, 9 janar 2010.

Vendvotim në fshatin Komoran, 9 janar 2010.

Përfaqësuesit e Parlamentit Evropian që vëzhguan ecurinë e zgjedhjeve në Kosovë më 12 dhjetor të vitit të kaluar dhe më 9 janar, vlerësuan se këto zgjedhje nuk përputhen me standardet ndërkombëtare. Në një konferencë për media, ata u bënë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të ndryshojnë dhe përmirësojnë gabimet ekzistuese për proceset e ardhshme zgjedhore në Kosovë.


Pas monitorimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit dhe rivotimit në disa komuna më 9 janar, delegacioni vëzhgues i Parlamentit Evropian vlerësoi se, siç thuhet, defekte serioze kanë shënuar vullnetin politik të pamjaftueshëm, përfshirë atë në nivel baze, për të zhvilluar zgjedhje të mirëfillta në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira zgjedhore.

Eurodeputetja Ulrike Lunacek nuk përjashtoi mundësinë që procesi zgjedhor t’i ndikojë hapat e ardhshëm të Brukselit lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Po, ekziston rreziku që të kenë një efekt - jo në procesin e integrimit në tërësi, por në hapat e ardhshëm që do të merren, për imazhin e Kosovës, për shkak të asaj që ka ndodhur së fundi. Nuk mendoj se dëmtohet e tërë perspektiva evropiane, por u takon juve dhe liderëve tuaj ta bëjnë të qartë se do të ruhet kjo perspektivë dhe se do të ndodhin ndryshime të nevojshme”
, u shpreh Lunacek.

Ajo theksoi se menjëherë duhet të ndërmerret një, siç thuhet, përpjekje vendimtare për të ndjekur penalisht të gjithë kryerësit e identifikuar të mashtrimeve, përfshirë këtu rastet nga zgjedhjet lokale të vitit 2009.


Lunacek, gjithashtu, nënvizoi rëndësinë për marrjen e iniciativave edhe lidhur me përmirësimin e procesit të votimit në Kosovë.

“Kosova duhet të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të përmirësuar procesin e ardhshëm zgjedhor, për të garantuar të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës, si dhe për të forcuar perspektivën evropiane të Kosovës”,
theksoi Lunacek.

Procesin zgjedhor të 12 dhjetorit dhe atë të rivotimit të së dielës në 11 vendvotime, e ka vëzhguar edhe përfaqësuesja e Parlamentit Evropian, Jutta Steinruck. Ajo foli për disa parregullsi që i ka parë, ndër të tjera, në Prekaz, siç është mungesa e sprejit dhe mungesa e energjisë elektrike.

Ne mendojmë se do të ishte e rëndësishme që të rinumërohen votat e pavlefshme të 12 dhjetorit dhe ato të djeshmet, sepse nuk ishte vërtet e qartë se çka është e vlefshme, e çka jo. Kam parë mënyra të ndryshme të veprimit atje, andaj do të ishte vërtet mirë të bëhet kjo”, tha Steinruck.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, gjatë rivotimit të së dielës në Skënderaj, pjesëmarrja e votuesve ka qenë rreth 30 për qind më pak sesa më 12 dhjetor, në Drenas mbi 25 për qind më pak, ndërsa Deçan diku 9 për qind më pak sesa në raundin e parë zgjedhor.

Votimet e shumëfishta, ato familjare, figurimi i emrave të personave të vdekur në listat votuese, mosfunksionimi adekuat i materialit zgjedhor dhe parregullsi të tjera kanë karakterizuar, sipas vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë, zgjedhjet e sivjetme parlamentare në Kosovë.

E pyetur se a do të mund të formohet një qeveri legjitime e bazuar mbi këto zgjedhje, Lunacek tha:

“Do t’u takojë liderëve që të tregojnë vullnetin politik për t'i ndryshuar gjërat. Ne nuk i dimë ende rezultatet e djeshme, ne nuk e dimë ende se si do të ndikojnë zgjedhjet në Mitrovicës në ulëset në Parlament - se kush do të ketë sa ulëse dhe sa do të jenë mundësitë për të formuar një qeveri. Unë nuk mund të them asgjë për këtë, por unë mendoj se pyetja e vërtetë është që të tregohet vullneti politik, të pranohen problemet që kanë ekzistuar dhe të tregohet vullneti politik për t’i ndryshuar ato”.
XS
SM
MD
LG