Ndërlidhjet

NYT: Gjakderdhje dhe sulm në Arizonë


 Kongresistja Gabrielle Giffords

Kongresistja Gabrielle Giffords

“New York Times”


Ajo lexoi amendamentin e parë në foltoren e Dhomës së Përfaqësuesve - përfshirë edhe “të drejtën e njerëzve për t’u mbledhur në mënyrë paqësore” – dhe u nis për në Arizonë, për t’i demonstruar këto fjalë në praktikë.

Kur Gabriell Gifords u përpoq të takohej me zgjedhësit e saj në Takson, ajo u përball me një situatë tërësisht të kundërt me idealet kushtetuese. Dhe, për këtë gjë, gati sa nuk pagoi me jetën e saj.

Xherd Lougner, njeriu që akuzohet për të shtëna ndaj zonjës Gifords, për vrasjen e një gjykatësi federal dhe të pesë njerëzve të tjerë, duket të jetë një i sëmurë mendor. Postimet e tij paranoike në Internet e vendosin atë përtej kategorisë së zakonshme ideologjike.

Megjithatë, ai më shumë është pjesë e një klithme të gjerë frike, zemërimi dhe jotolerance, që ka prodhuar kërcënime të dhunshme kundër një numri politikanësh dhe ka infektuar rrjedhat politike me imazhe të dhunshme.

Me qasje të lehtë dhe ligjore ndaj një arme gjysmë-automatike – sikur ajo që u përdor në Arizonë, të lëkundurit nga mendja e shëndoshë mund ta kthejnë kërcënimin në ankth.

Pranverën e shkuar, zyrtarët e sigurisë në Kongresin amerikan thanë se kërcënimet kundër anëtarëve të Kongresit janë trefishuar dhe të gjitha pothuajse vijnë nga kundërshtarët e reformës shëndetësore.

Një kukull me pamje të përfaqësuesit Frank Kratovil Jr., demokrat nga Merilandi, ishte varur në shtyllat jashtë zyrës së tij. Zyra e zonjës Gifords ishte shkatërruar pas votimit mbi Ligjin e shëndetësisë, mbase nga plumbat.

Gjykatësi i vrarë, Xhon Roll, ka marrë qindra telefonata kërcënuese, madje edhe kërcënime me vdekje, sidomos kur lejoi procedimin e rastit kundër një të akuzuari për sulm ndaj 16 meskikanëve, teksa përpiqeshin të kalonin në tokën e tij.

Është e cekët dhe gabim që ky akt i çmendur t’iu mvishet direkt anëtarëve republikanë ose atyre të lëvizjes Tea Party. Por, është legjitime që republikanët dhe përkrahësit e tyre të fortë të mbahen përgjegjës nëpër media për stuhinë e zemërimit që ka prodhuar shumica dërrmuese e këtyre kërcënimeve.

Shumë të djathtë kanë përdorur argumentet e ndarjes, duke korrur pushtet politik me demonizimin e emigrantëve. Ata duket se kanë bindur shumë amerikanë se qeverisja nuk është vetëm e gabuar, por edhe armik i popullit.

Kjo stuhi ka prekur shumë Arizonen, të cilën shefi i policisë së këtij vendi, Klarenc Dupinik, pas sulmit të së shtunës e përshkroi si “vend të zemërimit, urrejtjes dhe fanatizimit”.

Ligjet për armë në këtë vend janë ndër më të butat. Ato lejojnë madje dhe një njeri me probleme të blejë një pistoletë dhe ta mbajë fshehur, pa ndonjë leje speciale.

Tani, kur Arizona ka parë tmerrin e parë të dhunës politike, ajo duhet të udhëheqë popullin me zëra të tolerancës, duke kërkuar fundin e etjeve për gjakderdhje dhe duke vënë nën kontroll instrumentet e saj. (v.t.)
XS
SM
MD
LG