Ndërlidhjet

Kosova mund të futet në krizë buxhetore


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Zvarritja e procesit për formimin e institucioneve të reja ndikon edhe në shtyrjen e miratimit të buxhetit për këtë vit, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, nëse deri në fund të muajit mars nuk formohen institucionet, Kosova do të futet në krizë të thellë buxhetore.


Nëse deri në muajin mars nuk formohen institucionet e reja, të dala nga zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit, Kosova do të futet në krizë buxhetore, thonë ekspertë për çështje ekonomike.

Haki Shatri, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave, shpjegon se në fund të muajit mars mbyllen të gjitha mundësitë ligjore për të vazhduar me shpenzimet buxhetore pa buxhet të miratuar.

Në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave, nëse vendi fillon vitin e ri, pa buxhet të miratuar, atëherë ky ligj mundëson që në dy muajt e parë të vitit shpenzimet të vazhdohen me 1/12 e buxhetit paraprak.

Ndërkaq, për muajin e tretë, Shatri thotë se duhet që Kuvendi të marrë vendim për t’i vazhduar shpenzimet buxhetore.

Por, në bazë të rrethanave të krijuara pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe nevojës për rivotime edhe në komunën e Mitrovicës, Shatri shprehet skeptik se deri në këtë periudhë Kosova mund të ketë institucione të reja.

“Nëse në fund të shkurtit nuk kemi buxhet të miratuar, atëherë Kuvendi, por vetëm Kuvendi, ka mundësi, në bazë të një dispozite ligjore, që të vazhdojë edhe për një muaj, do të thotë edhe për marsin”.

“Kjo, për rrethanat tona, është pikëpyetje, sepse ne nuk jemi të sigurt që deri në fund të shkurtit do të kemi një Kuvend, i cili do të marrë një vendim për të vazhduar edhe një muaj 1/12-tën. Ky është varianti i fundit dhe pas kësaj, zgjidhje ligjore nuk ka”,
thotë Shatri.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, thotë se nëse vazhdohet me rivotime të tjera, do të dëmtohet seriozisht procesi i shpërndarjes së mjeteve buxhetore.

Për këtë Abdixhiku, vlerëson se nevojitet formimi i një qeverie teknike, në mënyrë që të merret vendim për miratimin e buxhetit të këtij viti.

“Ne duhet domosdoshmërisht që të ndërtojmë një qeveri teknike për t’i dhënë legjitimitet shpërndarjes së parasë, sepse kjo qeveri nuk e ka një të tillë, apo e humb një të tillë në dy muajit e parë të këtij viti”,
thekson Abdixhiku.

Por, se a ekziston ndonjë mundësi tjetër për të mos u futur vendi në krizë financiare, Haki Shatri shpjegon më shumë:

“Këtu nevojitet një vetëdijesim i strukturave politike dhe një vendim që ata të pajtohen dhe të gjejnë një konsensus dhe të gjejnë një zgjidhje, që mund të jetë ndoshta edhe jashtë kushtetuese. Por, nëse bëhet një konsensus, për të vazhduar kontinuitetin e punës së institucioneve, do të jetë zgjidhja e vetme, përndryshe në aspektin ligjor nuk shoh se do të ketë ndonjë zgjidhje”.


Sidoqoftë, në bazë Ligjit për menaxhimin e financave, në dy muajit e parë të këtij viti, realizohen vetëm pagesat për nevoja emergjente, ndërsa pezullohen pagesat për investime kapitale.
XS
SM
MD
LG