Ndërlidhjet

Larg apo afër synimeve?


Parlamenti i Maqedonisë
Parlamenti i Maqedonisë
“Gjatë dy dekadave të sistemit shumëpartiak, demokracia parlamentare në Maqedoni ka shënuar një trend pozitiv, ndërsa shteti i ka mbetur besnik kursit perëndimor”, tha kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanovski, në fjalimin e tij para deputetëve, me rastin e 20-vjetorit të seancës së parë konstituive të Parlamentit, pas zgjedhjeve të para pluraliste.

Veljanovski u shpreh se përcaktimi konstant i Maqedonisë, për këto dy dekada ka qenë dhe vazhdon të mbetet integrimi i Maqedonisë në BE dhe NATO.

Por, kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik që në përbërjen e parë parlamentare numëronte 17 deputetë shqiptarë, Abdurahman Haliti, vlerësoi se diçka rrënjësore me interes për shqiptarët nuk mund të thuhet se ka ndryshuar, meqë politikëbërësit kryesisht nuk e kanë mësuar leksionin e demokracisë koncensuale.

“Maqedonia, aktualisht, për fat të keq, shumë pak është demokratike, aspak nuk është shtet i së drejtës dhe mbetet që në të ardhmen, një klasë tjetër politike të bëjë më tepër dhe t`i shtyjë para proceset e integrimit dhe demokratizimit të shtetit”,
theksoi Haliti.

Ndërkohë, kryetari i parë i Kuvendit të Maqedonisë, Stojan Andov, tha se pikërisht parlamenti i parë ndikoi që të arrihet pavarësia e vendit duke shpallur referendumin për shkëputjen nga Jugosllavia me miratimin e Kushtetutës së parë.

“Më 8 janar të vitit 1991, përbërja e parë parlamentare përcaktoi rrugën, mbi të cilën ka ecur Maqedonia, rrugë kjo që pavarësoi shtetin dhe instaloi parimet themelore të demokracisë duke e orientuar Maqedoninë kah strukturat euroatlantike”, tha Andov.

Ndërkaq, Xheladin Murati, nënkryetar i Parlamentit të përbërjes së parë parlamentare, vlerësoi se statusi i shqiptarëve të Maqedonisë është shumë larg synimeve që kanë pasur atëbotë përfaqësuesit e tyre politikë.

“Mund të them se nuk ka ndonjë përparim të dukshëm sa i përket afirmimit të vlerave demokratike, si dhe përparimit të shoqërisë në përgjithësi, e veçanërisht të shoqërisë shqiptare, pavarësisht se për cilin aspekt flasim - arsimin, kulturën, jurisprudencën apo për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet përkatëse”,
vlerësoi Murati,

Nga ana tjetër, për deputetin shqiptar, Sefedin Haruni, nga përbërja e parë parlamentare, është fatkeqësi që përçarja e thellë mes bllokut politik shqiptar jo rrallë herë është keqpërdorur nga pala maqedonase për t’i përjashtuar shqiptarët nga vendimmarrja.

“Unë nuk shoh që, së paku, interesi i shqiptarëve të mos jetë nëpërkëmbur më tepër se para 20 viteve. Jo që nuk ka debat, por mungon dhe mendimi konstruktiv për çështjet që i prekin shqiptarët brenda përbrenda bllokut politik shqiptar, pra mungon një debat konstruktiv dhe cilësor vizavi palës maqedonase”, tha Nuredini.

Ndryshe, para njëzet viteve Parlamenti i parë shumëpartiak i Maqedonisë, vendosi bazën juridike të Maqedonisë së pavarur, shpalli referendumin për pavarësi, miratoi Kushtetutën, e cila më vonë u konsiderua si e diskutueshme dhe burim i tensioneve ndëretnike.

Deputetët e përbërjes së parë parlamentare para 20 vitesh zgjodhën edhe qeverinë e parë dhe presidentin e parë të Maqedonisë së pavarur.
XS
SM
MD
LG