Ndërlidhjet

Burg për mbrojtësen e të drejtave të njeriut


Avokatja Nasrin Sotoudeh
Avokatja Nasrin Sotoudeh

Avokatja iraniane Nasrin Sotoudeh, sipas raporteve, është dënuar me 11 vjet burg, në rastin që konsiderohet si pjesë e goditjes më të gjerë ndaj avokatëve për të drejtat e njeriut dhe aktivistëve në Iran.

Bashkëshorti i avokates Sotoudeh tha se asaj, po ashtu, i është ndaluar për 20 vjet të punojë si avokate dhe të largohet nga Irani.

Nasrin Sotoudeh ishte bashkëpunëtore e fitueses së çmimit Nobel për Paqe, Shirin Ebadi, dhe ka përfaqësuar një numër të figurave opozitare dhe veprimtarë të arrestuar, gjatë trazirave pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale në vitin 2009.

Organizata “Fushata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Iran”, me seli në Nju Jork, dënimin e avokates Sotoudeh, e ka cilësuar si “dështim të madh të drejtësisë”. Sipas kësaj organizate, ajo ishte shpallur fajtore për “veprim kundër sigurisë kombëtare” dhe se “nuk e kishte bartur shaminë gjatë mesazhit nëpërmjet videos”.

Ish-fituesja e çmimit Nobel për Paqe, iraniania Shirin Ebadi, i tha Radios Evropa e Lirë, se drejtësia iraniane “gjithnjë e më tepër po e humbë pavarësinë”.

“Isha ekstremisht e zhgënjyer kur dëgjova për vendimin jokorrekt për kolegen time të respektuar, Nasrin Sotoudeh. Unë jam më tepër e zhgënjyer me faktin se sistemi ynë i drejtësisë gjithnjë e më tepër po e humbë pavarësinë e tij, ditë për ditë, dhe po vepron sipas hetuesve të shërbimit të sigurimit. Derisa ishte në arrest, zonjës Sotoudeh, i ishte thënë se nëse nuk bashkëpunon me ta, nëse ajo nuk bën pranim të falsifikuar, ajo do të mbahet në burg për së paku 10 vjet. Për fat të keq, ky kërcënim u realizua”, tha Shirin Ebadi.

Zonja Sotoudeh, 45-vjeçare dhe nënë e dy fëmijëve, ishte burgosur më 4 shtator 2009, dhe raportohet se ishte mbajtur në një qeli në burgun Evin në Teheran.

Raportohet se gjendja e saj shëndetësore ishte keqësuar për shkak të disa grevave të urisë.

Bashkëshorti i saj, Reza Khandan, tha se ai nuk e kishte parë atë për një kohë të gjatë.

“Me përjashtim të seancave gjyqësore, nuk jam takuar me të personalisht. Dy muaj pas arrestit, fëmijët tanë u takuan njëherë personalisht me të dhe para 12 ditësh ata e patën edhe një takim me të, që zgjati vetëm pesë minuta”, tha Reza Khandan.

Duke folur për gjendjen e fëmijëve, ai theksoi:

“Fëmijët tanë janë shumë të shqetësuar dhe në fakt jo vetëm fëmijët, por edhe bashkëshortja ime ishte e shqetësuar pasi nuk po mund takohej me fëmijët tanë. Ajo nuk është në gjendje të mirë, ajo është në ankth për shkak se është larg familjes, e veçanërisht larg fëmijëve. Djali ynë është tre vjeç, ndërsa vajza jonë është 11 vjeçe”.

Khandan deklaroi se akuzat kundër gruas së tij kishin të bënin kryesisht, lidhur me intervistat me mediat e jashtme për klientët e saj, të burgosur në Iran, pas zgjedhjeve presidenciale në vitin 2009.

Shirin Ebadi tha se vendimi ishte pjesë e përpjekjeve të regjimit iranian për ta shkatërruar zërin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut.

“Duke pasur parasysh një vendim të këtillë jokorrekt dhe të ashpër, kundër një mbrojtësi të të drejtave të njeriut, tregon se në çfarë mase Republika Islamike është e frikësuar nga mbrojtësit e të drejtave të njeriut. Me këtë vendim, synohet frikësimi i të tjerëve, në mënyrë që ata të mos involvohen në aktivitete për të drejtat e njeriut: pavarësisht se çfarë dhune ne bëjmë, mos raporto për ato dhe mos jep intervista për to”, u shpreh Shirin Ebadi.

Ndërkaq, kishte edhe thirrje ndërkombëtare për Iranin, që ta lirojë avokaten Sotoudeh.

Komisionarja e lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Navy Pillay, kishte shprehur shqetësim se rasti Sotoudeh ishte “pjesë e goditjes shumë më të gjerë dhe se situata e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Iran, po bëhet më e vështirë”.

"Fushata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut në Iran", me seli në Nju Jork, tha se Shiva Nazarahari, bashkëthemeluese e Komitetit për të drejtat e njeriut, ishte dënuar më herët këtë muaj me katër vite në burg dhe 74 rrahje me shkop.

Në tetor të vitit të kaluar, avokati Mohammad Seifzadeh, ishte dënuar me nëntë vjet burgim dhe 10 vjet nuk ka të drejtë të merret me drejtësi. (f. b.)
XS
SM
MD
LG