Ndërlidhjet

Rivotimet vonojnë proceset diplomatike


Zgjedhjet në Kosovë
Zgjedhjet në Kosovë
Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë parashohin një varg pasojash politike për Kosovën pas, siç thonë ata, stërzgjatjes së zgjedhjeve parlamentare në vend. Vlerësimi se zgjedhjet nuk u zhvilluan në përputhje me standardet ndërkombëtare, sipas tyre, do të dëmtojnë imazhin e Kosovës dhe do të zvarrisin procesin e njohjeve.

Vonesat në krijimin e institucioneve të reja, vonesat në nisjen e dialogut të paralajmëruar me Beogradin zyrtar, dëmtimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe, rrjedhimisht, zvarritja e procesit të njohjeve, sipas analistëve, janë disa nga pasojat që do të shkaktojë procesi i fundit elektoral në Kosovë.

Pas evidentimit të parregullsive gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit, mekanizmat përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor çuan në rivotim Skënderajn, Drenasin, Deçanin e pjesërisht edhe Lipjanin e Malishevën - proces nëpër të cilin pritet të kalojë dhe komuna e Mitrovicës.

Rivotimi në këto komuna, sipas hulumtuesit në Grupin Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, Naim Rashiti, do të vonojë krijimin e qeverisë së Kosovës - gjë që, sipas tij, do të shkaktojë vonesa të mëtejmë në nisjen e bisedimeve me Serbinë.

“Kosova do të dihet a do të ketë institucione më së largu deri në mars, apo do të ketë një proces tjetër, qoftë elektoral, qoftë të një qeverie të modeleve të ndryshme. Prandaj, marsi apo prilli janë prapë kohë kur mund të fillojnë takimet dhe dialogu, në qoftë se përgatiten sa duhet ato”,
tha Rashiti.

Rashiti vlerësoi se jo vetëm zgjedhjet në Kosovë, por edhe procesi i ardhshëm elektoral në Serbi mund të shtyjë për një kohë të pacaktuar bisedimet ndërmjet dy vendeve.

“Vitin e ardhshëm ka zgjedhje në Serbi dhe Serbia që nga fundi i këtij viti nuk do të pranojë të negociojë. Prandaj, ky është vetëm një cirk i pengesave dhe i zhvillimeve që do të jenë pengesa në dialogun Prishtinë-Beograd dhe në relaksimin apo rregullimin e të dy vendeve”,
vlerësoi Rashiti duke theksuar rëndësinë që edhe Bashkimi Evropian të jetë i përgatitur për lehtësimin e bisedimeve ndërmjet palës serbe e asaj kosovare.

Përfaqësues të BE-së që vëzhguan zgjedhjet e dhjetorit dhe rivotimin e së dielës në disa komuna, ditë më parë, vlerësuan se procesi zgjedhor nuk është zhvilluar në linjë me standardet ndërkombëtare.

Anëtari i Klubit për Politikë të Jashtme, Ardian Arifaj, shprehu bindjen se parregullsitë e evidentuara gjatë zgjedhjeve në Kosovë do ta dëmtojnë imazhin e vendit dhe do të fuqizojnë hezitimet e disa shteteve për njohjen e tij.

“Krejt këta hapa, pra me dështimin e mbajtjes së zgjedhjeve që plotësojnë standardet ndërkombëtare, përfshirja në krim, por edhe raportimet për çfarëdo parregullsie në Kosovë, natyrisht që tregojnë se ne nuk kemi aftësi për të qenë anëtar i denjë për t’u pranuar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe natyrisht - sidomos shtetet që janë kundër Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë fuqishëm kundër nesh”
, theksoi Arifaj.
XS
SM
MD
LG