Ndërlidhjet

Pesimizëm për zgjidhjen e kontestit


Foto nga arkivi (Protestat për emrin)
Foto nga arkivi (Protestat për emrin)
Analistët në Shkup shprehen pesimistë lidhur me gjasat për zgjidhjen e shpejtë të kontestit rreth emrit me Greqinë. Mahi Nesimi dhe Zdravko Savevski thonë se të dyja vendet, e në veçanti Maqedonia, nuk po tregon gatishmëri për arritjen e zgjidhjes. Ndërkohë, edhe BE-ja përsërit se çështja e emrit, mbetet kusht për integrim në Bashkimin Evropian.

Ambasadori i Hungarisë në Shkup, Ferenc Kekeshi, paraqiti para anëtarëve të Komisionit për çështje evropiane, prioritetet e vendit të tij gjatë kryesimit gjashtëmujor me Bashkimin Evropian.

Sikurse ambasadorët e tjerë, vendet e të cilëve kryesonin me BE-së, edhe ambasadori hungarez ritheksoi qëndrimin se integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian varet në masë nga zgjidhja e kontestit rreth emrit me Greqinë, por, sipas tij, vendi duhet t’i përmbushë edhe kriteret tjera të parapara për anëtarësim.

Duke i komentuar pritjet e Maqedonisë apo komentet e ndryshme në opinion se nga ky apo ai kryesim Maqedonia mund të presë më shumë apo më pak, analistët thanë se është qesharake të jepen vlerësime të tilla, pasi rotacionet e kryesimit nuk i ndryshojnë politikat e vendosura të BE-së.

“Çështjet e integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian janë problematikë e jona, e jo e Bashkimit Evropian dhe në këtë drejtim ne duhet t'i përmbushim detyrat, obligimet që kërkohen prej nesh. Shteti, i cili udhëheqë me Bashkimin Evropian nuk mund ta ndryshojë politikën globale të BE-së. Bëhet fjalë për një kryesim gjashtëmujor ku nuk ndodhë asgjë me përmasa të mëdha në ndonjë drejtim”,
tha ish-diplomati Mahi Nesimi.

Analisti politik, Zdravko Savevski, konsideroi se do të ishte iluzore të mendohet siç ndodh shpesh se a thua çfarë do të ndodhë, apo si do të kalojë Maqedonia gjatë kryesimit të këtij vendi.
Ne nuk duhet të përqendrohemi në atë se çfarë do të bëjnë të tjerët për ne...


“Ne nuk duhet të përqendrohemi në atë se çfarë do të bëjnë të tjerët për ne, qoftë edhe ndonjë kryesim më miqësor ndaj nesh, por të përqendroheni në kryerjen e detyrave tona të shtëpisë, pasi në rast se ne këtë e bëjmë ashtu siç duhet, atëherë do të kishte një qasje krejt ndryshe ndaj Maqedonisë, pavarësisht kontestit rreth emrit me Greqinë”.

“Pra, para së gjithash, ne duhet të angazhohemi në përmbushjen e standardeve demokratike, pasi kjo do ta përshpejtonte integrimin tonë në Bashkimin Evropian”,
vlerësoi Zdravko Savevski, analist politik.

Ndërkohë, duke rikujtuar pozicionet e fundit Shkupit dhe Athinës lidhur me kontestin shumëvjeçar për emrin e Maqedonisë, Mahi Nesimi, nuk tha se pret të ndodhë asgjë e veçantë në muajt në vijim në drejtim të arritjes së ndonjë zgjidhjeje të mundshme.
Nuk pres të ndodhë asgjë e veçantë edhe në këta muaj...


“Nuk pres të ndodhë asgjë e veçantë edhe në këta muaj, për shkak se udhëheqjet e të dyja vendeve fare pak preokupohen me integrimin e Maqedonisë dhe zgjidhjen e problemit rreth emrit”,
u shpreh Nesimi.

Takimi i radhës mes ekipeve negociatore është caktuar të mbahet më 9 shkurt. Kryeministri Nikolla Gruevski, deklaroi se Shkupi zyrtar do të tregojë konstruktivitet në bisedimet për emrin që pritet të vazhdojnë me ndërmjetësimin e Metju Nimicit, të dërguarit të OKB-së për zgjidhjen e kontestit.

Por, Gruevski tha se arritja e zgjidhjes më shumë varet nga vullneti i palës greke. Zyrtarët maqedonas disa herë janë shprehur se do të pranojnë zgjidhje, e cila nuk do të rrezikonte gjuhën dhe identitetin kombëtar maqedonas.
XS
SM
MD
LG