Ndërlidhjet

SHBA: Shqetësimet për tentim atentatet


Flamujt në gjysëmshtizë në shenjë nderimi për viktimat e incidentit në Arizonë.
Flamujt në gjysëmshtizë në shenjë nderimi për viktimat e incidentit në Arizonë.
Tentativa për të vrarë kongresisten amerikane, Gabriel Gifords, ka tronditur amerikanët në atë shkallë që vetëm vrasjet politike janë në gjendje ta bëjnë.

Miliona amerikanë ende kujtojnë tmerrin që shkaktuan vrasjet e aktivistit të të drejtave të njeriut, Martin Luter King, presidentit Kenedi apo atentati ndaj presidentit Regan.

Të hënën, ditën kur doli para drejtësisë i akuzuari për sulmin ku u vranë gjashtë persona dhe ku u plagos rëndë Gifords e 12 të tjerë, presidenti Obama drejtoi kombin në mbajtjen e një minute heshtje. Më vonë ai theksoi se është kohë reflektimi dhe bashkimi.

“Në ditët që vijnë, do të kemi kohë të mjaftueshme për të reflektuar. Në këto momente duhet t’i ofrojmë ngushëllimet dhe lutjet tona të gjithë të prekurve dhe të sigurojmë që si popull po bashkohemi dhe po qëndrojmë bri njëri-tjetrit. Si president, por dhe si baba, po i kushtoj shumë kohë familjeve të goditura nga tragjedia”,
tha Obama.

Dy janë grupet, të cilat më së shumti po reflektojnë pas sulmit të fundjavës në Arizona; Të zgjedhurit dhe kritikët e ligjit që lejon armëmbajtjen në Shtetet e Bashkuara.

Ligji federal amerikan lejon personat mbi 21 vjeç që të blejnë armë, derisa në shtetin e Arizonës kjo është e mundur nga mosha 18-vjeçare. Armët lejohen thuajse kudo, duke përfshirë ndërtesat qeveritare, shkollat dhe baret.

Vitin e kaluar grupet që mbështesin armëmbajtjen shënuan një fitore të konsiderueshme në Arizona pasi u hodh poshtë ligji që kërkonte nga armëmbajtësit të pajiseshin me leje të posaçme.

Organizata Brady, që merret me parandalimin e dhunës së shkaktuar nga armëmbajtja, i ka dhënë Arizonës një nga vlerësimet më të këqija në nivel të Shteteve të Bashkuara.

Për ironi të fatit Gilfords ka qenë ndër mbështetëset e ligjit për armëmbajtje, duke e cilësuar si “një traditë të Arizonës”. Por, armët e blera në Arizona nuk mbeten brenda kufijve të këtij shteti.

Sipas Washington Post-it në vitin 2009, 1600 armë të blera në Arizona ishin përdorur në krime të kryera jashtë këtij shteti.

Kongresistja amerikane Karolin MekKarthi, bashkëshorti i së cilës u vra nga një person i armatosur në metronë e Nju Jorkut në vitin 1983, po harton një propozim-ligj që kufizon mbajtjen e armëve, përfshirë atë të tipit të përdorur në sulmin kundër Gifords.

Përfaqësuesit e grupit Bredi, i angazhuar kundër armëmbajtjes në Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar nga Kongresi që të reagojë pas tragjedisë në Arizona.

Sulmi i fundjavës së shkuar ka shërbyer si kujtesë për ligjvënësit lidhur me rreziqet që i kanosen kur paraqiten në publik.

“Mendoj se kjo duhet të jetë si zile alarmi për anëtarët e Kongresit që e kanë trajtuar çështjen e sigurisë së tyre me lehtësi. Personalisht e di se sa herë kam takime me zgjedhësit, e ato janë shumë të rregullta, gjithmonë ka policë të pranishëm”
, tha kongresistja Debi Vaserman Shultz, demokrate nga Florida.

Sipas Zyrës Federale për Hetime, FBI, anëtarët e Kongresit amerikan gjatë dhjetë viteve të fundit kanë marrë rreth 236 kërcënime me vdekje.

Policia e Kongresit e angazhuar me sigurinë e ligjvënësve amerikanë pas sulmit në Arizona, ka marrë shumë telefonata nga kongresistët e shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të familjeve.

Këshillat e FBI-së dhe Policisë duket se kanë ardhur vonë për kongresisten Gifords, e cila gjendet në spital duke luftuar për jetën. (i.b)
XS
SM
MD
LG