Ndërlidhjet

Sonmez sot del para gjykatës



Doktori turk i implikuar në hetimin për trafikim organesh në Kosovë, Jusuf Erxhin Sonmez, sot pritet të paraqitet para gjykatës në Stamboll.

AFP transmeton gazetën turke "Vatan" të ketë thënë se ai u arrestua gjatë bastisjes në një vilë në pjesën aziatike të qytetit.

Vendndodhja e tij ishte përcaktuar në fillim të janarit, pasi Sonmez ishte kthyer në Turqi.

Sonmez, i emërtuar me nofkën "Frankeshtajni turk", u arrestua mbi bazën e një fletëarresti të Interpolit, mbi dyshimet për transplantim ilegal të organeve në Kosovë dhe Azerbejxhan, shkruan gazeta "Milijet".

"Klienti im po merret në pyetje rreth akuzave në Kosovë", e transmeton gazeta "Sabah" avokatin e tij, Husein Sevim.

Gjatë seancës konfirmuese për rastin “Medicus” në Prishtinë, prokurori i EULEX-it, Xhonatan Ratel, e pat përshkruar Sonmezin si “pjesëmarrës kyç në operacionet” e kryera në këtë klinikë private.

Përveç mjekut turk, shtatë shtetas të Kosovës dhe një shtetas i Izraelit gjithashtu janë të akuzuar për trafikim të organeve në Kosovë.

Aktakuza thekson se ata kanë rekrutuar persona të varfër nga Evropa Lindore dhe Azia Qendrore. Atyre u ishin premtuar rreth 15 mijë euro për organet e tyre, ndërsa pranuesi do të duhej të paguajë deri në 100 mijlë euro për një organ të transplantuar.

Sonmez është arrestuar disa herë në Turqi për transplantim ilegal të veshkave, por në vitin 2005 shpëtoi nga burgu, kur dënimi me një vjet burg iu suspendua mbi bazën e një ligji të ri, i cili hyri në fuqi atë vit, shkruan gazeta "Milijet".

Në vitin 2008, ai ishte dënuar me tetë vjet burg tjera në mungesë, shkruan "Milijet".
XS
SM
MD
LG