Ndërlidhjet

WSJ:SHBA-ja humbet terren për lirinë ekonomike


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Wall Street Journal

Trazira në Greqi dhe Francë! Fondi Monetar Ndërkombëtar shpëton Irlandën! Euroja ndodhet nën kërcënim! Qeveri e re në Londër! Lëvizje konservatore “Tea Party” në Amerikë! A është ky fundi i kapitalizmit? Shumica e parashikonin këtë vetëm një vit më parë.

Indeksi i lirisë ekonomike për vitin 2011, i publikuar nga Fondacioni “Heritage” dhe Wall Street Journal, tregon histori tjetër.

Indeksi i regjistron përkushtimet e vendeve për sipërmarrjen e lirë apo sistemin kapitalist, duke matur 10 kategori të lirive ekonomike: qetësinë fiskale dhe hapjen ndaj tregtisë dhe investimeve, madhësinë e qeverisë, rregullatorët e bizneseve dhe të punës, të drejtat e pronës, korrupsionin, stabilitetin monetar dhe konkurrencën financiare.

A është ky lajm i mirë? Njëqind e shtatëmbëdhjetë vende, kryesisht të zhvilluar dhe në zhvillim, i kanë përmirësuar treguesit e tyre, kështu që liria ekonomike mesatare në shkallë botërore është përmirësuar për afro një të tretën në shkallën e indeksit prej 0 deri 100.

Ekonomitë që iu përmbajtën parimeve të lirisë ekonomike, po rimëkëmben shumë më shpejt nga recesioni dhe kriza financiare dhe po rriten shumë më shpejt nga vendet, ku qeveritë u përpoqën të shpenzojnë për të dalë nga telashet.

Tregjet dhe zgjedhësit u treguan shumë më të zgjuar se teknokratët dhe burokratët, të cilët duket sikur janë të gatshëm ta adresojnë çdo sëmundje sociale me rregullatorë të rinj apo programe të shpenzimit.

Tregjet e kredive janë ngushtuar, ndërsa euroja ka qenë instrument i disiplinës fiskale vetëm për disa shtete të pasura të Evropës.

Prandaj, elektorati i dy qeverive që shpenzojnë më së shumti, i Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara, doli dhe tha “Mjaft”, duke shkaktuar rënien e qeverisë laburiste dhe marrjen e kontrollit të Dhomës Përfaqësuese nga Republikanët të fuqizuar nga lëvizja “Tea Party”.

Për këto dy vende, indeksi i lirisë ekonomike e konfirmon atë që votuesit e tyre e dinë, se ka nevojë urgjente për ndryshime të vërteta. Indeksit 2011 tregon se Shtetet e Bashkuara ranë në vendin e nëntë, ndërsa Britania në të 16-in.

Ata që druajnë se po e humbin vitalitetin ekonomik dhe lidershipin në Azi, kanë arsye për brengosje. Hong Kongu, Singapori, Australia dhe Zelanda e Re dominojnë listën e lirisë ekonomike. Shkalla mesatare e rritjes ekonomike në këto vende në vitin 2010 ka qenë 6.8 për qind.

Në frontin diplomatik, lidershipi ekonomik i Shteteve të Bashkuara po sfidohet seriozisht për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Nga ana tjetër, shumë vende, ekonomitë e të cilave dolën nga kufizimet e komunizmit, nuk po shfaqin dëshirë t’i rikthehen dominimit të qeverisë si më parë.

Indeksi 2011 tregon se liria ekonomike në botë është përsëri në rritje. Ky është lajm veçanërisht i mirë për të varfrit. Vendet që fituan lirinë ekonomike kanë bërë punë shumë më të mira në dekadën e fundit për eliminimin e varfërisë.

Politikanët në mbarë botën janë duke e kuptuar porosinë, përndryshe do të zëvendësohen. Rruga e dëshmuar drejt prosperitetit është rruga e lirisë.

Individët duan kontroll mbi jetët e tyre. Ata duan qeveri që të përshpejtojë, e jo perandorë që të komandojnë.(v.p.)
XS
SM
MD
LG