Ndërlidhjet

logo-print
Në veriun e Mitrovicës thonë se ligji i Kosovës nuk do të zbatohet, ndërsa me tabelat e reja do të udhëtojnë edhe në pjesën jugore të Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës paralajmëron gjoba për ata që nuk respektojnë urdhrin.


Serbëve në veriun e Kosovës nuk u bën përshtypje urdhri i ministrit në dorëheqje të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, që të konfiskohen tabelat e Serbisë.

Beogradi ka lëshuar në qarkullim tabela me kodin ndërkombëtar të Serbisë (SRB) edhe për shtatë rajonet e Kosovës.

Rexhepi thekson se shteti i Kosovës nuk do të tolerojë që me këto targa të shkelet sovraniteti i vendit. Por, qytetarët serbë thonë se do të vazhdojnë të pajisen me tabelat e reja serbe.

“E kam veturën e regjistruar. Tabelat i kam marrë në Kralevë. Ne jemi këtu në Serbi, nuk jemi te Bajram Rexhepi. Në Mitrovicë nuk do të kemi probleme me tabela të reja”,
thotë Aleksandër Jeremiq nga Mitrovica.

Në bazë të një vendimi të UNMIK-ut që daton nga viti 2003, serbët kanë mundur të udhëtojnë me tabelat e vjetra të lëshuara që para vitit 1999 dhe që nuk bartnin mbishkrimin KS, por inicialet e qyteteve prej nga vijnë, si PR për Prishtinën, KM për Mitrovicën e kështu me radhë.

Ndërkaq, urdhri për konfiskimin e tabelave që bartin këto iniciale, sipas këshilltarit në MPB, Fisnik Rexhepi, ka të bëjë me tabelat e reja që Serbia i ka lëshuar së fundi.
...Bajram Rexhepi ka urdhëruar PK-në që t’i ndalojë të gjitha mjetet motorike që bartin tabelat e reja të Republikës së Serbisë me iniciale të qyteteve të Republikës së Kosovës.

“Pasi që kemi vërejtur se autoritetet në Serbi kanë filluar lëshimin e targave për qytetarët e Republikës së Serbisë, kemi parë se kanë vazhduar me taktikën e njëjtë që këto targa të lëshohen edhe për qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me iniciale të qyteteve të Republikës së Kosovës, ministri Bajram Rexhepi ka urdhëruar Policinë e Kosovës që t’i ndalojë të gjitha mjetet motorike që bartin tabelat e reja të Republikës së Serbisë me iniciale të qyteteve të Republikës së Kosovës”,
thotë për Radion Evropa e Lirë, Fisnik Rexhepi.

Vendimin e tillë, sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, e sheh si të dëmshëm për proceset, siç janë bisedimet e ardhshme mes Kosovës e Serbisë.
Ky vendim i Bajram Rexhepit është për keqardhje...


“Ky vendim i Bajram Rexhepit është për keqardhje, sepse ai është ministër që nuk do të duhej të merrte vendime të tilla në kohën kur ka mandat teknik, pasi që nuk dihet se si do të jetë përbërja e ardhshme e qeverisë. Ai duhet t’i tërheqë vendimet e njëanshme, që mund të përkeqësojnë situatën”
, thotë Ivanoviq duke sqaruar:

“Kjo për shkak se priten bisedimet dhe këtu bëhet fjalë për javë, se kur do të fillojnë ato. Ai nuk ka të drejtë të marrë vendim të tillë, sepse qeveria e Serbisë para një viti, me një vendim të saj, ka ndërruar tabelat në tërë Serbinë, përfshirë edhe Kosovën, pra në tërë Serbinë, pa ndonjë tendencë”.


Policia e Kosovës është urdhëruar që t’i konfiskojë tabelat në tërë territorin e Kosovës, pra edhe në veriun e vendit, ku Prishtina zyrtare nuk e shtrin pushtetin. Fisnik Rexhepi shpjegon:

“Ne kemi kërkuar nga policia që kudo që i hasin (tabelat), ato konfiskohen nga ana e policisë, pa marrë parasysh se ku i hasin ato”.


Rexhepi sqaron se edhe ngasësve me tabela të tilla do t’iu shqiptohen gjoba për kundërvajtje.

Taksisti serb nga Mitrovica, Nikola Pavloviq, nuk mendon se policia do t’i bindet urdhrit. Ai, madje, thotë se nuk do të ketë probleme me tabelat e reja as përtej lumit Ibër në jug.
Këtu ligji i Republikës së Kosovës nuk ekziston, nuk vlen dhe nuk e di pse po çohet pluhur për këtë?!


“Në Mitrovicë është tërësisht normale ta regjistrosh veturën me tabela të reja. Këtu ligji i Republikës së Kosovës nuk ekziston, nuk vlen dhe nuk e di pse po çohet pluhur për këtë?! Kam shkuar gjithkund, në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë dhe askund nuk kam pasur probleme”
, shprehet Pavloviq.

Ndryshe, që nga viti i kaluar, qytetarët kosovarë janë të detyruar që t’i ndërrojnë tabelat e regjistrimit, meqë në vend të KS, tashmë është mbishkrimi RKS.

Nëse nuk bëhet kjo, pasojnë gjobat. Por, gjoba për qytetarët serbë që kanë ende tabela nga viti 1999, nuk shqiptohen. Kjo pranohet nga Fisnik Rexhepi.

Nuk janë penalizuar për shkak të një vendimi, që e ka marrë UNMIK-u në vitin 2003 dhe ky është vazhduar me automatizëm deri në nxjerrjen e një vendimi tjetër dhe këtë vendim do ta nxjerrë qeveria e re”.

“Qeveria e re që do të konstituohet pas zgjedhjeve parlamentare, do të marrë një vendim ku do të afatizohen se deri në ç’kohë qytetarët e komunitetit serb, do të mund t’i përdorin këto targa, por viti 2011 do të jetë vit, kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës duhet t’i regjistrojnë automjetet në MPB dhe rrjedhimisht të bartin targat e RK-së”,
pohon Rexhepi.

Serbia nuk i njeh tabelat e Kosovës, siç nuk i njeh as dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës.

Në bisedimet eventuale mes Prishtinës e Beogradit është thënë se njohja e dokumenteve mund të jetë një nga pikat që do të trajtohet.
XS
SM
MD
LG