Ndërlidhjet

Mungesa e sundimit të ligjit në veri të Kosovës e pengon instalimin e pushtetit të institucioneve në këtë pjesë të vendit, vlerësojnë ish-zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe njohës të çështjeve të sigurisë. Sadri Ferati, ish-ministër i pushtetit lokal, thotë se aktualisht është e nevojshme që të krijohet mundësia për zbatimin e ligjit në veri të Kosovës dhe përgjegjës për këtë janë KFOR-i dhe EULEX-i. Por, Agim Musliu, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se mungon vullneti politik që institucionet e Kosovës ta shtrijnë pushtetin në veri të vendit.


Mungesa e sundimit të ligjit në veri të Kosovës është shkaktari kryesor i pamundësisë së zbatimit të strategjisë për këtë pjesë të vendit dhe, rrjedhimisht, edhe instalimit të pushtetit legal nga institucionet e Kosovës, vlerësojnë ish-zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe njohës të rrethanave të sigurisë.

Strategjia për veriun e Kosovës, e cila ishte shpërfaqur në janar të vitit të kaluar nga Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk ka arritur të ofrojë ndonjë rezultat përfundimtar.

Ndërkaq, pavarësisht organizimit të zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme nga institucionet e Kosovës edhe në veri të vendit, në komunat e banuara me shumicë serbe nuk është arritur të instalohet pushteti lokal.

Sadri Ferati, ish-ministër i Pushtetit Lokal, thotë se në veri të Kosovës është e vërejtshme mungesa e skajshme e sundimit të ligjit dhe për pasojë, qytetarët nuk mund të kenë liri të lëvizjes, të shprehjes së mendimit, të organizimit politik, si dhe liri për t’u sjellë konform interesave për një perspektivë dhe jetë më të mirë.
Vetë fakti se kanë munguar rezultate më të fuqishme në sundimin e ligjit, nuk ka qenë e pritshme që qytetarët do të dalin në zgjedhje.

“Po e ilustroj me një shembull. Është regjistruar një parti politike në Zveçan, pra, nga disa qytetarë të Zveçanit, të nacionalitetit serb. Është regjistruar në Prishtinë, me ligjet e Republikës së Kosovës. Të njëjtën natë, atyre u janë vënë bombat dhe kokteji molotov. Pastaj janë sulmuar edhe dy herë të tjera”.

“Do të thotë, ata njerëz janë ndier të rrezikuar edhe si liderë, si themelues të një subjekti politik, e lëre më, të mos flasim, si qytetarë. Pra, vetë fakti se kanë munguar rezultate më të fuqishme në sundimin e ligjit, nuk ka qenë e pritshme që qytetarët do të dalin në zgjedhje”,
thotë Ferati.

Ish-ministri Ferati shton se pa krijimin e një ambienti ku sundon ligji, është e vështirë që institucionet e Kosovës ta ushtrojnë ndikimin e tyre në veri të vendit.

“Respektimi i ligjit është diçka tjetër. Ajo është, pastaj, përgjegjësi e institucioneve administrative. Ndërsa, tash për tash po flasim për sundimin e ligjit, një ambient ku është e mundshme që të fillojë implementimi i ligjit, për të provuar pastaj se sa po e zbatojnë qytetarët ligjin”.

“Dihet se kush është përgjegjës atje, do të thotë, fillimisht edhe KFOR-i, për shkaqe të sigurisë, pastaj, është EULEX-i, Policia e Kosovës. Mirëpo, në përgjithësi, bashkësia ndërkombëtare në tërësi, me presionin që duhet t’i bëhet edhe Beogradit, se ai do të humbë nëse vazhdon me këtë qasje jokonstruktive këtu në Kosovë”
, shton Ferati.

Por, Agim Musliu, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se mungesa e skajshme e sundimit të ligjit në veri të Kosovës është pasojë edhe e mungesës së guximit dhe vullnetit politik të institucioneve të Kosovës për ta ndryshuar gjendjen në këtë pjesë.

Musliu thekson se institucionet e Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së vendit, nuk është dashur dhe nuk duhet të fshihen pas, siç e quajti ai, vellos së KFOR-it dhe të EULEX-it.

“Prej atij momenti (shpalljes së pavarësisë), përgjegjës për siguri, do të thotë, partner i barabartë edhe me KFOR-in, edhe me EULEX-in, të cilin ne e kemi ftuar që ta mbikëqyrë procesin e ngritjes dhe shtetformimit të Kosovës, jemi ne, domethënë, organet apo Qeveria e Kosovës”.
Nuk mund ta fajësojmë më shumë dikë se veten.


“Nuk mund ta fajësojmë më shumë dikë se veten. Kur them joseriozitet, me këtë e nënkuptoj edhe vullnetin e paktë apo vullnetin e dobët që të veprohet në atë pjesë të Kosovës”,
shprehet Musliu.

Musliu gjithashtu thotë se institucionet e Kosovës duhet t’u qasen problemeve në veri të vendit, por në koordinim me faktorët ndërkombëtarë të sigurisë në vend.

“Aty janë të instaluara organet horizontale dhe vertikale të shtetit të Serbisë, të cilat duhet të largohen. Unë nuk po e them dhe nuk jam përkrahës i asaj politike që me dhunë, me luftë apo me një bllok-sulm duhet të përjashtohen të gjitha”.

“Duhet të përpilohet një plan i përpiktë, i cili do të funksionojë në përputhje me EULEX-in dhe KFOR-in, si partnerë të barabartë, dhe duhet të implementohet me precizitet kirurgjik. Por, kjo nuk mund të bëhet pa një vullnet të theksuar politik”,
thekson Musliu.

Sidoqoftë, ish-ministri Ferati thotë se nuk ka pasur mungesë të vullnetit nga ana e KFOR-it dhe EULEX-it për koordinim, por çështjet kanë ngecur për shkak të ambientit, siç e ka quajtur ai, të vështirë.

Ferati, po ashtu, thekson se paralajmërimi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e ka ngadalësuar procesin, por, sipas tij, pas definimit të formatit të kontakteve, gjërat do të lëvizin më shpejt.

Lexoni edhe këto:
Maliqi: Veriu, përgjegjësi e EULEX-it
Veriu, jashtë agjendës së bisedimeve me Serbinë
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG