Ndërlidhjet

Freedom House: 2010-a, vit i mbrapshtë për lirinë



Kosova vazhdon ta ketë statusin “pjesërisht e lirë”, njësoj sikurse edhe Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Serbia dhe Mali i Zi kanë statusin e vendeve “të lira”.

Ka vetëm një rajon në botë ku gjendja e lirive dhe të drejtave të njeriut vazhdon të përkeqësohet për çdo vit që nga 2001; ky territor është hapësira e vendeve të dala nga ish-Bashkimi Sovjetik, me përjashtim të vendeve Baltike.

Ky është një nga vlerësimet e raportit të fundit të Freedom House, lidhur me gjendjen e lirive politike dhe të drejtave të njeriut në botë. Kjo rënie në vazhdimësi përfaqëson periudhën më të gjatë të përkeqësimit të situatës pandërprerë në 39 vitet, që kur publikohet ky raport.

Me rënien e Ukrainës nga vend i lirë në vend pjesërisht të lirë, nuk ka më vende që i takojnë kategorisë së shteteve të lira në zonën ish-sovjetike.

Arç Padington dhe Kristofer Uollker, dy autorët kryesorë të raportit, thonë se nuk ka një shpjegim të përgjithshëm për arsyet e përkeqësimit të situatës në hapësirën ish-sovjetike. Por, Padington rreshton një numër faktorësh të mundshëm.

“Ish-hapësira e Bashkimit Sovjetik, me përjashtim të vendeve Baltike, gjatë dekadës së fundit kanë shkuar nga një rënie në tjetrën. Rusia ka kryesuar në këtë drejtim, por duhet të theksojmë se në Azinë Qendrore kemi pasur një nga rajonet më represive në botë. Uzbekistani dhe Turkmenistani janë në fund të listës së hartuar nga ne, sa i përket treguesve të lirisë. Keq paraqiten dhe Taxhikistani e Azerbajxhani”
, sqaron Padington për Radion Evropa e Lirë.

Sipas raportit, dy janë zhvillimet madhore në kah negativ në këtë rajon, zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi që u pasuan nga dhuna dhe arrestimet masive të opozitës, si dhe rënia e shkallës së lirisë në Ukrainë.

“Për ironi, zgjedhja e presidentit Viktor Janukoviq vitin e kaluar në Ukrainë ishte rezultat i zhvillimeve demokratike të trashëguara nga Revolucioni i Portokalltë. Fushat ku ka pasur përmirësime nga 2004 në 2010 ishin pikërisht ato që u përkeqësuan vitin e kaluar. Këtu futen procesi zgjedhor, shkalla e hapjes së mediave dhe shoqëria civile”
, thotë Kristofer Uolker.

Nga ana tjetër, Rusia e Bjellorusia rreshtohen në mesin e regjimeve më të fuqishme autoritare në botë, bri Iranit, Kinës e Venezuelës. Rusia, vend i përcaktuar si jo i lirë është ajo që përcakton tendencat në rajon.

“Rastet e Sergei Magnistskit dhe Mihail Khodorkovskit në fund të vitit të kaluar janë shembulli më i mirë i korrupsionit të thellë, jo vetëm në sistemin juridik të Rusisë, por në shkallë më të gjerë. Në të dyja rastet kemi parë një mori interesash që janë shfaqur për të penguar në çdo mënyrë respektimin e ligjit”,
thekson Uollker.

Në total, sipas raportit të Freedom House, numri i vendeve të lira në vitin 2010 ra në 87 nga 89 që ishte një vit më parë. Numri i vendeve që janë demokraci zgjedhore ka rënë në 115, krahasuar me 123 që ishte në 2005.

Me pak fjalë, 2010 nuk ishte një vit i mbarë për lirinë.(i.b)
XS
SM
MD
LG