Ndërlidhjet

Zgjedhjet si zgjidhje


Foto nga fushata zgjedhore për zgjedhjet e 12dhjetorit në Kosovë.

Foto nga fushata zgjedhore për zgjedhjet e 12dhjetorit në Kosovë.

Të ndodhura mes pozicionit të PDK-së se zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin një mrekulli dhe pozicionit të LDK-së, që këto zgjedhje ishin të manipuluara, tri partitë tjera që siguruan përfaqësim në Parlament, bëjnë thirrje për maturi dhe hapa të koordinuar politikë. Organizimi i një procesi të ri zgjedhor pa reforma paraprake, sipas këtyre tri subjekteve politike, mund të çojë në përsëritjen e gabimeve të evidentuara të 12 dhjetorit.


Zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit kanë vënë në dilemë mandatin dhe legjitimitetin e institucioneve që do të dalin si rezultat i këtij procesi.

Aktualisht, dy partitë më të mëdha, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndajnë mendime të kundërta.

Përderisa PDK-ja angazhohet që institucionet e ardhshme të kenë mandat kushtetues katërvjeçar, në anën tjetër, duke e kontestuar rregullsinë e zgjedhjeve, LDK-ja po insiston në një proces të ri zgjedhor, që do të organizohej gjatë vjeshtës së këtij viti.

Në këtë mes, partitë tjera politike tërheqin vërejtjen se edhe mbajtja e zgjedhjeve tjera të jashtëzakonshme pa një proces të mirëfilltë reformash zgjedhore, mund të çojë në përsëritjen e parregullsive të evidentuara në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës angazhohet për hapa të koordinuar që do të merreshin pas konstituimit të Parlamentit, që del si rezultat i zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se ka disa procese, nëpër të cilat duhet të kalojë Kosova para se të nisë çfarëdo procedurash për një proces të ri, eventual, zgjedhor.

“Është shumë e rëndësishme që të ndodhë regjistrimi i popullsisë, të bëhet një reformë e thellë në Ligjin zgjedhor dhe pastaj, përmes një tryeze politike, përmes Parlamentit, të vendoset për hapat e mëtutjeshëm. Nuk guxojmë të ngutemi, të marrim veprime apo të bëjmë mohime, të cilat mund të kenë një impakt që do të rrezikonin të arriturat e deritashme në Kosovë”, thotë Tahiri.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje në radhë të parë potencon rëndësinë që ka ngritja, fillimisht, e institucioneve kredibile dhe pa ndikim politik të organeve zgjedhore.

Glauk Konjufca nga Vetëvendosja, thotë se nëse paraprakisht KQZ-ja dhe organet tjera zgjedhore nuk pavarësohen nga partitë politike, zgjedhjet do të manipuloheshin njësoj, pavarësisht nëse mbahen gjatë vjeshtës apo edhe më vonë.

“Nëse Kosova nuk arrin krijimin e këtyre institucioneve, të cilat do të ishin shtetërore e mbipartiake dhe ku as anëtarët e komisioneve nuk do të ishin partiakë, por as ata që e kryejnë punën teknike, e kam fjalën për komisionarët dhe vëzhguesit, por njerëz profesional që e njohin punën dhe janë punëtorë të shtetit dhe jo punëtorë të partive politike, vetëm atëherë mund të llogarisim që Kosova ndoshta do të mund ta garantonte një proces të zgjedhjeve të lira e demokratike”,
thekson Konjufca.

Në anën tjetër, Koalicioni për Kosovën e Re vlerëson se duhet të ndahen vlerësimet politike në raport me procesin zgjedhor nga vlerësimet që do t’i japin në fund këtij procesi organet zgjedhore.

Ibrahim Makolli nga ky Koalicion thotë se Kosova do të duhej të shkonte në zgjedhje të reja të parakohshme vetëm nëse KQZ-ja, Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, konstatojnë se parregullsitë janë aq të mëdha sa e kanë dëmtuar gjithë procesin.

“Nëse këto autoritete konstatojnë se parregullsitë kanë qenë të asaj natyre, të cilat nuk mundësojnë krijim të institucioneve të qëndrueshme dhe kredibile, atëherë natyrisht që nuk mbetet rrugë tjetër pos mbajtjes së zgjedhjeve tjera. Por, janë dy procese të ndara, kontestimi politik i zgjedhjeve, në njërën anë dhe, në anën tjetër, vendimet që vijnë nga autoritetet që merren me shqyrtimin e ankimimeve dhe të gjitha defekteve që kanë ndodhur në vendvotime”,
shprehet Makolli.

Sidoqoftë, zgjedhjet e 12 dhjetorit, PDK-ja, si partia e parë, i ka cilësuar si një mrekulli duke u zotuar se do ta formojë qeverinë e re menjëherë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Kurse, partia pasuese, sipas rezultateve preliminare, LDK-ja, e ka cilësuar si një proces të manipuluar dhe të parregullt dhe që në start ka kontestuar legjitimitetin e qeverisë së ardhshme.

Ky debat, mbase pritet të vazhdojë edhe pas certifikimit të rezultatit dhe pas konstituimit të parlamentit të ri.

Lexoni edhe këtë:

Analistët: Pa qeveri deri në pranverë!?
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG