Ndërlidhjet

Kriza dhe ngecjet e Kosovës...


Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë
Obelisku i Pavarësisë në Prishtinë
Mungesa e një qeverie legjitime, sipas analistëve, po e dëmton Kosovën në rrafshin vendor dhe ndërkombëtar. Njohjet kanë ngecur, ndërsa nuk shihen përgatitje në përballjen me Serbinë. Por, analistët ngrenë shqetësimin për legjitimitetin edhe të qeverisë së re, për shkak të, siç thonë procesit, të dëmtuar zgjedhor.


Ende pa i mbushur tre vjet shtet, Kosova u përball me krizë politike, që çoi në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Tani, zvarritja e përmbylljes së procesit zgjedhor, për shkak të manipulimeve në zgjedhje, sipas analistëve kosovarë, po i ngec proceset shtetformuese.

Mungesa e njohjeve, mospërgatitja për bisedime, sipas Imer Mushkolajt, janë ndër shembujt se si po dëmtohet Kosova nga mungesa e një qeverie legjitime.

“Mungesa e një qeverie legjitime po e dëmton vendin në të gjitha aspektet. Kam parasysh këtu proceset si, njohja e subjektivitetit ndërkombëtar nga shtetet e ndryshme dhe, po ashtu, edhe përgatitja serioze për përballje me Beogradin. Këto janë dy çështje shumë të rëndësishme, në të cilat Kosova do të duhej të ishte e përfaqësuar në nivelin sa më të mirë”,
thotë Mushkolaj.

Por, nuk janë vetëm proceset ndërkombëtare. Analisti Halil Matoshi numëron një sërë sfidash, të cilat i ranë mbi supe Kosovës në vitin që sapo hyri.
Mungesa e një qeverie legjitime po e dëmton vendin në të gjitha aspektet.

“Në rend të parë do të ketë pasoja për shkak të mosmiratimit të buxhetit, pastaj kemi parasysh disa vendime shumë kontraverse që janë marrë nga ana e kryeministrit të shkarkuar, Hashim Thaçi, për ngritje pagash, në Kuvendin e Kosovës, nëse ai (buxheti) fare do të arrijë që të krijohet, për shkak se procesi i 12 dhjetorit dhe 9 janarit ka degraduar. Prandaj, Kosova po hyn në këtë vit me probleme shumë të mëdha dhe pa pushtet legjitim”, v
lerëson Matoshi.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe rivotimet e 9 janarit, sipas shumë vëzhguesve, nuk arritën standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike. Shqetësimi i analistëve është se çfarë institucione do të dalin nga një proces i dëmtuar zgjedhor. Imer Mushkolaj shpjegon:

“Në një proces të dëmtuar zgjedhor, një proces pa integritetin e duhur, një proces të manipuluar, fatkeqësisht, presim institucione të tilla. Do të kemi një Kuvend, shumica e deputetëve të të cilit do të jenë të zgjedhur nga komisionarët e partive politike dhe jo nga vullneti i qytetarëve”.

Halil Matoshi propozon një tryezë të përbashkët të klasës politike, nga e cila do të krijohej një mekanizëm për menaxhimin e procesit të bisedimeve me Beogradin, bisedime këto që zyrtarët evropianë i kanë paralajmëruar në vjeshtën e vitit të kaluar.
Lidershipi apo klasa politike e Kosovës, duhet ta thërrasë një tryezë politike të të gjitha partive të spektrit politik...


“Lidershipi apo klasa politike e Kosovës, duhet ta thërrasë një tryezë politike të të gjitha partive të spektrit politik, parlamentare dhe jashtëparlamentare dhe ta krijojë një mekanizëm, apo edhe një qeveri gjithëpërfshirëse, një qeveri që do ta menaxhonte procesin e bisedimeve dhe, gjithsesi, kjo qeveri kujdestare do të duhej ta përgatisë Kosovën për zgjedhjet e jashtëzakonshme të lira diku në vjeshtën që vjen”,
propozon Matoshi.

Sikur të mos mjaftonte kriza, në fund të vitit të kaluar, raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti doli me një raport, në të cilin akuzon kryeministrin në dorëheqje, Hashim Thaçi, se është i përfshirë në trafikim me drogë dhe organe njerëzore.

Analistët vlerësojnë se raporti dëmtoi imazhin e Kosovës. Por, më së shumti këtë imazh, sipas Halil Matoshit, e dëmtoi procesi jo i rregullt zgjedhor.

“Ky dëm është shumë më i madh sesa raportet e Dik Martit, apo të organizatave të ndryshme, sepse imazhi i mirë i Kosovës në botë ndërtohet pikërisht këtu, në shoqërinë kosovare”,
thekson Matoshi.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit ishin zgjedhjet e para parlamentare të mbajtura në Kosovën e pavarur. Megjithatë, si në zgjedhjet e para lokale në vitin 2009, ashtu edhe në këto, pati parregullsi të shumta që çuan në anulime të pjesshme të zgjedhjeve dhe rivotime, duke zgjatur ciklin zgjedhor me muaj të tërë.

Lexoni edhe këto:

Analistët: Krizë institucionale…(?)
Institucionet e reja, prioritet i 2011-ës
XS
SM
MD
LG