Ndërlidhjet

Hetimet për korrupsionin në Ballkan shpesh avullojnë


Foto ilustruese
Foto ilustruese
"Reuters"

Një valë hetimesh mbi korrupsionin në Ballkan mund të lërë përshtypjen se autoritetet më në fund janë duke u marrë me këtë sëmundje në rajon, por nga përvoja mund të thuhet se shumë raste do të përmbyten në mungesë të dënimeve.

Korrupsioni në Ballkan ka lulëzuar që nga luftërat e viteve ’90 në Jugosllavi dhe rënia e komunizmit. Ai vazhdon të torturojë rajonin dhe të ngadalësojë progresin drejt anëtarësimit eventual në Bashkimin Evropian.

“Shkalla e dënimit është e ulët, gjithmonë e ulët”, thotë Petrus van Duyne, profesor i specializuar në studimet e korrupsionit në Universitetin Tilburg të Holandës.

Në rastin e fundit, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, ka hequr dorë nga imuniteti i tij i ndjekjes penale, për të lejuar një hetim të akuzave për korrupsion, të nxitura nga një bisedë e filmuar nga një ish-ministër i partisë së tij.

Kryeministri i Shqipërisë, i cili ka nevojë për partinë e Metës për të vazhduar koalicionin qeverisës, ka qëndruar pas zëvendësit të tij dhe e ka quajtur videon dëshmi amatoreske.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit, “për shkak të mbizotërimit të nepotizmit dhe një shkalle të ulët të pavarësisë së gjykatave, ti duhet të jesh një gjykatës shumë i guximshëm për të dënuar një person të rëndësishëm”, thotë van Duyne.

Që të dënohet një zyrtar, “ti duhet të jesh budalla ose duhet të kesh humbur aleatët tuaj politikë - atëherë ke një shans më të madh për të marrë dënimin”.

Dy raste shqiptare të profilit të lartë kanë përfunduar pa dënime dhe të dy burrat mbeten ministra të qeverisë.

Zyrtarët tjerë ballkanikë janë në zjarr. Të gjitha vendet ish-komuniste synojnë t’i bashkohen BE-së, e cila ka bërë thirrje për dhënien fund të kulturës së mosndëshkimit në Ballkan.

Një raport shpërthyes i Këshillit të Evropës në muajin e kaluar pretendon se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, udhëheqës i luftës së Kosovës për pavarësi nga Serbia, ka kryesuar një rrjet të krimit të organizuar të stilit mafioz.

Prokurorët italianë në të kaluarën kanë kërkuar arrestimin e Millo Gjukanoviqit – politikanit mbizotërues në Mal të Zi përgjatë dy dekadave të fundit – nën akuzat për kontrabandë duhani dhe pastrim parash.


Presioni i BE-së

Presioni i BE-së mbi korrupsionin në fund mund të detyrojë anëtarët e ardhshëm të marrin një qëndrim më vendimtar. Për shembull, Kroacia, e cila shpreson t’i bashkohet familjes evropiane më 2013-ën, ka dënuar ish-zëvendëskryeministrin dhe ministrin e mbrojtjes.

Ish-kryeministri kroat, Ivo Sanader, është arrestuar muajin e kaluar në Austri, në bazë të një fletarrestimi kroat mbi hetimet për korrupsionin. Sanader ka hedhur poshtë akuzat.

Vitin e kaluar, në Kosovë, guvernatori i Bankës Qendrore është arrestuar nën akuzat për korrupsion.

Gjukanoviq është tërhequr nga pozita që kishte muajin e kaluar, duke ia lënë vendin ministrit të financave, Igor Llukshiqit, për ta udhëhequr Malin e Zi drejt anëtarësimit në BE.

“Beteja kundër korrupsionit ka qenë për vite vetëm një synim i proklamuar formalisht”, thotë Nikolla Kristiq, udhëheqës i Transparency International në Kroaci.

Ai citohet të ketë thënë se “në 2010-ën dhe në këtë vit, ky synim është shndërruar në një prioritet të pashmangshëm nën trysninë e negociatave me BE-në”.

Muajin e kaluar, liderët e BE-së i kanë dhënë Malit të Zi statusin e kandidatit, por kanë vonuar fillimin e bisedimeve, duke përmendur korrupsionin si një nga çështjet. Vendet tjera gjithashtu përballen me kritere të ngjashme të BE-së.

Kjo çështje gjithashtu pengon shumë investimet aq të nevojshme nga jashtë, në një rajon i cili është goditur rëndë nga kriza financiare në botë.

“Nuk do të ketë hyrje të mëdha të investimeve të huaja derisa shteti të mos e zgjidhë problemin e korrupsionit”, thotë Danillo Shukoviq, anëtar i Këshillit Anti-Korrupsion në Serbi.

Profesori van Duyne ka studiuar korrupsionin në Serbi, duke ndjekur rastet që fillimisht janë shpallur si korruptive, dhe ai vazhdon të jetë skeptik mbi përparimin e mundshëm.

“Për arsye politike, BE-ja mund të konkludojë në të ardhmen se Serbia, Kroacia dhe të tjerët kanë bërë hapa të mëdhenj përpara. Unë do të thosha se shumica e vendeve ballkanike nuk janë madje as në horizont për anëtarësim, për sa i përket luftës kundër korrupsionit”, thotë profesori van Duyne.

"Edhe nëse funksionarët nuk janë të korruptuar, shumë nga ata që duhet ta luftojnë korrupsionin, nuk bëjnë gjë derisa të mos u thuhet të bëjnë. Nuk ka iniciativë, ka pak shpresë për të ecur përpara”, citohet të ketë thënë profesori van Duyne. (v.t.)
XS
SM
MD
LG