Ndërlidhjet

logo-print

Situata politike (s’)ndikon në bashkëpunimin rajonal


Republika e Kosovës

Republika e Kosovës

Njohës të çështjeve ekonomike në Kosovë vlerësojnë se situata e krijuar pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit ka ulur bashkëpunimin ekonomik të Kosovës me vendet e rajonit, përderisa zyrtarë të qeverisë në dorëheqje mohojnë një gjë të tillë.


Situata e krijuar politike pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, raporti i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, dhe bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, kanë ulur edhe më tej bashkëpunimin ekonomik të Kosovës me vendet e rajonit, thonë ekspertët për çështje ekonomike.

Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se të gjitha këto ngjarje kanë zbehur imazhin ekonomik të Kosovës karshi vendeve evropiane. Sipas Gërxhaliut, për këtë arsye bizneset kosovare po hasin në vështirësi për të depërtuar me produktet e tyre në tregjet rajonale.
...për hir të opinionit që është krijuar muajve të fundit rreth atyre dukurive, bashkëpunimi ekonomik pothuajse nuk ekziston fare.


“Vërtet se janë sfida që shumë vështirë mund të menaxhohen. Dhe, në këtë drejtim, për hir të opinionit që është krijuar muajve të fundit rreth atyre dukurive, bashkëpunimi ekonomik pothuajse nuk ekziston fare. E tërë kjo është diçka që na shqetëson si individë, po me siguri e dëshmon edhe zymtësinë e zhvillimeve ekonomike në të ardhmen e afërt”,
thotë Gërxhaliu.

Por, zyrtarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thonë se situata e krijuar pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, nuk e ka penguar bashkëpunimin ekonomik me vendet e rajonit.

Igballe Rexha - Jashari, nga kjo ministri, thotë se këmbimet tregtare me vendet e rajonit janë duke vazhduar në ritëm të njëjtë.

“Nuk është reflektuar në punët që i kemi në përditshmëri dhe në vazhdimësinë e punëve, të cilat i kemi në Departamentin e Tregtisë. Ato takime që kanë qenë të parapara janë duke u mbajtur, ndërsa zhvillimet tjera në këtë drejtim kanë përfunduar”
, thekson Rexha - Jashari.

Edhe përfaqësues të Doganave të Kosovës, thonë se raportet ekonomike me vendet fqinje vazhdojnë të mbesin të mira.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në doganat e Kosovës, pohon se vendet e rajonit vazhdojnë që produktet e tyre t’i sjellin në Kosovë.
Nuk ka pasur ndonjë situatë të pazakontë, të gjitha këmbimet vazhdojnë normalisht.


“Nuk ka pasur ndonjë situatë të pazakontë, të gjitha këmbimet vazhdojnë normalisht. Për momentin vërehet një fluks pak a shumë në rënie, por si gjithmonë janari është muaji kur nuk bëhen importe shumë të mëdha, për shkak se pjesa më e madhe e importeve bëhen në dhjetor në prag të fundvitit, për shkak të festave”,
thotë Stavileci.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Kosova ka marrëdhënie të mira ekonomike me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoni dhe Kroacinë, ndërsa gjendja mbetet e njëjtë me Serbinë dhe Bosnjë Hercegovinën, pasi këto dy vende që nga viti 2008 bllokojnë prodhimet kosovare.

Ndërsa, produktet serbe vazhdojnë të jenë të pranishme në masë të madhe në tregun kosovar. Madje, në etiketën e tyre vendi i importit shkruhet si UNMIK/Kosovo, që bie në kundërshtim me realitetin e krijuar pas 17 shkurtit të vitit 2008.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG