Ndërlidhjet

Lëmshi zgjedhor


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka marrë një raport paraprak nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, lidhur me rinumërimin e 40 për qind të votave të zgjedhjeve të 12 dhjetorit, proces ky i cili kishte përfunduar më 4 janar të këtij viti.

Por, anëtarët e KQZ-së, janë shprehur të pakënaqur me punën e bërë nga Qendra e Numërimit.

Ilir Fetahu, anëtar i KQZ-së, nga Lidhja Demokratike e Dardanisë, ka shpjeguar se QNR-së i është kërkuar një raport më i detajuar lidhur me rinumërimin e votave.
Nuk jemi të kënaqur me raportin, sepse është provizor.

Nuk jemi të kënaqur me raportin, sepse është provizor. Por, zyrtarë të QNR-së thanë se do ta sjellin një raport të detajuar. Atyre iu duhet edhe pak kohë, siç duket, për të përpiluar një raport të tillë”.

“E kemi pasur edhe një vendim sot që të rinumërohen edhe 9 kuti... Kanë përfunduar së rinumëruar dje dhe sot do të futen në data-bazë. Mirëpo edhe 9 të tjera pritet të numërohen sot, sepse disa vota janë dhënë për kandidatët, e jo për subjektin, do të thotë se duhet të hetohen edhe një herë”,
ka bërë të ditur Fetahu.

KQZ-ja për më shumë se një javë është duke pritur raportin përfundimtar nga QNR-ja, për rinumërimin e 760 vendvotimeve, por Xhemajl Peqani, kryeshef i sekretariatit të KQZ-së, ka thënë se ky raport pritet të merret pas numërimit të votave të rivotimit në Mitrovicë, të cilat do të zhvillohen më 23 janar.

“Ne kemi thënë edhe më herët se raporti është për KQZ-në dhe në momentin që do të kryhet edhe procesi i rinumërimit më 23 janar, do të jetë gati raporti përfundimtar nga QNR-ja, duke filluar edhe për rinumërimin, edhe për të gjitha votat e tjera që kanë qenë më 12 dhjetor”,
është shprehur Peqani.

Sipas anëtarit tjetër të KQZ-së, Fadil Maloku, nga radhët e Aleancës Kosova e Re, jo vetëm rezultatet e rinumërimit të votave janë të vonuara, por, sipas tij, i gjithë procesi është i vonuar.

Këto arsyetimet e rivotimit dhe rinumërimit, po edhe aspektet e tjera teknike kanë bërë që de fakto dhe de jure, ne jemi me vonesë, edhe kjo është një punë që po ju them se jemi të vonuar në kuptimin e rezultateve të përgjithshme. Pra, vonesa duhet t’u adresohet shumë faktorëve”, ka theksuar Maloku.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë miratuar vendimin e PZAP-së për rinumërimin e 8 vendvotimeve për 3 komuna të rivotimeve të 9 janarit.

Ndryshe, vëzhguesit kanë pohuar se i gjithë procesi zgjedhor në Kosovë ka hyrë në një rrugë, së cilës nuk po i shihet fundi. Proceset e numërimit, rinumërimit dhe auditimit të votave të rinumëruara, po zhvillohen paralelisht mbi njëra-tjetrën, ndërkohë që mekanizmat zgjedhorë marrin vendime për rivotim.

Në këtë proces tashmë është përfshirë edhe Gjykata Supreme, me vendimin e së cilës Mitrovica hyn në rivotim të tërësishëm të dielën e 23 janarit.

Mazllum Baraliu, njohës i proceseve zgjedhore dhe ish-kryeshef i sekretariatit të KQZ-së, ka theksuar se stërzgjatja e procesit zgjedhor është imponuar nga parregullsitë. Ai, madje, ka thënë se edhe ndikimi politik mund të jetë një prej faktorëve që po ndikon në punën e KQZ-së.
Po, ndikimet politike pretendojnë të jenë serioze...


“Po, ndikimet politike pretendojnë të jenë serioze, prandaj do të ishte mirë që në kodifikimin e kësaj materie, pra, në përgatitjen e një kodi zgjedhor në Kosovë, do të duhej të mendohej mirë për strukturën dhe mënyrën e delegimit të vetë KQZ-së dhe të përfaqësuesve të partive politike: A do të duhej që këta njerëz të jenë ekskluzivisht përfaqësues nga partitë politike, apo duhet të jenë profesionistë?!”,
ka vlerësuar Baraliu.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka shpallur rezultatet preliminare të partive politike që morën pjesë në garën zgjedhore, por zhvillimet e fundit rreth rinumërimit të votave dhe rivotimi që do të mbahet në Mitrovicë, pritet që sërish të ndryshojnë përqindjen e votave që kanë fituar këto parti.
XS
SM
MD
LG