Ndërlidhjet

Qeverisje me barrë kredibiliteti


Prishtinë...
Prishtinë...
Analistët e zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se procesi i zgjedhjeve të 12 dhjetorit do të bartë mbi vete barrën e kredibilitetit pas parregullsive të evidentuara. Por, ata mendojnë po ashtu se me gjithë dilemat, Kosovës i duhen institucionet e reja.


Analistët politikë në Prishtinë ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me kredibilitetin e institucioneve që dalin si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit.

Sipas tyre, procesi dukshëm është lënduar me parregullsitë e evidentuara, por njëherësh vlerësojnë se Kosova ka nevojë për institucione.

Analisti Krenar Gashi nga instituti KIPRED, thotë se procesi është dëmtuar rëndë si më 12 dhjetor, ashtu edhe me rivotimet e 9 janarit. Por, ai vlerëson, po ashtu, se Kosova ka nevojë që t’i ketë institucionet e zgjedhura, pavarësisht se dilemat rreth legjitimitetit të tyre do të mbeten gjatë gjithë mandatit të këtyre institucioneve.
Nuk mund të thuhet se procesi nuk është dëmtuar, por, në anën tjetër, nuk mund të thuhet se Kosova nuk ka nevojë për institucione...

Nuk mund të thuhet se procesi nuk është dëmtuar, por, në anën tjetër, nuk mund të thuhet se Kosova nuk ka nevojë për institucione dhe nuk mund të thuhet se mund të shkohet në një proces tjetër zgjedhor, të paktën jo me këtë sistem dhe me këtë ligj zgjedhor. Andaj, u mbetet partive politike, që në kuadër të negociatave të ardhshme post-zgjedhore, të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë”, thotë Gashi.

Një mendim ndryshe nga Krenar Gashi shpreh analisti tjetër politik, Driton Lajçi. Ai thotë se në Kosovë duhet të krijohet një kulturë politike e institucionale dhe se interpretimin rreth rregullsisë apo parregullsisë së një procesi, duhet besuar organeve përgjegjëse, si KQZ-ja, PZAP-i dhe Gjykata Supreme.

Lajçi thotë se me përsëritjen e votimeve dhe me rinumërimin e votave është bërë korrigjimi i shumë ankesave të partive politike që kishin ndaj këtij procesi.

“Kandidatët janë ankuar dhe tani kemi këtë situatë, janë përsëritur votimet, janë rinumëruar votimet dhe konsideroj se ata i kanë shqyrtuar të gjitha ankesat. Mendoj se këtu ka pasur edhe frymë të respektimit të ligjit dhe drejtësisë. Konsideroj se me këto vendime janë korrektuar edhe gabimet”, vlerëson Lajçi.

Marrë parasysh se parregullsitë nuk e kanë dëmtuar procesin në tërësi dhe se ato, sipas Driton Lajçit, janë korrigjuar përmes rivotimeve dhe rinumërimit të votave, edhe institucionet e ardhshme do të jenë legjitime dhe kredibile.
Institucionet do të jenë legjitime, kredibile dhe valide, sepse nuk kemi ndonjë arsye, ndonjë fakt, burim tjetër që na thotë ndryshe.

“Institucionet do të jenë legjitime, kredibile dhe valide, sepse nuk kemi ndonjë arsye, ndonjë fakt, burim tjetër që na thotë ndryshe. Bëhet fjalë për katër pesë raste, që do të thotë se janë pakicë. Kjo do të thotë se shumica e zgjedhjeve, në përqindje, ka qenë kredibile, të pranueshme nga të gjitha partitë politike dhe nuk ka pasur ankesa”,
shprehet Lajçi.

Ndërkohë, analisti Krenar Gashi thotë se procesi nuk mund të prodhojë institucione krejt të shëndosha me parregullsitë e evidentuara.

Ndonëse konsideron se çdo proces i ri dhe i shpejtë zgjedhor pa reforma rrënjësore në ligjin për zgjedhjet, vetëm se do të ishte përsëritje e procesit të 12 dhjetorit, Gashi nuk beson se qeveria e ardhshme me këtë barrë kredibiliteti do të mund të qeverisë për mandatin katërvjeçar.

“Çfarëdo qoftë koalicioni i ardhshëm qeverisës dhe çfarëdo qoftë kompozicioni i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, këto institucione nuk do të mund ta kryejnë mandatin e tyre katërvjeçar që ua garanton Kushtetuta, për faktin se asnjëherë nuk do të mund të hiqen dilemat e shumë qytetarëve dhe mbase disa grupeve politike, se përfaqësuesit e popullit nuk janë aty me votën e popullit”,
thekson Gashi.

Edhe subjektet politike kanë ndarë mendime të ndryshme rreth zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Për Partinë Demokratike të Kosovës dhe liderin e saj Hashim Thaçi, më 12 dhjetor në Kosovë kishte ndodhur mrekullia, përderisa lideri i partisë pasuese LDK-së, Isa Mustafa, pati vlerësuar se më 12 dhjetor ishte vjedhur dhe manipuluar vota e qytetarit të Kosovës.

Lexoni edhe këto:

Zgjedhjet si zgjidhje
Koalicion qeverisës apo zgjedhje të reja?
XS
SM
MD
LG