Ndërlidhjet

logo-print
Institucionet shtetërore të Maqedonisë nuk demonstrojnë kapacitet të mjaftueshëm sa i përket sundimit të së drejtës, thekson Ixhet Memeti, Avokat i Popullit në Maqedoni, duke komentuar raportin e fundit të Freedom House.

Sipas këtij raporti, Maqedonia radhitet në grupin e 60 shteteve në botë, që vlerësohen si shtete pjesërisht të lira.

Si faktor kyç që kërcënon liritë dhe të drejtat e qytetarëve, Memeti apostrofon mosinformimin e duhur. Sipas tij, qytetarët nuk janë të njoftuar as me instrumentet dhe mekanizmat që mund t`i ndihmojnë ata në rastet kur kërcënohet e drejta e tyre.

“Në Republikën e Maqedonisë ka ende shumë nevojë dhe patjetër duhet të krijohet hapësirë edhe më e madhe që qytetarët, që më për së afërmi të informohen për të drejtat dhe liritë e tyre. Pra, nevojitet të ndërmerren aksione të promovimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, që ata të mund t`i realizojnë të drejtat e tyre”
, thotë Memeti.

Maqedonia është vlerësuar me notën tre (3), sa i përket të drejtave politike dhe lirive të qytetarëve, në shkallën prej një deri në shtatë, ku njëshi paraqet zhvillimin më të lartë demokratik, ndërsa shtata më të ulët.

Sipas aktivistes për të drejtat e njeriut, Irene Cvetkoviq, është e turpshme që Maqedonia aq gjatë mbetet status-quo në drejtim të respektimit të të drejtave dhe lirive themelore.

"Një dekadë e më shumë, në aspektet e ndryshme të shoqërisë sonë, në vazhdimësi vlerësohet se procesi i demokratizimit të vendit pjesërisht shkon në drejtim të duhur, liritë dhe të drejtat e njeriut vlerësohen si pjesërisht të lira, institucionet pjesërisht jo të korruptuara, shëndetësia gjithashtu vlerësohet si pjesërisht profesionale... Kur analizohen këto për një dekadë ku Maqedonia gjendet në një status-quo, rezulton se jetojmë në një vend që është pjesërisht shtet”
, thekson Cvetkoviq.

Nga ana tjetër, Artan Sadiku, analist politik, vlerëson se është anemia tranzicionale si problem themelor, me ç’rast institucionet shtetërore nuk kanë sendërtuar në vete dhe konceptin e lirisë dhe të drejtave të qytetarëve, por, siç thekson ai, institucionet mbahen peng nga politika.

“Prandaj, besoj se ndryshimi i klasës politikë që paraqet një zgjatje të mendësisë tranzicionale, është ngushtë i lidhur me çlirimin e institucioneve, rrjedhimisht edhe me rikonceptualizimin e vetë shtetit si një organizatë që i mundëson shoqërisë progresin e saj të lirë”, vlerëson Sadiku.

Edhe Mirjana Najcevska thekson se politizimi i skajshëm i shoqërisë është faktor dominues që kërcënon të drejtat e qytetarëve.

“Ajo që shfaqet si më problematike është fakti se derisa Maqedonia, më saktë ata, të cilët e udhëheqin shtetin, nuk e kuptojnë se shoqëria civile, intelektualët e pavarur dhe hapja e debatit publik ndaj fenomeneve në shoqëri, sigurojnë parakushtet themelore për një demokraci të vërtetë, Maqedonia do të vendnumërojë dhe do të radhitet në grupin e shteteve që vlerësohen si shtete pjesërisht të lira”
, përfundon Mirjana Najcevska, eksperte për të drejtat e njeriut.
XS
SM
MD
LG