Ndërlidhjet

logo-print
Më 15 janar mbi 100 vende do të zhvillojnë aktivitete për të nderuar një projekt të natyrës globale - Wikipedia ose enciklopedia në internet, përdorimi i së cilës është falas, mbush 10 vjet.

Me kohën Wikipedia është kthyer në një burim informacioni për miliona njerëz në botë.

Përdoruesit e Wikipedisë nuk kanë kufizime gjeografike. Ata i gjen nga Kaukazi në Karaibe, nga Moska në Madagaskar, mjafton të keni vetëm qasje në internet.

Wikipedia ka informacione për thuajse gjithçka që ju intereson, madje jo rrallë edhe në gjuhën tuaj amtare. Kontinenti i vetëm ku nuk do të ketë aktivitete për të shënuar 10-vjetorin e Wikipedisë është Antarktida, banorëve të së cilës, pinguinëve, u janë kushtuar miliona informacione.

Wikipedia nisi si projekt në gjuhën angleze me qëllimin e krijimit të një enciklopedie në internet, në të cilën çdokush mund të kontribuojë. Në themel të projektit ishte shkëmbimi i përgjegjshëm i informacioneve.

Qasja revolucionarizuese ka pësuar ndryshime me kohën, përfshirë dhe shkallë të ndryshme qasjeje të përdoruesve, në mënyrë që të shmanget keqpërdorimi i faqes.

Për shumëkënd Wikipedia është monumenti përfaqësues i një bote të lidhur e ndërlidhur.

“Është e vështirë të imagjinosh se kanë kaluar dhjetë vjet që kur bëra publikimin e parë të Wikipedisë. Më kujtohet shumë mirë dita e parë. ‘Hello World’ ishte togfjalëshi i parë që shkrova. Shumë gjëra kanë ndodhur që atëherë. Sot kemi miliona informacione në qindra gjuhë të ndryshme. Këto ditë rreth 400 milionë njerëz në muaj vizitojnë faqen tonë në internet, çfarë është e jashtëzakonshme”,
tha në një video mesazh të postuar në internet Xhimi Uells, themeluesi i kompanisë.

Të dhënat më të fundit e llogarisin Wikipedinë si faqen e pestë më popullore në botë. Në këto kushte është normale të pyetet pse kjo faqe u kthye në ikonë?

Endrju Lih, autori i “The Wikipedia Revolution” e ka një përgjigje.

“Wikipedia ka mbushur një boshllëk unik, atë që unë e quaj ‘zbrazëtia e dijeve’. Bëhet fjalë për informacion bazë që është shumë i ri për t’u futur në librat e historisë, por nga ana tjetër është shumë i vjetër për t’u dhënë në lajme apo për t’u lexuar në gazeta. Derisa erdhi Wikipedia, kishte një mungesë në strukturën e dijeve tona”,
sqaron Lih.

Lih është dhe një nga administratorët e Wikipedisë, çfarë e bën atë një përdorues të privilegjuar. Kjo do të thotë se ai mund të fshijë faqe, artikuj apo të bëjë ndryshime. Zbatimi i këtyre rregullave të kontrollit e mbron faqen nga keqpërdorimet, derisa vazhdon të jetë e hapur për të gjithë.

Historia e Wikipedisë ka dhe momentet e veta të kthesës. Sipas Lih, një nga rastet e tilla ishte dhe ai me gazetarin Xhon Sigentaler, ku në një artikull të publikuar në Wikipedia, ai identifikohej si i dyshuar në vrasjen e presidentit Kenedi dhe vëllait të tij, Robert Kenedi.

Ky moment shënoi kthesën për Wikipedinë nga një faqe interneti interesante në faqe të përgjegjshme, thotë Lih. (i.b)
XS
SM
MD
LG