Ndërlidhjet

BE-ja, kritika Kosovës për zgjedhjet


Bruksel
Bruksel
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje dhe një herë që autoritetet e Kosovës t'i adresojnë të gjitha akuzat për manipulim të zgjedhjeve dhe t'i vazhdojnë procedurat në procesin zgjedhor që nuk ka përfunduar ende.

Natasha Batler, zëdhënëse e komisionarit evropian për zgjerim, Shtefan Fyle, tha se Komisioni Evropian i merr seriozisht akuzat për parregullsi në zgjedhje dhe shpreh shqetësim për raporte të tilla.

Në pyetjen se a do të ketë ndikim ky fakt në dialogun mes Kosovës dhe BE-së për liberalizimin e vizave dhe në negociatat për marrëveshjen tregtare, ajo ka theksuar se në parim këto çështje janë të ndara.

Batler ka shtuar se çështja e zgjedhjeve, organizimi i tyre dhe parregullsitë që kanë ndodhur do të zënë vend në raportin e progresit për Kosovën, që e publikon çdo vit BE-ja.

Ndërkohë, zyrtarët e BE-së pohojnë se disa shtete vazhdojnë të kenë rezerva për nisjen e dialogut mes Kosovës dhe BE-së për liberalizimin e vizave.

Diplomatët druajnë se parregullsitë e fundit në zgjedhje do ta zbehin dhe më shumë imazhin e Kosovës dhe do të jetë edhe më e vështirë që t'i bindin ministritë e brendshme të vendeve anëtare për të nisur dialogun e vizave.

Ndërkaq, nga Parlamenti Evropian vazhdojnë të vijnë thirrje që BE-ja, ashtu siç kishte premtuar, të përfshijë dhe Kosovën në liberalizimin e vizave, me gjithë faktin që edhe PE-ja kishte bërë shumë vërejtje lidhur me parregullsitë në zgjedhje.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, në një debat në Bruksel për Kosovën dhe liberalizimin e vizave, ka thënë se shpreson që vendet anëtare të BE-së nuk do të dënojnë popullin e Koosvës për shkak të parregullsive në zgjedhje.

Ajo ka bërë ftesë që Komisioni Evropian dhe BE-ja në përgjithësi ta mbajnë premtimin dhe ta nisin sa më shpejt dialogun me Prishtinën për liberalizimin e vizave për Kosovën.
XS
SM
MD
LG