Ndërlidhjet

Zanier: Më tepër angazhim direkt i Prishtinës me Beogradin


Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Lamberto Zanier, tha se përsëritja e zgjedhjeve në Kosovë tregon se “ekziston një përpjekje që gjërat të bëhen më të mira”.

Në këtë kuadër, ai theksoi se pas rivotimit të 23 janarit në Mitrovicë, mund të bëhet “vlerësim i situatës”.

Siç njofton zëdhënësi i misionit të OKB-së në Kosovë, Olivier Salgado, zoti Zanier i ka thënë radios Ofelia FM se “mund të ballafaqohemi me një situatë, ku negociatat për formimin e qeverisë mund të marrin kohë” dhe kjo është “mjaft normale”.

Ai mendon se “është me rëndësi që si rezultat të këtij procesi, të kemi situatën ku secili është i kënaqur me rezultatet, ku negociatat për qeverinë rezultojnë me qeveri që është e mbështetur, që është përfaqësuese, që është autoritative dhe që është e njohur nga çdokush” dhe që kjo qeveri të jetë “mjaft e fuqishme që të merret me sfidat që e presin Kosovën në rrugën e saj në të gjitha sferat”.

Lamberto Zanier më tutje ka thënë se për zgjidhjen e shumë problemeve ka nevojë për më tepër “angazhim direkt të Prishtinës me Beogradin”.

Ai ka shprehur mendimin se “qeveria e re do të jetë fuqishëm e angazhuar në këtë, në zgjidhjen e disa nga çështjeve që janë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe për rajonin”.

Zoti Zanier ka theksuar se “roli i Bashkimit Evropian do të jetë i rëndësishëm, për shkak të perspektivës që e sjell” dhe ka shtuar se “ne në UNMIK shumë fuqishëm e mbështesim BE-në dhe rolin e saj në lehtësimin e procesit të dialogut”.
XS
SM
MD
LG