Ndërlidhjet

Huruglica: Vështirësi - moskontrolli i kufirit në veri


Naim Huruglica

Naim Huruglica

Humbjet nga moskontrollimi i kufirit në veri janë rreth 30 milionë euro në vit, thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Huruglica, Kosova vazhdon të përballet me një betejë të posaçme në eliminimin e kontrabandës. Cilat janë vështirësitë më të mëdha me të cilat ju përballeni në këtë drejtim?

NAIM HURUGLICA
Vështirësia kryesore që Dogana e Kosovës ka në aspektin e luftimit të kontrabandës, është veriu i Kosovës, gjegjësisht moskontrollimi i dy vendkalimeve kufitare, që ne i quajmë ndryshe edhe si Porta 1 dhe 31, e në të cilat, janë bërë pothuajse tre vjet, që ne nuk kemi prezencë fizike. Pra, që nga 19 shkurti i vitit 2008, doganierët e Kosovës atje nuk janë prezentë.

Përmes këtyre dy pikave, sipas informacioneve që kemi, vazhdojnë të vijnë sasi të konsiderueshme të mallrave, ku vozitësit apo kompani të caktuara që i udhëzojnë ata, nuk vijnë në terminalin doganor në Mitrovicë për zhdoganim përfundimtar. Terminali në Mitrovicë është pika më e afërt e Doganës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka humbje në vit nga ky fenomen?

NAIM HURUGLICA

Është jashtëzakonisht e vështirë të jepet një shifër e saktë… Kufijtë aktualë që ne i kemi ndërtuar si kufij shtetërorë, në realitet kanë qenë kufij kadastralë komunalë. Po e them këtë për faktin se shpeshherë kemi një bashkëpunim të mirë të kontrabanditësve në zona të ndryshme të kufirit.


Me një papunësi në nivel të lartë, është e pritshme që një numër i njerëzve, posaçërisht ata që jetojnë afër kufirit, të shohin interes të mallrave.

E kam të vështirë të jap një shifër të saktë, edhe pse niveli i evazionit fiskal ose informalitetit, së paku sa i përket importit të mallrave, për çdo vit po njeh rënie – domethënë është një zvogëlim i dukshëm.

Në bazë të statistikave që i marrim nga EULEX-i në kufi, duke i krahasuar me ato që zhdoganojmë në Mitrovicë, kemi ardhur në një konstatim se humbjet shkojnë në rreth 30 milionë euro në vit – po flas vetëm për pjesën veriore.

Kjo nuk përfshin shmangiet, të cilat na ndodhin edhe në vendkalimet tjera – ta zëmë përmes mosdeklarimit të saktë të vlerave, përmes deklarimit të dyfishtë të vendit të origjinës së mallit ose gjëra të tjera.

Rezultate të mira, ne kemi treguar në mbledhjen e të hyrave, ku për çdo vit po arrijmë të dalim mbi 10 për qind në krahasim me një periudhë të vitit paraprak. Kjo shifër tregon se organizata po arrin që çdo vit të zvogëlojë atë informalitet që ka qenë më herët.

RADIO EVROPA E LIRË
Humbjet mbase vijnë më së shumti nga pikat doganore në veri të vendit. Ka ndonjë nismë të re për të ushtruar funksionin që do të duhej ta kishit në atë pjesë?

NAIM HURUGLICA
Angazhimi ynë ka shkuar së paku në tre drejtime. Ajo që kemi mundur të bëjmë fillimisht, ka qenë një vendosje e një mbikëqyrjeje shumë më të rreptë të asaj zone, përmes lëvizjeve të njësive antikontabandë – gjithmonë me qëllim që nëse nuk arrijmë të ndalim në burim kontrabandën, atëherë së paku ta parandalojmë që ajo të shpërndahet në pjesën kryesore të Kosovës, domethënë në pjseën qendrore të Prishtinës, por edhe në pjesë të tjera.

Faktori i dytë është bashkëpunimi i ngushtë me policinë, administratën tatimore, por edhe institucionet tjera, me të cilat kemi krjuar një task-grup për t’i goditur grupet e caktuara të kriminelëve. Kemi konfiskuar vazhdimisht mjete të transportit, mallra dhe vazhdimisht bëjmë tentime që kompanitë apo njerëzit që merren me këtë dukuri, t’i godasim.

Fusha e tretë, jo më pak e rëndësishme, ka qenë ngritja e një bashkëpunimi me EULEX-in, edhe në aspektin politik, edhe në atë operacional. Kemi kërkuar nga ata që të marrin veprime më konkrete ekzekutive në ndalimin e këtyre gjërave, për arsye se EULEX-i i ka njerëzit e vet në vendkalimet kufitare. Pra, nga ta kemi kërkuar që të mos jenë prezentë vetëm fizikisht, por të marrin veprime konkrete me qëllim të ndalimit të këtyre shmangieve.

Tek objektet që janë djegur në vitin 2008, është rikthyer një lloj infarstukture bazike për punë. Hapi i radhës, që është final, është vendimi se kur do të kthehet stafi doganor në ato pika. Dogana nuk mund të bëjë e vetmja plane.

Me Policinë e Kosovës, ne kemi plan se si ta luftojmë kontrabandën, kurse për t’u kthyer në veri pritet të ketë një përfshirje më të madhe edhe të faktorëve të tjerë relevantë, posaçërisht të atyre ndërkombëtarë, për arsye se shqetësim gjithmonë ka qenë elementi i sigurisë.

Në atë zonë dihet publikisht se veprojnë grupe të caktuara kriminale, të cilat përfitojnë nga kjo kontrabandë dhe të cilat nuk kanë hezituar në kohëra të ndryshme të përdorin edhe mjete të dhunshme për refuzimin e kthimit të kontrollit doganor.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë ka zëra se vendimi i qeverisë për rritje të pagave do të jetë sfidë edhe për institucionin tuaj. Ekspertët vlerësojnë se një vendim i tillë mund të realizohet nëse doganat kontribuojnë më tepër në mbushjen e buxhetit...
NAIM HURUGLICA
Çdo rritje e buxhetit nënkupton se duhet të ketë më shumë të hyra për të plotësuar atë pjesë të shpenzimeve. Doganës i bie një barrë më e madhe, për faktin se dogana vazhdon të jetë kontribuesi kryesor në buxhetin e Kosovës. Edhe në vitin që kemi përfunduar, kontributi ynë nuk kanë rënë nën 65% të totalit të buxhetit - domethënë është një kontribut shumë i lartë.

Do të jetë një vit mjaft sfidues për organizatën tonë, por ne kemi shpresa të fuqishme dhe plane se si dhe ku të fokusohemi më shumë. Do të duhet një përkrahje shumë më e fuqishme e Policisë së Kosovës, institucionit të prokurorisë, gjykatave, adminstratës tatimore, ministrive përkatëse, në mënyrë që me një mobilizm gjithëpërfshirës, ne ta kryejmë pjesën tonë, por edhe ata të na ndihmojnë të arrijmë realizimin e këtij plani.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund – vetë institucioni juaj ka qenë pjesë e hetimeve nga ana e EULEX-it. A mund të na tregoni shkurtimisht se për çfarë bëhet fjalë?

NAIM HURUGLICA
Të qenët taksambledhës mund të sjellë në situatë kur dikush ngrit hetime rreth punës që bëhet. Faktikisht, EULEX-i ka ngritur dyshime për një vendim që është marrë në vitin 2008 nga ana e drejtorisë ligjore, se sa ka qenë ligjërisht i arsyeshëm.

Domethënë, një hetim që EULEX-i ka bërë me dyshimin se mos ndoshta vendimi ka qenë jo i drejtë - e përmes të cilit dikush nga kompanitë importuese ka arritur të sigurojë përfitime.

Kjo ka qenë së paku arsyeja që na është thënë, se hetimi ka të bëjë me dyshimet e ngritura se a është vendimi i drejtë ose jo.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG