Ndërlidhjet

Presidenti i përmbysur iku në Arabinë Saudite


Pamje nga protestat në Tunizi.
Pamje nga protestat në Tunizi.
Autoriteti në Tunizi përsëri ka ndryshuar, për të dytën herë brenda më pak se 24 orëve, pasi Gjykata Kushtetuese ka shpallur se kryetari i Kuvendit duhet të jetë president i përkohshëm.

Kryeministri Mohamed Ghanouçi, që fillimisht e kishte marrë detyrën e presidentit, nuk ka bërë komente lidhur me këtë vendim.

Më herët, gjatë një paraqitjeje në televizion, ai u ka bërë thirrje shtetasve që t’i ndihmojnë ushtarët për t’i mbrojtur lagjet e tyre nga vjedhësit.

Në këtë kuadër, ai theksoi:

“Ky padyshim është prioritet i lartë. Vetëm pas rivnënies së rregullit dhe ligjit, me bashkëpunimin e të gjitha segmenteve të shoqërisë, ne do të jemi në gjendje të fokusohemi në rindërtim, në vendosjen e ripërtëritjes politike, shoqërore dhe ekonomike”, tha Mohamed Ghanouçi.

Qindra ushtarë kanë patrulluar nëpër rrugët e kryeqytetit Tuniz, ku stacioni kryesor hekurudhor ishte djegur dhe rrafshuar me tokë, ndërsa dyqanet ishin vjedhur pas protestave masive, që e detyruan presidentin Zine el-Abidine Ben Ali të largohet nga ky vend.

Ky lider, që e ka udhëhequr Tunizinë me grusht të hekurt për 23 vjet, dhe familja e tij, kanë gjetur strehim në Arabinë Saudite.

Kryeministri Mohamed Ghanouçi ka premtuar të punojë për së afërmi me partitë opozitare dhe me organizatat joqeveritare, për të ndërtuar shtet demokratik që “i respekton të drejtat e njeriut parimisht dhe praktikisht”.

Por, ka dyshime se protestuesit do ta pranojnë zotin Ghanouçi, i cili kishte shërbyer si kryeministër prej vitit 1999, për shkak të lidhjeve të tij të afërta me zotin Ben Ali.

Zine al-Abidine Ben Ali
Shumë në Tunizi e fajësojnë 74-vjeçarin Ben Ali dhe grupin e tij për korrupsion, papunësi dhe represion politik, që e ka lodhur këtë vend të vogël gjatë periudhës më të madhe të sundimit të tij.

Në protestat masive ishte kërkuar dorëheqja e tij, përkundër premtimeve se do të paraqiteshin liri të reja dhe se ai do të tërhiqej në vitin 2014, kur i skadon mandati presidencial - i gjashti me radhë.

Vala e protestave u shkaktua nga vetëvrasja e një personi 26-vjeçar, që ishte i diplomuar, por i papunë. Ai e dogji veten në mes të muajit dhjetor, në shenjë proteste kundër konfiskimit të licensës, sipas së cilës ai kishte të drejtë të shesë pemë e perime.

Protestat filluan në provinca, por këtë javë arritën edhe në kryeqytet dhe në disa pushimore të njohura të Tunizisë.

Disa grupe për të drejtat e njeriut thonë se së paku 70 vetë janë vrarë gjatë trazirave. Ky numër është tri herë më i madh se numri zyrtar që është paraqitur.

Liderët botërorë kanë kërkuar përmbajtje pas largimit të zotit Ben Ali dhe kanë bërë thirrje që të lëvizet kah zgjedhjet e lira dhe korrekte.

Presidenti amerikan, Barak Obama, e ka lavdëruar “guximin dhe dinjitetin” e protestuesve dhe ka bërë thirrje për zgjedhje të shpejta.

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, nuk ka lejuar që presidenti i përmbysur Ben Ali të arrijë në Francë për strehim. Tunizia dikur ishte koloni e Francës.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se qeveria e saj do t’i vëzhgojë për së afërmi zhvillimet në Tunizi.

“Situata në Tunizi është shumë serioze dhe është e qartë se gjendja në këtë vend ka ndikuar që njerëzit të jenë shumë të shqetësuar. Ne do ta monitorojmë situatën nga afër dhe do të kujdesemi për gjermanët, që ende janë në Tunizi”, tha Angela Merkel.

Shumë turistë nga Gjermania, Britania dhe Belgjika janë kthyer nga Tunizia.

Ja se çka deklaroi një turiste britanike:

“Unë isha e frikësuar, shumë e frikësuar. Jam e lumtur që jam në shtëpi dhe e sigurt”.

Hapësira ajrore e Tunizisë, që ishte mbyllur, raportohet se është hapur. Janë hapur edhe të gjitha aeroportet në këtë vend. (f.b.)

XS
SM
MD
LG