Ndërlidhjet

Raportet tregtare Kosovë-BE


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Më 31 dhjetor të vitit të kaluar ka skaduar afati i preferencave tregtare, të vendosura nga Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Kosovën. Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje presin që këto masa të vazhdojnë deri në vitin 2015, përderisa njohësit e çështjeve ekonomike shprehen skeptikë. Këto preferenca i mundësojnë eksportet e prodhimeve të rajonit në tregjet e Unionit Evropian pa tarifa doganore.



Kosova, deri në fund të vitit 2010, ka pasur preferencat autonome tregtare, të cilat i ka vendosur Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe një rekomandim që këto preferenca të vazhdojnë edhe në pesë vjetët e ardhshëm, thonë zyrtarë të qeverisë në dorëheqje.

Vendimi i Komisionit Evropian u lejon vendeve të Ballkanit Perëndimor që t’i eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet e Bashkimit Evropian pa tarifa doganore apo kufizime mbi sasitë. Ky vendim është nënshkruar në vitin 2000, është ripërsëritur në 2005-ën, për të skaduar më 31 dhjetor të vitit 2010.

Frymëzim Isufi, këshilltar në Ministrinë në dorëheqje të Integrimeve, thotë se Komisioni Evropian në shkurtin e kaluar ka propozuar zgjatjen e këtij regjimi deri në vitin 2015.

Por, nëse do të vazhdojnë masat autonome tregtare edhe për pesë vjetët vijues, do të vendoset në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Evropian, që do të mbahet më 18 janar, thotë Isufi.

“Ky propozim ka kaluar në Parlamentin Evropian, mirëpo nuk ka marrë formën përfundimtare në mbledhjen e Këshillit Evropian, të mbajtur në dhjetor të vitit 2010”.

“Mbledhja e ardhshme e këtij këshilli është më 18 janar. Shpresojmë se aty do ta marrë formën e vet përfundimtare dhe kjo masë autonome tregtare të vazhdojë edhe për Kosovën“,
thotë Isufi.

Sipas tij, nëse ky vendim sërish fuqizohet në mbledhjen e Këshillit Evropian, atëherë produktet e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe Kosovën, do të vazhdojnë të kalojnë në tregun evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore.

Një nen në këtë vendim sqaron se nëse gjatë kësaj periudhe, bizneset kanë paguar doganat për produktet e tyre, ajo shumë duhet t’iu kthehet kompanive në mënyrë retroaktive.

“Në një nen, që bën pjesë në rregullore, e që është dërguar edhe në Parlament, edhe në Këshillin Evropian për miratim, thuhet se për ato eksporte që kanë kaluar dhe i janë nënshtruar doganës, do të bëhet kthimi i doganës në mënyrë retroaktive”, sqaron Isufi.

Ndalimi eventual i preferencave tregtare rrezikon të sjellë pasoja negative për ekonominë e përgjithshme të Kosovës, thotë Safet Gërxhaliu, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës.

“Një eliminim i tillë i këtyre preferencave, Kosovën e dëmton në aspektin ekonomik dhe politik, sepse dëmtohet edhe më tepër imazhi i saj. Me siguri se do të ishte edhe një hap dekurajes për investitorë të huaj që të investojnë në Kosovë”, shprehet Gërxhaliu.

Komisioni Evropian i kishte vendosur këto masa për të gjitha vendet që janë pretendente për t’u futur në bllokun 27-anëtarësh, në mënyrë që të mbështesin integrimin ekonomik me BE-në, të forcojnë stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në mbarë rajonin.
XS
SM
MD
LG