Ndërlidhjet

Vendimi për targat tensionon veriun


Mitrovicë (foto arkivi)
Mitrovicë (foto arkivi)
Serbët e veriut të Kosovës duket se kanë shtuar veprimet kundërshtuese ndaj vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për konfiskimin e auto-targave të lëshuara nga Beogradi zyrtar.

Autoritetet e rendit thonë se që nga nisja e zbatimit të këtij urdhri, në veri janë rritur tensionet. Zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, shpjegon më shumë:

Urdhri për largim nga qarkullimi i të gjitha automjeteve me targa të Republikës së Serbisë sjell me vete një tension, kryesisht te banorët serbë, të cilët kanë refuzuar një gjë të tillë. Mirëpo, Policia e Kosovës është këtu që t’i ndërmarrë masat e duhura dhe hapat adekuatë për zbatueshëmerinë e ligjit”.

Ndërlidhja e incidenteve të fundit në veri të Mitrovicës me vendimin për targat, ndonëse nuk konfirmohet nga Policia e Kosovës, megjithatë nuk hidhet poshtë si mundësi.

Vendimet ose vendimmarrjet në nivel të karakterit politik, qofshin të nivelit lokal apo qendror, të cilat merren për zbatueshmeri të ligjit nga institucionet e Kosovës, sjellin me vete mëdyshje të shumta te qytetarët e rendomtë", deklaron Hoti.

Mbrëmë në Leposaviq, është djegur makina e Zoran Radunoviqit, pjesëtar serb i Policisë së Kosovës.

Ekspertët e sigurisë thonë se, pavarësisht mundësisë së tensionimit të situatës së sigurisë në veri, urdhrat duhet të zbatohen.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë për Radion Evropa e Lirë se puna e Policisë së Kosovës për konfiskimin e “targave të paligjshme” duhet të përkrahet edhe nga EULEX-i.

“Mund të ketë rritje të tensioneve, por ne nuk duhet të frikësohemi prej rritjes së tensioneve, sepse ne nuk jemi shkaktarë të tyre. Pavarësisht nga kjo, puna duhet të kryhet, nëse mund të kryhet. Megjithatë, unë nuk besoj se mund të shkohet deri në fund me këtë çështje, sepse, siç duket, EULEX-i nuk e ka dhënë përkrahjen; ndërkombëtarët mendojnë se është një hap i ngutshëm”, shprehet Qehaja.

Beogradi ka lëshuar në qarkullim targa me kodin ndërkombëtar të Serbisë (SRB) për shtatë rajone të Kosovës.

Mediat në Kosovë kanë cituar sekretarin shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, të ketë thënë se pret nga EULEX-i anulimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës për konfiskimin e targave të reja të Serbisë në territorin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG