Ndërlidhjet

Dell: Sundimi i ligjit, një vit më vonë


Në një shkrim autorial, dërguar mediave në Kosovë, ambasadori amerikan Kristofer Dell, flet për arritjet dhe sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë.

Shkruan: Kristofer Dell, ambasador i Shteteve të Bashkuara në Kosovë

Sot, më 17 janar, është hera e tretë që Kosova e pavarur feston Ditën e Ligjit. Kjo ditë ka për qëllim që njerëzit kudo në botë të mendojnë mbi sundimin e ligjit, se çka do të thotë kjo, dhe për të drejtat dhe detyrat e të gjithë atyre që janë pjesë e shoqërisë që edhe mbështet sundimin e ligjit, por po ashtu edhe vetë mbështetet nga sundimi i ligjit.

Para një viti unë kam folur pikërisht për këtë temë. Kam përmendur se sundimi i ligjit është mjet për kufizimin e qeverisë duke promovuar liritë e qytetarëve dhe duke vendosur rendin dhe parashikueshmërinë lidhur me funksionimin e një vendi. Sundimi i ligjit do të thotë që ka ligj dhe që të gjithë, përfshirë edhe zyrtarët qeveritarë, duhet t’i binden atij.

Sundimi i ligjit është një sistem që mbron të drejtat e qytetarëve nga përdorimi arbitrar dhe abuziv i pushtetit qeverisës. Kjo është ajo që e bën një shoqëri të bazuar në sundimin e ligjit aq unike: aty nuk ka klasë elitare, nuk ka monarki apo aristokraci, të cilët mund të mendojnë se janë imun ndaj ligjit ose që janë mbi ligjin. Të gjithë anëtarët e një shoqërie të bazuar në sundimin e ligjit kanë qasje të barabartë në mbrojtjen që jep ai dhe po ashtu janë njëjtë të detyruar që të respektojnë ligjin.

Sundimi i ligjit siguron themelin e çdo sistemi të suksesshëm demokratik. Një demokraci e vërtetë duhet të mbështetet në themelet që përfshijnë jo vetëm zgjedhje të lira dhe të drejta, por po ashtu përfshijnë edhe një shoqëri të bazuar në rregull, qeverisje efikase, dhe në një sistem ekonomik të bazuar në tregun e lirë. (Kosova e ka mësuar disa herë nga përvoja e vet se veç zgjedhjet nuk përbëjnë demokracinë).

Prandaj, kur ne themi që Kosova vuan nga sistemi i dobët ligjor, në të vërtetë ne po themi që demokracia e re e Kosovës është e dobët dhe në rrezik dhe që ajo të mbijetojë, ka ardhur koha që ta heqim vëmendjen nga cikli i pafund i zgjedhjeve dhe të merremi me sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë dhe rritjen ekonomike.

Që përparimi të arrihet duhet një qeveri e fokusuar, e ndershme, efikase, që respekton ligjin, e cila do të përqendrohet në rritjen ekonomike dhe në sundimin e ligjit gjatë katër viteve të ardhshme. Në një qeveri të tillë nuk ka fare vend për individë që besojnë se janë mbi ligjin ose për të cilët ka dyshime zyrtare se kanë shkelur ligjin.

Ne duhet të shohim një vullnet të tillë politik që lejon që sundimi i ligjit të lulëzojë.

Korniza juaj institucionale dhe kushtetuta juaj pasqyrojnë dhe promovojnë sundimin e ligjit dhe krijimi i një qeverie të re ofron mundësi të freskëta që të lejojë këto institucione që të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të mbrojtur demokracinë e Kosovës.

Kjo po ashtu është edhe një mundësi për Kosovën që të forcojë këto organe dhe të krijojë institucione të drejtësisë dhe të sundimit të ligjit të fuqishme dhe të pavarura në të cilat kanë qasje të gjithë, të cilat respektohen nga të gjithë dhe të cilat kërkohen nga të gjithë.

Kosova ka përparuar kaq shumë vitin e shkuar. Është e rëndësishme të ceket që Kuvendi ka nxjerrë Ligjin për Gjykatat, si dhe Ligjet për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe ato ligje janë në proces të zbatimit.

Ministria e Drejtësisë po përkrah rishikimin e Kodit Penal të Kosovës dhe atij të Procedurës Penale dhe të dy projektet kanë përparuar dukshëm gjatë vitit të kaluar.
Duke iu falënderuar bashkëpunimit dhe bashkërenditjes së punëve ndërmjet Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë emëruar 324 gjykatës dhe prokurorë të ri për të mbushur vendet e lira në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Në muajin maj në gjykata do të hyjnë edhe 32 gjykatës dhe prokurorë të ri; po ashtu Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Instituti Gjyqësor i Kosovës po punojnë bashkë për të plotësuar të gjitha vendet e lira të mbetura sa më shpejt që është e mundur.
Gjykatat e Kosovës janë të mbingarkuara me raste të reja dhe me një varg të lëndëve të mbetura.

Në nëntor, Këshilli Gjyqësor i Kosovës miratoi strategjinë kombëtare për zvogëlimin e lëndëve të mbetura. Kjo strategji mandaton një grup punues të përbërë nga gjykatës kosovarë që të zbatojnë strategji afatshkurta dhe afatgjata për të ulur numrin e dosjeve të mbetura në gjykata dhe për të adresuar brengat e identifikuara në Raportin e Progresit për Kosovën të Komisionit Evropian.

Bashkëpunimi shumë i mirë ndërmjet USAID-it dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka rezultuar në përmirësime të dukshme të ndërtesave, njerëzve dhe ligjeve që përbëjnë sistemin gjyqësor në Kosovë. Ky bashkëpunim ka mundësuar ndryshimet në veprimin e gjykatave përmes renovimeve të ndërtesave të tetë gjykatave kudo në Kosovë dhe vënies në punë të praktikave më të mira nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes nxjerrjes së Doracakut mbi Menaxhimin e Gjykatave dhe Procedurat Standarde Operative, Standardeve për Dizajnin e Gjykatave dhe Kodin e Mirësjelljes për personelin administrativ të gjyqësorit.

Unë i çmoj të gjitha këto përpjekje, siç shpresoj se i çmoni edhe ju. Kosova po bën përparim të vërtetë në fushat kryesore; por ende mbetet shumë punë e rëndësishme për t’u bërë. Ne kurrë nuk mundemi me siguri të supozojmë që gjyqësori juaj është i pavarur, i paanshëm dhe transparent pa përpjekjet e vazhdueshme për ta mbrojtur atë. Përkushtimi i Kosovës – përkushtimi juaj – ndaj këtyre fushave duhet të përtërihet çdo ditë.

Pezullimi i sundimit të ligjit në veri të Kosovës zbeh përparimin e arritur në pjesët tjera. USAID-i po fillon një projekt të madh të renovimit të ndërtesës së gjykatës, por kjo ka pak domethënie nëse gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës nuk punojnë në ndërtesën e re të gjykatës dhe nëse policia apo doganat nuk lejohet të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Situata në veri pa nevojë është politizuar, sepse çështja e vërtetë fare s’është politike: është qasja e barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës. Mbajeni në mend këtë.

Siguria për personelin e gjyqësorit ende mungon dhe gjykatat janë ende të brishta ndaj ndërhyrjeve politike. Kërcënimet, shtrëngimet dhe kanosjet mund të ndryshojnë rrjedhën e një gjykimi dhe të ndalojnë zbatimin e drejtë të drejtësisë. Mungesa e sigurisë dhe kujdesit për viktimat dhe dëshmitarët është kritike. Kosova ende nuk e ka nxjerrë Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe duhet ta bëjë prioritet mbrojtjen e viktimave-dëshmitarëve.

Agjencia për konfiskimin e aseteve ende nuk financohet mjaftueshëm dhe ka mungesë personeli. Kjo pengon aftësinë e agjencisë për të mbështetur hetimet e ndërlikuara penale. Ligjet për konfiskimin e aseteve duhet të hartohen për të mundësuar që pasuria e fituar në mënyrë të pandershme të mund të konfiskohet nga shteti dhe të përdoret për të mirën e publikut – në veçanti, për të ofruar mbrojtje të viktimave-dëshmitarëve dhe për të kryer hetimet e duhura. Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit duhet të jenë prioritet për Kuvendin e ri, kur ai të mblidhet.

Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë që i gjithë populli i Kosovës, duke përfshirë edhe bashkësinë serbe të Kosovës, të marrë pjesë në reformimin e gjyqësorit. Natyrisht, kjo nuk është e lehtë. Ndryshimet nuk mund të bëhen brenda natës. E kuptoj se është lehtë për të kritikuar, por po ashtu po zotohem, në emër të popullit amerikan dhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë në Kosovë, se ne nuk do t’ju lëmë vetëm për t’u marrë me këto probleme.

Ne e dimë që e ardhmja afatgjatë e Kosovës si vend shumetnik, demokratik dhe i përparuar brenda komunitetit transatlantik – qëllim që të gjithë ne e ndajmë bashkë – varet në përpjekjet e vazhdueshme – së pari nga ju, kosovarët, por të përkrahur nga miqtë tuaj – për të forcuar sundimin e ligjit.

Po, ne do të kërkojmë llogari nga Kosova; ne nuk do të pranojmë arsyetime; nuk do ta bëjmë punën për juve. Por, unë nuk mendoj se Kosova e do këtë. Unë personalisht e kam parë përkushtimin dhe vullnetin e mirë të treguar nga shumë individë në qeveri, në kuvend, në gjyqësor. Këta janë njerëzit që kujdesen për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj. Mbështetni ata; ndihmojini; merrni pjesë edhe vetë në reforma. Është e drejta juaj; detyra juaj; vendi juaj.

Me merr mendja që vrojtimet e mia nga Dita e Ligjit e vitit të kaluar ende vlejnë, prandaj po i përsëris: Sundimi i ligjit dhe Kosova, 15 janar 2010.
XS
SM
MD
LG