Ndërlidhjet

logo-print
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pret që nesër të marrë raportin përfundimtar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, për procesin e përfunduar të rinumërimit të votave. Ndërkohë, KQZ-ja, nuk njofton nëse do të ketë anulim të votave ose vendvotimeve.


Ka përfunduar në tërësi procesi i rinumërimit të votave në Qendrën e Rinumërimit dhe Rezultateve.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se gjithçka që i takon rinumërimit dhe futjes së të dhënave në data-bazë, ka përfunduar.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve tashmë ka përfunduar i tërë procesi i rinumërimit, futja e shënimeve, po ashtu edhe sa i përket 9 janarit janë bërë të gjitha rinumërimet”, ka deklaruar Daka.

Drejtuesja e KQZ-së, Daka, po ashtu ka thënë se gjatë ditës së martë pritet të merret raporti përfundimtar nga QNR-ja, dhe më pas, nga gjetjet, do të shihet se a do të ketë anulim të vendvotimeve apo të votave të pavlefshme.
Pasi që të marrim raportin, do ta kuptojmë se a do të ketë eventualisht anulim të ndonjë vendvotimi.


“Pasi që të marrim raportin, do ta kuptojmë se a do të ketë eventualisht anulim të ndonjë vendvotimi. Në momentin që e marrim rekomandimin nga QNR-ja, ne do të dalim me vendim. Nëse kemi anulim, do ta publikojmë menjëherë nëse është anuluar ndonjë vendvotim”,
është shprehur Daka.

Edhe anëtari i tjetër i KQZ-së, Fadil Maloku, ka thënë se ende nuk dihet se çka përmban raporti i QNR-së pas përfundimit të rinumërimit dhe çka do t’i rekomandohet KQZ-së.

Megjithatë, sipas Malokut, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 12 dhjetorit janë vonuar.
...jemi vonuar në kuptimin që t'i japim rezultatet përfundimtare dhe ta kryejmë certifikimin e zgjedhjeve.

“Momentalisht ende nuk e kemi përgjigjen përfundimtare se çka ka ndodhur me komunat që i kemi çuar në rinumërim dhe rivotim. Por, besoj që nesër do të dihen të gjitha gjërat. Por, është një konstatim i përgjithshëm që në fakt nuk jemi në koherencë me kohën, jemi vonuar në kuptimin që t'i japim rezultatet përfundimtare dhe ta kryejmë certifikimin e zgjedhjeve”
, ka thënë Maloku.

Fillimisht në QNR kishte nisur rinumërimi i 760 vendvotime, apo 40 për qind e numrit të përgjithshëm të votave nga zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit 2010.

Më pas Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, pati shqyrtuar gjithsej 71 ankesa të partive politike për zgjedhjet e 9 janarit.

Paneli kishte urdhëruar KQZ-në që të bëjë rinumërimin e votave të 8 vendvotimeve; katër vendvotime në Skënderaj, tri vendvotime në Deçan dhe një në Drenas.

Rinumërimi i votave nga komuna të ndryshme të Kosovës kishte ardhur pasi në disa vendvotime ishin vërejtur parregullsi.

Nga përfundimi i procesit të rinumërimit pritet të qartësohen, në radhë të parë, dilema të subjekteve politike se kishte manipulime me votat e kandidatëve për deputetë, brenda subjektit të njëjtë politik.

Ndryshe në QNR, sipas KQZ-së, ende nuk ka filluar numërimi i votave me kusht. Kjo, sipas tyre, për faktin se një gjë e tillë pritet të bëhet pas përfundimit të rivotimit më 23 janar në Mitrovicë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG