Ndërlidhjet

logo-print
Partia shqiptare, pjesë e koalicionit të Qeverisë së Maqedonisë - Bashkimi Demokratik për Integrim, bën të ditur se intensivisht po realizon takime për harmonizimin e qëndrimeve me grupet parlamentare të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, për pozicionin që do të mbajë Maqedonia në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kundrejt raportit të Dik Martit.


Deputetja e kësaj partie, Ermira Mehmeti-Devaja, pjesë e delegacionit të deputetëve të Maqedonisë në KE, thekson se, “BDI-ja gjatë javës së kaluar dhe gjatë ditëve në vijim, vazhdon të realizojë konsulta dhe koordinime me gjithë faktorin politik shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri, që të dalin me një qëndrim unik sa i përket asaj se si duhet të intervenojnë gjatë debatit për rezolutën e zotit Marti”.

Sipas deputetes Ermira Mehmeti –Devaja, qëllimi i këtyre takimeve intensive, është bashkërenditja e veprimeve dhe qëndrimeve të faktorit politik të brendshëm dhe atij shqiptar në rajon, në prag të sesionit të janarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, gjatë të cilit do të debatohet lidhur me propozim-rezolutën e deputetit zviceran Dik Marti, për Kosovën.

“Me rëndësi të madhe është që faktori shqiptar në Strasburg të paraqitet unik dhe i harmonizuar, sa i përket betejës diplomatike ndaj këtij raporti, i cili e ka lënduar personalitetin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, institucionet e Republikës së Kosovës, dhe në veçanti kredibilitetin e atyre që ishin prijës të lëvizjes së armatosur, pra Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”,
thotë Mehmeti-Devaja.

Ndërkohë, kryesuesi i delegacionit parlamentar të Maqedonisë në Këshillin Evropian, Aleksandar Nikollovski, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë ditës së martë do të organizojë një takim konsultativ, ku, së bashku me dy anëtarët e tjerë, Ermira Mehmeti-Devaja dhe Igor Ivanovskin, do të bisedojnë lidhur me aktivitetet e delegacionit gjatë sesionit plenar dimëror të KE-së.

“Të martën do të takohemi me kolegët dhe do të tentojmë të ndërtojmë një qëndrim përbashkët për atë se si do të votojmë në lidhje me raportin e Dik Martit”,
shprehet Nikollovski.

Megjithatë, Nikollovski nënvizon faktin se atje nuk është e detyrueshme të votohet në emër të shtetit që përfaqëson, por zakonisht vota jepet në kuadër të asaj se cilit grup parlamentar partiak i takon.

Ndryshe, analistët politikë theksojnë se harmonizimi i qëndrimeve në këtë rast, do të kontribuojë në krijimin e një imazhi të ri të Maqedonisë sa i përket unifikimit të qëndrimeve të dy etniteteve; maqedonasve dhe shqiptarëve kundrejt politikës së jashtme të vendit.
XS
SM
MD
LG