Ndërlidhjet

Hetimet në rastin Tisa


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Edhe pas 15 muajve, që kur kishte ndodhur tragjedia në lumin Tisa, në kufirin Serbi – Hungari, 4 nga 15 viktimat e këtij rasti, shqiptarë nga Kosova, ende figurojnë të zhdukur në ujërat e këtij lumi.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se fajtorët e dyshuar për këtë tragjedi, e cila ndodhi në mesin e muajit tetor të vitit 2009, si pasojë e trafikimit me qenie njerëzore apo emigrantëve, tashmë do të përballen me drejtësinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, thotë se po gjurmohen edhe individë të tjerë të lidhur me këtë rast.
Deri më tani, policia ka arrestuar shtatë persona, që dyshohet se janë të lidhur drejtpërdrejt me këtë rast...

“Deri më tani, policia ka arrestuar shtatë persona, që dyshohet se janë të lidhur drejtpërdrejt me këtë rast dhe po ashtu që dyshohet se edhe në raste të tjera kanë kryer veprën penale të njëjtë, trafikim me qenie njerëzore".

"Policia e Kosovës, konkretisht, Shtylla e hetimeve të krimit të Policisë së Kosovës, është duke kontaktuar vazhdimisht me Policinë e Hungarisë dhe autoritetet policore atje, dhe janë duke u shfrytëzuar të gjitha pistat e mundshme për arrestimin edhe të personave tjerë, për të cilët dyshohet se janë të involvuar në këtë rast, por edhe në rastet tjera, sa i përket trafikimit me qenie njerëzore”, thotë Sadriu.

Ndryshe, nga valët e lumit Tisa, pas rrokullisjes së barkës që po transportonte emigrantët nga Kosova, patën shpëtuar tre persona, dy prej të cilëve të mitur.

Megjithatë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës thotë se policia ka arritur deri te disa informacione se në barkë ka pasur më shumë se 18 njerëz, por informacionet e tilla duhet të hulumtohen.

“Kjo lloj veprimtari ilegale, që zhvillohet prej njerëzve, do të thotë, funksionon në një rrjet të organizuar ndërkombëtar dhe është shumë vështirë që të gjenden informacione të sakta, por policia është duke punuar në vërtetimin e këtyre informacioneve”, bën të ditur Sadriu.

Në anën tjëtër, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thotë se përgjegjësia për tragjedinë e Tisës bie mbi trafikuesit e emigrantëve, por përgjegjësinë morale, sipas tij, duhet ta bartin edhe ata faktorë që kanë krijuar rrethana që njerëzit të bien pre e trafikantëve.

“Kjo është si pasojë e mosinvestimit edhe nga perëndimi në Kosovë, në mos-hapjen e vendeve të reja të punës, në mosofrimin e programeve zhvillimore, e konservimit të një gjendjeje vetëm sa për ta ruajtur situatën këtu në Kosovë, si dhe e një moskujdesi të përgjithshëm për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Prandaj, ata e marrin një rrugë, e cila është plot me rreziqe”, vlerëson Shala.

Shala shton se ende ka një numër të madh të njerëzve, të cilët ikjen nga Kosova për në ndonjë vend të perëndimit e shohin si zgjidhje të vetme dhe ky fakt u shkon për shtati sidomos trafikantëve me emigrantë.
...për shkak të një ndjenje të paperspektivës, për shkak që nuk po mund ta gjejnë veten në Kosovë, një numër jo i vogël i njerëzve mësyjnë shtetet e perëndimit.


“Fatkeqësisht, për shkak të situatës ekonomike, e cila është në Kosovë, për shkak të një ndjenje të paperspektivës, për shkak që nuk po mund ta gjejnë veten në Kosovë, një numër jo i vogël i njerëzve mësyjnë shtetet e perëndimit. Një numër i tyre, shansin e vet për ardhmërinë e shohin edhe përmes lumit Tisa, ku përfundoi një tragjedi, ku 15 shqiptarë e kanë humbur jetën”,
thekson Shala.

Ndryshe, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Sadriu, thotë se janë duke u bërë mjaft përpjekje nga organet e rendit që të luftojnë trafikimin e njerëzve.

“Sidomos gjatë vitit 2010, ka pasur rezultate të mira, në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore. E kemi fjalën për rastet e tjera të trafikimit apo kontrabandimit me emigrantë, ku vetëm nga policia kufitare janë hapur 28 raste që janë arrestuar persona të dyshimtë, që janë marrë me këto veprimtari”, pohon Sadriu.

Sidoqoftë, për humbjen e jetës së 15 shqiptarëve të Kosovës në lumin Tisa, Zyra e Prokurorisë në Kosovë, ka akuzuar shtatë shqiptarë. Gjykimi i të akuzuarve pritet të fillojë më 20 janar.
XS
SM
MD
LG