Ndërlidhjet

Hetohen 133 raste të abuzimit të votës


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Me nismën e Prokurorisë së Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa i ka proceduar 133 lëndë, të cilat konsiderohet se kanë të bëjnë me abuzimin e votës së qytetarëve gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë. Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, thotë se këto raste do të shqyrtohen si lëndë me prioritet dhe opinioni do të informohet për rezultatet më 1 shkurt.


Organet e hetuesisë në Kosovë po merren me 133 raste të dyshimeve për keqpërdorime dhe abuzime me votat e qytetarëve gjatë procesit të fundit zgjedhor.

Kryeprokurori i Kosovës, Ismet Kabashi, thotë se në Prokurorinë e Shtetit, fillimisht nuk ishte paraqitur asnjë kallëzim penal në lidhje me mashtrimet dhe keqpërdorimet gjatë votimeve.

Por, Prokuroria, nënvizon ai, i ka kërkuar më pas Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa që t’i procedojë Prokurorisë ankesat dhe dokumentacionin.

Tani e gjithë lënda, thotë Kabashi, u është proceduar organeve përkatëse, të cilat do të merren me këtë çështje.

“PZAP-ja, duke vepruar sipas kërkesës sonë, na i ka proceduar 133 ankesa që i janë paraqitur bashkë me dokumentacionin përcjellës. Ne, të gjitha këto lëndë, ua kemi dërguar prokurorive kompetente më 5 janar dhe kemi kërkuar që ato lëndë të zgjidhen me prioritet, si dhe kemi caktuar koordinatorin në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që do ta mbikëqyrë kryerjen e këtyre çështjeve”,
thotë Kabashi.

Lidhur me rezultatet eventuale të këtyre hetimeve, opinioni do të njoftohet deri më 1 shkurt, thotë Kabashi. Ai sqaron, po ashtu, se nismën për hetimin e rasteve e ka iniciuar vetë Prokuroria e Shtetit.

Ndonëse kallëzime penale kishte edhe pas zgjedhjeve të vitit 2007, Kabashi tregon se Prokuroria nuk ka të dhëna se gjykatat i kanë zgjidhur ato raste.

“Prokuroria e Shtetit edhe më parë, për zgjedhjet e vitit 2007, ka paraqitur akte akuzuese në gjykatë dhe ne nuk kemi të dhëna se gjykatat i kanë zgjidhur ato çështje. Ne themi se ne i kemi akuzuar, por nuk kemi të dhëna se gjykatat i kanë zgjidhur ato çështje”,
thekson Kabashi.

Zbatimi i ligjit, duke i sjellë para drejtësisë personat që kanë abuzuar me votat e qytetarëve, i ka dy anë pozitive, thotë analisti dhe ish-kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, Adnan Merovci.

Sipas Merovcit, masat ligjore kanë edhe efekte pozitive për proceset e ardhshme, ku njerëzit duhet të mësohen me proceset demokratike.

“Ligji duhet të zbatohet dhe nëse PZAP-i ka dërguar dosje që është bërë shkelje edhe në Kodin Penal dhe kundërvajtës, ku parashihen dënime rreth këtyre abuzime, atëherë është dashur të zbatohet ligji”.

“E dyta, drejtpërdrejt d otë kishte ndikuar në procesin e zgjedhjeve, sepse faktori njeri është ai që i ka bërë këto abuzime dhe ai njeri, qoftë komisionar, qoftë në administratë, në qendër të votimit është si individ dhe ashtu si individ duhet të përgjigjet para ligjit”
, shprehet Merovci.

Po ashtu, Adnan Merovci vlerëson se keqpërdorimi i votës së qytetarëve ka të bëjë me raste individuale dhe jo me një orkestrim të manipulimeve nga qendrat politike. Sipas tij, vetë sistemi zgjedhor ka ndikuar në politizimin e personelit që administron me votimet.

“Listat e hapura me pesë kandidatë kanë hapur garë brendapartiake dhe duke qenë vetëm një zonë zgjedhore, pak a shumë mund të thuhet se i elektrizon edhe vetë komisionarët, edhe pse ata e nënshkruajnë njëfarë Kodi të Mirësjelljes, megjithatë ne e dimë se shumica e tyre janë të elektrizuar politikisht dhe duke qenë kështu, besoj se më tepër janë zgjedhje individuale të vendimeve për të abuzuar ,sesa që mund të thuhet për ndonjë orkestrim”
, vlerëson Merovci.

Sidoqoftë, ishin pikërisht parregullsitë e evidentuara gjatë procesit zgjedhor ato që tashmë kanë sjellë edhe implikime politike me vetë faktin se një pjesë e spektrit politik e cilëson gjithë procesin të manipuluar dhe kërkon organizimin e një procesi të ri zgjedhor.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG