Ndërlidhjet

Samit i pazakonshëm SHBA-Kinë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kina po ec përpara. Vetëbesimi i Amerikës po lëkundet. Megjithatë, këtë javë, udhëheqësit e dy vendeve do të ulen bashkë në Uashington në atë që shumë vëzhgues e quajnë samiti më i rëndësishëm kinezo-amerikan në 30 vitet e fundit.

Takimi i krerëve të dy ekonomive më të mëdha në botë në çdo rrethanë përbën kryetitull. Por, këtë herë në bisedimet ndërmjet presidentit kinez, Khu Xhintao, dhe homologut të tij amerikan, Barak Obama, ka më tepër tension se më parë.

Hu mbërrin të martën në Uashington për vizitë katër ditore zyrtare në Shtetet e Bashkuara, e cila shihet si udhëtimi më i rëndësishëm i një lideri kinez në Amerikë në 30 vjet.

Hu dhe eskorta e tij do të priten me tërë pompën dhe ceremoninë që i përcjell vizitat e tilla, përfshirë darkën solemne në Shtëpinë e Bardhë.

Por, prapa skenave, ka shumë çështje therëse që do të diskutohen.

Vitin e kaluar, ekonomia e Kinës e kaloi Japoninë si ekonomia e dytë në botë, arritje që qartazi i ka dhënë shtysë vendosmërisë së Pekinit për ta formësuar baraspeshën e fuqisë në botë.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të përballen me rënien nga kriza trevjeçare ekonomike dhe perceptimet për dobësimin e rolit të tyre në çështjet botërore. Rrjedhimisht, pësuan edhe marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Dejvid Finkelstajn është ekspert për Kinën në Qendrën për Analiza Detare në Uashington.

“Besoj dhe shumë të tjerë besojnë se ky do të jetë një samit tejet i rëndësishëm ndërmjet dy presidentëve. Them se do të jetë samit i rëndësishëm, sepse kemi pasur një vit e gjysmë marrëdhëniesh të trazuara ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”
, thotë Finkelstajn.

Të dyja palët duket sikur janë të vetëdijshme për rëndësinë e lartë të takimit. Në komentet e tij të dielën, presidenti kinez Hu Xhintao tha se “rëndësia strategjike e ndikimit global të raporteve SHBA-Kinë ka qenë në rritje”.

Disa ditë më herët, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, foli për mundësinë e pikës kthesë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

“Amerika dhe Kina kanë arritur në një pikë kritike, në kohën kur vendimet që merren, qofshin të vogla apo të mëdha, do ta formësojnë trajektoren e këtyre marrëdhënieve. Gjatë dy viteve të kaluara të administratës Obama, ne kemi krijuar mundësitë për bashkëpunim më të thellë, më të gjerë dhe më të qëndrueshëm”
, tha Klinton.

Dy presidentët sigurisht që do të kenë shumë për çka të diskutojnë, por bashkëbisedimi i tyre me gjasë do të përqendrohet te paratë. Ekonomia e Kinës ka vazhduar të zhvillohet gjatë kohës së krizës, ndërsa ajo e Amerikës, bashkë me vendet tjera perëndimore, është përballur me ngecje dhe shkallë të lartë të papunësisë.

Deficiti tregtar i Amerikës me Kinën mbetet i madh, rreth 252 miliardë dollarë. Politikanët në Shtetet e Bashkuara janë tejet të prirë ta fajësojnë Kinën për menaxhimin që i bën monedhës së saj, të cilën thonë, Pekini e mban të ulët për ta bërë më konkurrent eksportin.

Çështje tjetër që pritet të diskutohet është Koreja Veriore. Tensionet në siujdhesë kanë arritur kulmin muajve të fundit pasi Koreja Veriore e bombardoi një ujdhesë të Koresë Jugore, dhe pas fundosjes së luftanijes jug-koreane, për të cilën Seuli e fajësoi qeverinë në Phenian.

Por, ekspertët thonë se kohëve të fundit ka shenja se Kina po e shtyn aleatin e saj Kim Xhong t’i kthehet tryezës së bisedimeve, përpjekje që sigurisht do të mirëpritet nga Obama. (v.p.)
XS
SM
MD
LG