Ndërlidhjet

Anulime të tjera


KQZ (Foto nga arkivi)
KQZ (Foto nga arkivi)
Me rekomandimet e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për anulimin e 4 vendvotime dhe në 7 qendra të tjera, anulimin e votave me kusht.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka shpjeguar se anulimi ka ardhur për shkak të parregullsive të mëdha gjatë procesit të votimit.

“Janë përjashtuar dy vendvotime të rregullta herën e parë, pra nga 12 janari pas rinumërimit të 760 vendvotimeve, edhe në 7 vendvotime të votave me kusht. Pra, janë përjashtuar vetëm votat me kusht, jo votat e rregullta nga 7 vendvotime. Si dhe janë përjashtuar sot edhe dy vendvotime të rregullta”, ka thënë Daka.

KQZ

Raportin e QNR-së e ka prezantuar para anëtarëve të KQZ-së udhëheqësi i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, Burim Ahmetaj. Ai ka sqaruar se tashmë ka përfunduar i gjithë procesi i rinumërimit dhe hetimeve nga zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe 9 janarit.

Por, anëtari i KQZ-së, Blerim Burjani, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur habinë e tij me numrin e vogël të anulimit të vendvotimeve.

Burjani ka thënë se duke pasur për bazë parregullsitë që kanë përshkuar procesin zgjedhor, është dashur që të ketë anulim të më shumë vendvotimeve.

“Ne kemi pritur një raport edhe më në detaje që do të tregojë se ka mospërputhje të rezultateve, sepse KQZ-ja kishte kërkuar rinumërimin e 760 vendvotimeve. Në realitet, po duket se ky raport, nëse e analizojmë mirë, po thotë se vota e kandidatëve të të gjitha partive politike është përmirësuar, mirëpo nuk kemi ndonjë mospërputhje të madhe dhe nuk kemi pasur anulime të mëdha ashtu siç i ka pritur ndoshta opinioni publik”,
ka thënë Burjani.

Kurse, Florian Dushi, po ashtu anëtar i KQZ-së, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vlerësuar se procesi i rinumërimit ka bërë që të ketë korrigjime të mëdha të votave brenda partive politike.

“Procesi i rinumërimit duhet të shihet në radhë të parë se për çka është zhvilluar. Dhe, ndër arsyet kryesore kanë qenë parregullsitë te votat e kandidatëve - gjë që ne, nga këto raporte nuk mund ta kuptojmë njëherë. Por, përfundimisht ka korrigjime të mëdha te votat e kandidatëve. Ndërsa, është një numër i vogël i vendvotimeve që janë rinumëruar, për shkak të defekteve që ato kanë pasur te votat e subjekteve politike”
, është shprehur Dushi.

Rinumërimi i votave nga komuna të ndryshme të Kosovës kishte ardhur pasi në disa vendvotime ishin vërejtur parregullsi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka shpallur rezultatet preliminare të partive politike që morën pjesë në garën zgjedhore.

Por, rezultati përfundimtar dhe certifikimi i zgjedhjeve pritet të bëhet pas rivotimeve që do të mbahen edhe në Mitrovicë.
XS
SM
MD
LG