Ndërlidhjet

Prishtina kërkon t’i dëgjohet zëri në KE


Autoritetet kosovare kah fundi i javës do të kuptojnë se në çfarë cilësie do të marrin pjesë në Asamblenë e Këshillit të Evropës, ku më 25 janar do të diskutohet për raportin e Dik Martit. Në anën tjetër, Prishtina dhe Tirana, përveç në rrafshin politik, tashmë po bashkërendojnë aktivitetet edhe në drejtësi, duke vënë hapat e parë në hetimet mbi dyshimet për trafikim organesh që u ngrenë në raportin e Martit.


Kosova po kërkon që t’i dëgjohet zëri në Asamblenë e Këshillit të Evropës, ku më 25 janar pritet të diskutohet raporti për trafikim organesh në Kosovë i Dik Martit.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti, njëri nga të apostrofuarit në raportin e Martit për përfshirje në aktivitete ilegale, thotë se janë në pritje të konfirmimit për pjesëmarrje.

Nëse nuk ndodh kjo, atëherë, delegacioni i Shqipërisë do t’i dalë në mbrojtje Kosovës.
...delegacioni i Kosovës do të marrë pjesë në seancë - qoftë si vëzhgues, qoftë si spektator, qoftë si pjesëmarrës aktiv
në debat.


Po punojmë në kanalet përkatëse që përfaqësuesi i Parlamentit të Kosovës, t’i drejtohet KE-së. Ende nuk kemi konfirmim se do të lejohemi që të flasim, por ne kemi biseduar me delegacionin e Shqipërisë, kemi biseduar me delegacionet që janë përfaqësuese të përhershme në KE dhe në njërën mënyrë, ose tjetrën, edhe delegacioni i Kosovës do të marrë pjesë në seancë - qoftë si vëzhgues, qoftë si spektator, qoftë si pjesëmarrës aktiv në debat”, thotë Haliti në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Sipas njoftimeve zyrtare në faqen e internetit të Këshillit të Evropës, raporti për trafikimin ilegal të organeve njerëzore në Kosovë do të diskutohet në sesionin dimëror nga 24 deri më 28 janar.

Për këtë çështje thuhet se ndër të tjerë do të flasin presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, e kryeministri shqiptar, Sali Berisha.

Haliti thotë se shumë nga aktivitetet në Këshillin e Evropës janë bashkërenduar mes Prishtinës dhe Tiranës dhe, sipas tij, delegacioni shqiptar mund të kërkojë mosmiratimin e rezolutës, apo nëse nuk ndodh kjo, atëherë, shtimin e propozimeve në rezolutë.

Sidoqoftë, për një gjë Haliti shprehet i sigurt:

“Edhe Shqipëria, edhe pala kosovare, jemi të interesuar që të bëhen hetime, por me rëndësi është që argumentet që janë në lidhje me akuzat në fjalë, t’i jepen hetuesisë së EULEX-it dhe të bëhet një hetim shtesë në lidhje me këtë çështje, si dhe të mbyllet njëherë e përgjithmonë sipas të gjeturave që bëjnë hetuesit e specializuar të Evropës”
.

Faqja e gazetës "The Guardian", ku u publikua shkrimi...

Prishtina dhe Tirana kanë nisur një ditë më parë që t'i konkretizojnë zotimet për hapjen e hetimeve. Një delegacion i Prokurorisë Speciale të Kosovës është takuar me kryeprokuroren shqiptare për të parë mundësinë e hapjes së hetimeve.


“Delegacioni i Prokurorisë Speciale të Kosovës i përbërë nga shefja dhe zëvendësshefja e PRSK-së, kanë pasur takim me prokuroren e përgjithshme të Shqipërisë dhe kanë diskutuar hapat e mundshëm të hetimit në lidhje me raportin e Dik Martit dhe për aktivitetet në Shqipëri në vitin 1999 dhe 2000. Është shumë herët të flitet se çka do të ndodhë në të ardhmen”,
konfirmon zëdhënësja për drejtësi e EULEX-it, Kristina Herodes.

Ajo sqaron se misioni evropian nuk i ka hapur ende hetimet, meqë i mungojnë provat.
Ne e dimë se zoti Marti i ka marrë letrat tona, por ende nuk i kemi marrë përgjigjet në pyetjet tona.


“EULEX-i i ka dërguar letër Dik Martit ku i bën disa pyetje në lidhje me raportin e tij. Ne e dimë se zoti Marti i ka marrë letrat tona, por ende nuk i kemi marrë përgjigjet në pyetjet tona. Prokuroria nis hetimet kur të ketë prova dhe nëse ka prova që Dik Marti do të mund të na ndihmonte, atëherë i kërkojmë që t’ia ofrojë Prokurorisë ato. Pa prova, Prokuroria dhe policia hetuese nuk mund të punojnë në rastet kriminale”
, sqaron Herodes.

Në raportin e tij, senatori zviceran Dik Marti akuzon “Grupin e Drenicës”, të prirë, siç thuhet, nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, se ka bërë trafikim me organe dhe është përgjegjës për trafikimin e drogës dhe armëve gjatë luftës dhe pas saj në Kosovë.

Në akuzat për trafikim organesh, përfshihet edhe Shqipëria, meqë thuhet se nxjerrja e organeve është bërë në territorin shqiptar.

Po ashtu, përmendet edhe e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë”, e cila së pari u apostrofua në librin e ish-kryeprokurores Karla del Ponte, e cila pretendonte se në këtë shtëpi ishin nxjerrë organet njerëzore.

Deri sot, EULEX-i nuk ka gjetur asnjë provë në lidhje me akuzat në fjalë.

“Hetuesit për krime lufte të EULEX-it dhe prokurorët kanë hetuar të ashtuquajturin rastin e 'Shtëpisë së Verdhë', por deri më sot prokurorët tanë nuk kanë gjetur fakte që do të na çonin të besonim se nxjerrja e organeve ka ndodhur në këto vende në Shqipëri”.

“Ky rast nuk është mbyllur, por nuk është më prioritet për ne, sepse rreth 900 raste të krimeve të luftës janë trashëguar nga UNMIK-u dhe 60 nga to janë shqyrtuar nga hetuesit tanë. Dhe, siç thashë, nuk është më prioritet”
, thekson Herodes.

Autoritetet kosovare dhe shqiptare kanë hedhur poshtë akuzat e Dik Martit, ndërsa kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, pati paralajmëruar se do të ngre padi për shpifje kundër senatorit zviceran.

Lexoni edhe këto:

Independent: Dëshmi, ju lutem!
Thaçi: Shpifje dhe gënjeshtra
XS
SM
MD
LG