Ndërlidhjet

A po funksionon tërësisht Instituti Onkologjik?


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Instituti Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare ka shënuar lëvizje pozitive, duke filluar nga funksionalizimi i tij pas shtatë vjetësh, thonë zyrtarë shëndetësorë.

Sipas tyre, pacientët tani do të mund të kryejnë shërbime, për të cilat u është dashur të shkojnë në vendet e rajonit.

Faik Hoti, drejtor i departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se funksionalizimi i tërësishëm i Institutit Onkologjik pritet të bëhet gjatë vitit, me angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë.

Mirëpo, sipas Hotit, tashmë shumë shërbime, të cilat nuk janë kryer me vite të tëra, kanë hyrë në funksion.
Tani, kimioterapia nuk aplikohet në dhoma të klinikave të tjera, por në këtë institut.


“Tani, kimioterapia nuk aplikohet në dhoma të klinikave të tjera, por në këtë institut. Gjithashtu, është funksionale edhe rezonanca magnetike, e cila ka qenë jashtë funksionit për një kohë të gjatë. Nëse çdo gjë shkon mirë, e që po shihet se ka indikacione, patjetër se radioterapia, si shërbim deficitar në sektorin publik, do të aplikohet në Qendrën Klinike Universitare”, thotë Hoti.

Pacientët thonë se funksionimi i Institutit Onkologjik në Prishtinë është një hap mjaft pozitiv, duke marrë parasysh se jo të gjithë ata mund t’i kryejnë shërbimet në vendet e rajonit apo edhe më larg. Shefkije Maxhuni flet:

“Po më vjen mirë që Instituti Onkologjik ka filluar të funksionojë në QKUK, sepse nuk kanë mundësi të gjithë të shkojnë jashtë shtetit”.

Edhe Arben Kutllovci, nga Instituti Onkologjik, thotë se punët në këtë institucion po shkojnë ashtu siç janë planifikuar.
Pacientët tash e kanë një vend ku mund të paraqiten dhe do ta kenë shumë më lehtë.


“Pjesa e diagnostikës ka filluar të funksionojë, rezonanca magnetike, e gjithashtu edhe mamografia funksionon. Pacientët tash e kanë një vend ku mund të paraqiten dhe do ta kenë shumë më lehtë”, thotë Kutllovci për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Kutllovcit, pjesa e radioterapisë ka mbetur jashtë funksionit, por, siç shprehet ai, me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë do të funksionalizohet shumë shpejt edhe ky shërbim.

Në Institutin Onkologjik, që nga viti 2004, janë investuar rreth 6 milionë euro, derisa kohën e fundit, Këshilli i Onkologjisë ka marrë përsipër të bëjë vlerësimin e gjendjes aktuale në këtë institut, në mënyrë që të bëjë të mundur funksionalizimin e tij të plotë.

Lexoni edhe këto:
Cilat duhet të jenë prioritetet?
Ku shërohen kosovarët?
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG