Ndërlidhjet

logo-print

FOL kritikon abuzimin me autoritetin publik


Lëvizja FOL ka mbajtur debat me temën “Fuqizimi i dialogut ndërinstitucional në luftën kundër abuzimit me autoritetin publik”.

Armend Pajaziti, nga kjo lëvizje, tha se raportet e institucioneve të pavarura shpeshherë bëjnë vetëm bujë mediale për disa ditë. Sipas tij, ato mbesin vetëm raporte dhe nuk iniciohen masa për të përmirësuar gjendjen.

“Një shembull i tillë është edhe raporti i Avokatit të Popullit si një institucion, i cili, vitin e kaluar, ka prezantuar raportin e tij vjetor në Kuvendin e Kosovës, që ka kaluar pa ndonjë debat të mirëfilltë. Në të njëjtën ditë, ky raport është prezantuar edhe në tryezën e organizuar nga Lëvizja FOL, ku diskutimi ka qenë shumë më i thellë dhe më përmbajtjesor se në Kuvendin i Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.

Ndërkaq, Ardian Ajvazi, nga Komisioni për Ndihmë Juridike, theksoi nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional si mënyrën më të mirë për të pasur rezultate të suksesshme.

Sipas tij, mungesë bashkëpunimi ka edhe me institucione të tjera, siç është Këshilli Gjyqësor, i cili nuk ka lejuar që Komisioni për Ndihmë Juridike të ofrojë asistencë juridike edhe për raste penale.

Petrit Zogaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL, shpjegoi arsyet a realizimit të këtij projekti nga ana e Lëvizjes.

“Duke pasur parasysh se Institucioni i Avokatit të Popullit është kategori kushtetuese dhe ka mandatin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër abuzimit me pushtetin, kemi realizuar takime dhe debate nëpër komuna për të diskutuar rolin dhe punën e këtij institucioni, kemi realizuar një fushatë multimediale për të promovuar këtë institucion”, tha Zogaj.
XS
SM
MD
LG