Ndërlidhjet

(S')Ka marrëveshje për tabelat


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Qeveria serbe konfirmon arritjen e një marrëveshjeje me komunitetin ndërkombëtar për tabelat e reja serbe. Prishtina mohon një gjë të tillë, ndërsa mban në fuqi urdhrin për konfiskimin e tabelave. EULEX-i nuk mohon e as pohon ndonjë marrëveshje eventuale, por përshëndet masat që nuk do të cenonin sigurinë.


Ministria serbe për Kosovën ka thënë se përfaqësues të qeverisë serbe kanë arritur marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar në Kosovë mbi auto-targat e reja që po i lëshon MPB-ja serbe me iniciale të qyteteve kosovare.

Qarkullimi me këto targa është i ndaluar në bazë të një urdhri të MPB-së së Kosovës.

Në Ministrinë serbe për Kosovën, nuk kanë dhënë detaje të marrëveshjes, duke mos përmendur as se me cilin mision është arritur marrëveshja në fjalë.
Është mirë që tensionet në lidhje me tabelat gradualisht
të ulen ...

“Është mirë që tensionet në lidhje me tabelat gradualisht të ulen, duke marrë parasysh që acarimi i krijuar mund t'i dëmtojë bisedimet e ardhshme. Para se të nisin bisedimet Prishtinë-Beograd, duhet të shqyrtohet zgjidhja e përkohshme e problemit”
, ka thënë sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq.

Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se nuk ka asnjë marrëveshje dhe se urdhri i tij për konfiskim të targave të reja serbe, mbetet ende në fuqi.
Urdhri im vazhdon edhe më tutje. Nuk ka kurrfarë marrëveshje, ende nuk ka asgjë

“Urdhri im vazhdon edhe më tutje. Nuk ka kurrfarë marrëveshje, ende nuk ka asgjë. Edhe më tutje urdhri është valid dhe ende nuk ka kurrgjë të shkruar”
, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Rexhepi.

Misioni evropian për sundimin e ligjit pati reaguar pas urdhrit të ministrit për konfiskim të targave dhe shqiptim të gjobave për ngasësit që bartin tabela të reja, duke kërkuar që çështja të zgjidhet përmes dialogut.

E pyetur nëse Beogradi ka arritur marrëveshje me EULEX-in në lidhje me tabelat, zëdhënësja Irina Gudeljeviq ka konfirmuar për bisedimet, por jo edhe ndonjë marrëveshje eventuale.
EULEX-i ka qenë në kontakt edhe me Beogradin edhe me Prishtinën, në lidhje me këtë
çështje...


“EULEX-i ka qenë në kontakt edhe me Beogradin edhe me Prishtinën, në lidhje me këtë çështje, duke u bërë thirrje të gjitha palëve që zgjidhjen e këtij problemi ta gjejnë në mënyrë pragmatike, që nuk do ta cenonte situatën e sigurisë. Ne i përshëndesim të gjitha masat e marra dhe nuk kemi se çka të shtojmë në lidhje me këtë temë. Kjo është një temë, për të cilën duhet të flasë Beogradi”
, ka deklaruar Irina Gudeljeviq.

Ndërkohë, përpjekjet e para për të vendosur sundimin e ligjit në veriun e Kosovës janë vënë në sprovë nga punonjësit e Policisë së Kosovës, që i përkasin komunitetit serb.

Urdhri për konfiskimin e auto-targave të reja, ka rebeluar komandantin e stacionit të Zveçanit, i cili ka kundërshtuar t’i bindet zinxhirit komandues.

Ai u suspendua me pagesë, por pasditen e së mërkurës atij iu hoq pezullimi në fjalë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nga e enjtja, komandanti Gjuriq do të kthehet në detyrë.

“Drejtori i përgjithshëm e ka pezulluar suspendimin ndaj komandantit Gjuriq dhe ai nesër kthehet në detyrë. Por, kjo nuk nënkupton se janë pezulluar edhe hetimet ndaj tij, Inspektorati i Policisë tashmë e ka lëndën dhe do të vazhdojë të hetojë nëse Gjuriq ka shkelur urdhrat ligjore”
, është shprehur Hoti.

Megjithëse urdhri për konfiskim është dhënë një javë më parë, deri tash, sipas policisë janë marrë vetëm 3-4 tabela. Edhe në mediat kosovare ka pasur shkrime se ekziston një marrëveshje e pashkruar mes autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, që Serbia të mos lëshojë më tabela të reja, me kusht që autoritetet kosovare të mos i konfiskojnë ato që janë lëshuar.
XS
SM
MD
LG