Ndërlidhjet

logo-print
Në mungesë të ministrave për shkak të prishjes së koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së, për më shumë se tre muaj shumica e ministrive që i kanë takuar LDK-së, po udhëhiqen nga sekretarët e përhershëm. Por, në të vërtetë edhe vetë sekretarët e përhershëm janë vetëm ushtrues detyre.


Prishja e koalicionit mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ka krijuar një realitet të ri në Kosovë.

Për herë të parë, disa nga ministritë po drejtohen nga sekretarët e përhershëm, të cilët nuk i kanë fuqitë ekzekutive të plota, që do t’i kishte një ministër apo zëvendësministër.

Rrjedhimisht, sekretarët - ministra flasin për problemet që e pengojnë zhvillimin.

Sylejman Sopa është edhe ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, gjithashtu ushtron disa nga detyrat e ministrit në dikasterin e Drejtësisë.

“Nuk ka kabinet dhe për të dy postet - nuk janë as ministri e as zëvendësministri - janë disa çështje që vërtet kërkojnë zgjidhje. Janë disa gjëra që pritet të bëhen vetëm atëherë kur emërohet ministri, për shembull, si nënshkrimi i kontratave bilaterale me shtetet në rajon në bashkëpunim juridiko - ndërkombëtar”
, thotë Sopa.

Aktualisht, gjashtë ministri që i takonin LDK-së nuk kanë ministra tash tre muaj. Në ministritë ku zëvendësministrat kanë qenë nga PDK-ja, ushtrojnë postin e ministrit, kurse në ministritë ku edhe zëvendësministri ka qenë nga radhët e LDK-së, ministrinë e drejtojnë sekretarët e përhershëm.

Sylejman Sopa thotë se sekretari i përhershëm nuk mund të marrë vendime të rëndësishme politike, por kryen më tepër punë administrative.

Ndër ministritë pa ministra është edhe Ministria e Kulturës...

“Çështja problematike ose sfida, me të cilën jemi përballur, është edhe problemi i komisionit për noter që do të bëhet në Kosovë, përmes një projekti që do ta kemi me qeverinë zvicerane. Pra, çështjet e tilla kanë hasur në disa pengesa, me të cilat aktualisht jemi duke u marrë me Zyrën e kryeministrit”,
sqaron Sopa.

Përveç Ministrisë së Drejtësisë, edhe Ministria e Kulturës, ajo e Punëve të Jashtme, Ministria e Shëndetësisë, e Administrimit të Pushteti Lokal dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, nuk kanë ministra dhe udhëhiqen nga zëvendësministrat, ose nga sekretarët e përhershëm.

Por, në të vërtetë, në pothuaj të gjitha këto ministri, nuk ka të emëruar sekretarë të përhershëm, por vetëm ushtrues detyre.

Muhamet Rudari, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se mungesa e ministrit vërehet në masë të madhe.

“Ka mbetur një mungesë e licencave të derivateve të naftës, domethënë për operatorë që merren me këtë çështje. Pastaj, për operatorët ekonomikë të ndërtimeve, kemi agjencitë turistike. Ne i kemi bërë një shkresë zëvendëskryeministrit, qeverisë në dorëheqje, i kemi njoftuar për problemet që i kemi, mirëpo ata nuk na kanë caktuar dikë që të vijë edhe të zëvendësojë ministrin apo zëvendësministrin për këto vendim”,
thekson Rudari.

Kabineti qeveritar që mbeti pa gjysmën e ministrave pas tërheqjes së LDK-së nga koalicioni në muajin tetor, mori mosbesimin edhe të Kuvendit në nëntor, gjë që çoi në shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, edhe pse zgjedhjet u zhvilluan më shumë se një muaj më parë, si pasojë e parregullsive, procesi nuk ka përfunduar ende, rrjedhimisht është shtyrë edhe krijimi i institucioneve të reja.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG